Nga Gazeta ‘SI’ – Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku tregoi se në janar të vitit 2023 do të hapet gara ndërkombëtare për kompanitë e interesuara që do të ndërtojnë portin e ri tregtar në Porto Romano, 46% e vlerës së të cilës do të mbulohet nga qeveria shqiptare. Sipas ministres procesi do të përfundojë në korrik të 2023-shit dhe më pas do të nisë ndërtimi që është parashikuar të shkojë në 390 mln euro në total.
Ajo shtoi se ka mbaruar dhe faza e parë e studimit të hekurudhës me Kosovën, si pjesë lidhëse e shtetit fqinj me portin.
Eric Smith, inxhinier nga Royal Haskoning, kompania konsulente e projektit të portit në Durrës tha se në një investim të tillë është e nevojshme që të paguajë qeveria pasi, privati e ka të vështirë t’i marrë përsëri mbrapsht shpenzimet e bëra.




“Privati hyn në lojë në veprimet operacionale dhe pronar mbetet Autoriteti Portual. Projekti është i realizueshëm dhe i qëndrueshëm. Është një përgjigje e nevojave ambicioze të logjistikës për të gjithë rajonin. Ndërlidhshmëria është kyçe, por deri tani ajo ka qenë politike. Holanda është bërë e pasur pikërisht sepse u bë pikë ndërlidhëse. Porti do të sjellë miliona në vit, njësoj si investimet kapitale”, -tregoi Smith.
Ai shtoi se ndërtimi do të bëhet me faza dhe në total do të kushtojë 390 mln euro, për të cilën do të merret një kredi që më pas i kalon Autoritetit Portual.
Porti i ri do të zgjerohet deri në 400 ha tokë dhe do ndahet në tre zona. Në zonën veriore do të jenë kontejnerët, në jug cargot e përgjithshme dhe në qendër, hidrokarburet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



