Shendet

Ballkani në ‘kurthin’ e variantit Delta, si disa vende po kthehen në zona të kuqe

Pandemia e COVID-19 po vijon të rëndohet në Shqipëri dhe vendet përreth e shkak për këtë është varianti Delta. Rastet e reja po shtohen frikshëm. Kjo rritje infektimesh ka bërë që disa shtete të rikthejnë masat kryesore kufizuese ende pa filluar vjeshta.
Gjatë 24 orëve të fundit në vendin tonë janë shënuar rreth 477 raste të reja me Covid-19 dhe 3 persona humbën jetën, ndërkohë që panorama e rritjes së rasteve ka qenë shumë ndryshe një muaj më parë kur rastet ditore numëroheshin me gishta.
Epidemiologët në vendin tonë thanë se varianti Delta do të bëhej dominues që në gjysmën e dytë të muajit Gusht dhe kjo mund të na kthente masat shtrënguese për të frenuar virusin. Ndërkaq masat aktuale në Shqipëri janë, mbajtja e maskës në ambiente të mbyllura (që në fakt nuk respektohet në masë), kufizimi i lëvizjes deri në orën 24:00 (edhe ky kufizim nuk respektohet), lejimi i grumbullimeve deri në 50 veta (as kjo nuk respektohet po të kemi parasysh koncertet në Tiranë dhe zonat bregdetare gjatë verës apo edhe me Festën e Birrës që nisi dje në Korçë).

Festa e Birrës në Korçë.

Me rritjen e rasteve ditore në vend ekspertët e shëndetit publik e vënë theksin tek rëndësia e vaksinimit dhe analizimi i rasteve të rënda. Në Shqipëri zyrtarisht kemi 3782 raste aktive dhe të shtruar janë 56 pacientë, por shifrat mund të jenë edhe më të larta.

Ndërkaq situata e infektimeve e infektimeve paraqitet edhe më e vështirë në vendet e tjera të rajonit. Të dhënat e fundit të publikuara në faqen e Universitetit të Oxfordit, tregojnë se Kosova renditet e para në Ballkan sa i përket rasteve ditore me koronavirus në një milion banorë. Gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë u konfirmuan rreth 2000 të infektuar dhe raste aktive kanë shkuar në 12.159. Në Evropë, Kosova me rastet e shënuara në 24 orë radhitet e dyta pas Britanisë së Madhe dhe e treta në botë pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Duke nisur nga këto fakte Qeveria e Kosovës ka vendosur masat shtrënguese anti-COVID me qëllim frenimin e përhapjes së infeksionit. Në Kosovë janë ndaluar dasmat, ahengjet dhe janë mbyllur klubet e natës, edhe madje është fotografuar edhe Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitija, që njofton shtrëngim të masave. Orari për baret dhe restorantet është kufizuar deri më 22:30. Gjithashtu është bërë e detyrueshme vendosja e maskës në transport publik.

Arben Vitija, Ministri i Shëndetësisë së Kosovës duke hedhur valle në një dasmë


Një panoramë epidemiologjike të vështirë paraqet edhe Maqedonia e Veriut. Gjatë ditës së mërkurë u deklarua se rreth 15 pacientë ndërruan jetë dhe nga 6802 teste për Covid-19 të kryera 1081 qytetarë rezultuan pozitivë. Ndërsa numri i rasteve aktive në vend ka arritur në 7705.

Ndërkohë Ministria e Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut ka deklaruar se që prej ditës së hënë të javës së ardhshme do të hyjnë në fuqi masat e reja shtrënguese për parandalimin e përhapjes së Covid-19. Ministria njoftoi se do të ndalohet hyrja në bare-restorante për të gjithë personat e pavaksinuar, do të ndalohet organizimi i dasmave apo manifestimeve tjera në objektet e mbyllura dhe do të vendoset nga 1 shtatori aplikimi i masave në pikat kufitare ku qytetarët duhet të kenë certifikatë vaksinimi ose tampon PCR.
Autoritetet thonë se ka arsye për shqetësime serioze edhe për Malin e Zi, ku në 24 orët e fundit janë shënuar rreth 535 raste ditore, ndërsa numri i rasteve aktiv është 4912. Rritja e rasteve në Malin e Zi ka nisur që në fund të muajit Korrik dhe kjo ishte shkak për rikthimin e disa masave në vend. Qysh prej datës 2 gusht Instituti i Shëndetit Publik në Malin e Zi vendosi se do të ndalohej puna e klubeve të natës dhe diskotekave në ambiente të hapura dhe të mbyllura, do të ndalohen dasmat, festivalet muzikore, çdo tubim masiv në ambiente të mbyllura. Gjithashtu u vendos edhe rregulli se do të duhej certifikata e vaksinimit në shërbimin e hotelerisë. E njëjta gjë do të vlejë edhe për pikat kufitare ku qytetarët duhet të tregojnë se janë të pastër nga infeksioni Covid-19 me anë të pasaportës së vaksinimit ose testit PCR.
Ndërkaq duke nisur nga shifrat e përgjithshme, OBSH disa herë ka bërë thirrje se mbulesa vaksinale është shumë e ulët në të gjithë botën, e kjo i hap rrugë varianteve të reja për të mbijetuar dhe për t’u përhapur.

Ndërkaq Serbia një ditë më parë kishte 1497 raste të reja nga Covid-19 dhe 6 viktima, ndërsa nuk ka shtrëngim të masave, por në shtator e nis dozën e tretë përforcuese të vaksinës. Të infektuar gjithsej janë 14 687 serbë.

Anxhela Celanji


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë