Studentët, të cilët u mblodhën sërish prej orës 10:00 në ditën e dhjetë të protestës së tyre kanë bërë thirrje për një seancë të jashtëzakonshme nesër në Kuvend.
Ata janë shprehur të vendosur se qeveria ka afat për të dhënë përgjigje deri në orën 16:00. Në rast se nuk realizohet seanca plenare e jashtëzakonshme, e kërkuar ditën e nesërme, kanë kërcënuar me një protestë kombëtare, ku nuk do të jenë vetëm studentët, por edhe prindër dhe qytetarë të vendit.
Por, menjëherë kryeministri ka reaguar, kësaj here ka zgjedhur rrjetin social më të përdorur nga studentët, “Instastory”.
Përmes një postimi, Rama u jep sërish një përgjigje pozitive studentëve për 8 kërkesat e tyre, nëse ata ulen në dialog me qeverinë. Një qëndrim i mbajtur për ditë me radhë nga kreu i qeverisë nëpër rrjete sociale, po ashtu edhe në seancën e djeshme plenare.
Ndërkohë ultimatumit të vendosur prej studentëve për seancën e jashtëzakonshme plenare ditën e nesërme i ka dhënë një përgjigje kryetari i Grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.
Duke shpërndarë letrën me “Po” të kryeministrit Rama, Balla deklaron se parlamenti mund të mblidhet nesër me kryeministrin dhe studentët. Sipas Ballës, kjo do të mbyllë Paktin për Universitetin, si dhe do të rikthente normalitetin e jetës studentore në vend.
“PO! Parlamenti mund të mblidhet nesër me Kryeministrin dhe studentët, të cilët është koha të ulen e të mbyllin Paktin për Universitetin duke nisur nga miratimi i 8 pikave. Uroj që studentët ta bëjnë këtë pa humbur kohë dhe të kthehen në shtëpi me suksesin e protestës së tyre”, shkruan Balla në “Facebook”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.





