Lajme

Balla: Sjellja e opozitës antikushtetuese, kanë frikë nga SPAK


Mazhoranca i cilëson sjelljet e opozitës në kundërshtim me Kushtetutën, e cila vjen për shkak se përfaqësuesit e saj kanë frikë nga krijimi i organeve të reja të drejtësisë. Ky ka qenë reagimi i kryetarit të grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla gjatë një prononcimi për median.
“Urdhri i kryetarit të Kuvendit për thirrje të kësaj seanca është firmosur që dje. Seanca është vijim i seancës së programuar për ditën e enjte me të njëjtën përmbajtje. Sot pasdite Kuvendi do të shqyrtojë dy vendime të rëndësishme që kanë të bëjnë me strukturën e dy institucioneve të drejtësisë së re KLGJ dhe KLP. Sa më shumë do të afrohet dita e konsolidimit të drejtësisë së re, sa më shumë afrohet dita për ngritjen e SPAK dhe BKH do të kemi këtë sjellje jo ligjore të opozitës”, deklaroi numri dy i PS-së.
Balla në prononcimin për median theksoi se nuk do të ketë seancë parlamentare as më 14 mars, pasi është një ditë feste, dita e pranverës.
“Ajo që dua t’ju them se kemi miratuar kalendarin dhe programin ku do të vijojmë të votojmë ligje të rëndësishme të paketës së reformës në drejtësi. Ligjet të rëndësishme që kanë të bëjnë me hallin e qytetarëve tanë që prej 28 vitesh nuk kanë arritur të marrin tapinë e tokës së tyre”, theksoi Balla.
Akuzave të opozitës se mazhoranca është frikacake dhe ka anuluar seancat, Balla iu kundërpërgjigj “PS është e vendosur që të çojë përpara mandatin që na kanë dhënë shqiptarët një mandat për drejtësinë”.
Sa i takon takimeve të europarlamentarëve ditën e nesërme, zyrtari i lartë i PS-së, theksoi se pret që nga këto takime, Parlamenti Europian, Komisioni Europian të vijohet me çeljen e negociatave për bisedimet për anëtarësimin në BE nga ana e Këshillit Europian.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë