Ushqim

Bakter i rrezikshëm në qumështin për foshnja ‘Aptamil 1’, AKU e tërheq nga tregu

Gazeta Si – Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU), ka lëshuar një paralajmërim urgjent për të gjithë prindërit në Shqipëri.

Një lloj specifik i qumështit për foshnja po tërhiqet menjëherë nga tregu për shkak të pranisë së një substance të rrezikshme.

Gjatë kontrolleve në Gjermani, në produktin “Aptamil 1 Pronutra (800g)”, është gjetur prani e një toksine (cereulide) që vjen nga bakteri “Bacillus cereus”.

Ky bakter mund të shkaktojë probleme shëndetësore, ndaj është dhënë alarmi në të gjithë rrjetin europian të sigurisë ushqimore (RASFF).

Cereulide është një toksinë e prodhuar nga disa lloje të bakterit Bacillus cereus dhe mund të shkaktojë simptoma të shpejta të helmimit ushqimor, përfshirë të vjella dhe dhimbje barku.

AKU njoftoi qytetarët se nëse e kanë blerë këtë produkt  ta kthejnë në pikat e shitjes. Sipas autoritetit inspektorët janë tashmë në terren për të bllokuar çdo kuti të mbetur nëpër rafte.

Edhe para disa ditësh, AKU u bëri thirrje konsumatorëve edhe për dy produkte të tjera konkretisht “BEBA” dhe “NAN 1 OPTIPRO”, për të kthyer atë në pikat e shitjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë