Gazeta Si – Në vitin 2018, saga e ashpër e përplasjeve mes fiseve Bajri dhe Lici në Shkodër, shkaktoi viktimën e radhës.
Vrasja e 53-vjeçarit Fatbardh Lici ndodhi në lagjen “Kiras” të qytetit verior, teksa viktima, xhaxhai i të shumëkërkuarit Ibrahim Lici, po pinte kafen në një lokal.
Një makinë tip “Mercedez Benz” qëlloi me breshëri kallashnikovi drejt tij. Autorët dyshohet të kenë qenë 2 persona, ndërsa makina që përdorën u gjet e djegur në fshatin Dobraç.
Policia tha se autorët ishin të maskuar dhe kanë qëlluar të paktën 10 plumba me një automatik të tipit “Scorpion”.
Por përpara se ta ekzekutonte, autori iu drejtua viktimës me fjalët: “Të fala!”, sipas një dëshmitari që ishte aty pranë.
Fatbardh Lici ndërroi jetë menjëherë. Viktima ishte vëllai i Mustafa Licit anëtar në Këshillin Bashkiak të Shkodrës, si dhe kunati i Lulzim Kullës, i cili i shpëtoi një atentati me tritol në tregun e qytetit, ku përveç tij, mbetën të plagosur disa kalimtarë, ndërkohë që shtatë vite më parë, Fatbardh Lici është akuzuar si autor i vrasjes së Astrit Kurmemajt.
Akuzat dhe dyshimet ndaj Safet Bajrit
Belgjika e kishte dënuar për dy ngjarje njëra pas tjetrës me 20 vite burgim në total Safet Bajrin, si plagosje, grabitje, shfrytëzim prostitucioni.
Ai u dënua më 25 janar 2017 nga Gjykata e Apelit të Brukselit me 9 vite burg, si kreu i një organizate kriminale të trafikut të drogës dhe prostitucionit në kryeqytetin belg, teksa kishte marrë edhe rreth 13 të tjera për plagosje të rëndë në 22 shkurt 2014.
Në vitin 2018, pas kthimit nga Belgjika, Bajri u arrestua gjatë operacionit të koduar “Oaz” bashkë me kushëririn Ilir Rustemi (Bajri), Emrah Plaku, ish-kampionin e boksit, Astmer Bilali dhe Erogen Brajoviç, për një sërë akuzash kriminale, por u lirua pak më vonë, pasi nuk u provuan akuzat e kërcënimeve dhe gjobvënieve.
Ai vuajti vetëm disa vite burg të mbetura nga Belgjika, në Burgun e Reçit. Ekstradimi nuk u mundësua për shkak të mungesës së marrëveshjes mes dy vendeve.
Dosja “Oaz” përfundoi mes zvarritjeve, sa te Krimet e Rënda në Shkodër dhe Gjykata e Rrethit zbuti akuzat dhe dënimet, deri në gjykim të shkurtuar. Kështu, Safet Bajri mori vetëm 2 vite e 6 muaj burg.
Deri tani ai nuk figuron në dosjen “Metamorfoza” dhe as në atë “Revanshi” si Behar Bajri (Bajroviç), por po hetohet për ngjarje të tjera kriminale, si përplasja e armatosur me fisin Prendi në Bushat apo dhe masakra e Dobraçit.
Në një dalje televizive, Bajri pretendoi se ka dalë i pafajshëm, pavarësisht nga akuzat e prokurorisë: “Unë kam bërë 13 vite burg, kam bërë 4 vite kam dalë i pafajshëm, kam bërë dhe 2 vite dhe prapë pastaj ma pushuan çështjen, 6 vite tërë jetën”, – deklaroi Safet Bajri para dy ditësh.
Ndërkohë, sot policia me urdhër të SPAK, ka kryer këtë të premte (21 shkurt) arrestimin e Safet Bajrit, njeriut të dyshuar për një sërë ngjarjesh të rënda kriminale që kanë tronditur Shkodrën vitet e fundit.
Bajrat dhe zgjedhjet..
Që prej se Partia Socialiste mori për herë të parë drejtimin e Bashkisë së Shkodrës në maj të 2023-shit, kreu i PD Sali Berisha akuzoi Ramën se kjo u bë e mundur me ndihmën e bandës së Bajrave.
Berisha pretendoi se grupi i Bajrave terrorizoi qytetarët në ditën e zgjedhjeve me qëllim që ata të votonin për Partinë Socialiste.
Këtë akuzë Berisha e mbështeti edhe me disa pamje filmike për të cilat deklaroi se i ishin vënë në dispozicion nga bizneset dhe qytetarët të cilat sipas tij kanë dashur të bëjnë transparencë.






“Mandati i Bashkisë së Shkodrës është mandat i Bajrave që kurrë s’po e pranojmë. Kjo bandë e Edi Ramës që merrte pjesë në shtabin e PS doli në qytet me autokolonën e blinduar duke kaluar nga qendra në qendër dhe duke ushtruar terror të paparë”, deklaroi Berisha.
Në akuzat e opozitës për Bajrat, Berisha tha se ata e kanë rrëmbyer mandatin e kryetarit duke iu betuar sipas tij Ramës se do vazhdojnë të garantojnë mandatin në Shkodër.
“Banda Bajri në kundërshpërblim për shërbimet kriminale që i bën Edi Ramës, qeverisë së tij, është autorizuar të pastrojë sipas gjuhës së tyre, terrenin nga çdo lloj vështirësie që mund të ketë për të siguruar mandatin”, deklaroi Berisha.
Të njëjtat akuza më të, ka bërë edhe deputeti demokrat Ervin Salianji sipas të cilit Partia Socialiste i fitoi zgjedhjet duke bashkëpunuar me këtë bandë kriminale.
Lidhur me këtë, kreu i grupit të PS, Bledi Çuçi është pyetur për takimin e pretenduar të Bajrave me një zyrtar socialist në Shkodër.
Çuçi ka deklaruar se nuk ka dijeni për akuzat e Berishës, por ka shtuar se nëse zyrtari socialist është takuar me Bajrat, atëherë akti është i dënueshëm.
“Në PS nuk ka mbrojtje askush që shkel ligjin ndryshe nga çfarë ndodh opozita. Qëndrimi jonë ka qenë shumë i qartë dhe do të vijojë të jetë i qartë”, deklaroi ai.
I akuzuar për këtë përfshirje në politikë, Safet Bajri në fakt pranoi se me politikë është angazhuar vetëm një herë në zgjedhjet paralamentare të 2013-ës, atëkohë kur konkurronte Bardh Spahia.
Ai tha se në 2013 ka qenë vëzhgues i përgjithshëm krah Spahisë dhe pas këtij viti është larguar jashtë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.