Gazeta Si – Ish-kryebashkiaku socialist i Fierit, Baftjar Zeqo është paraqitur këtë të hënë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme.
Teksa dilte nga godina e SPAK, Zeqaj nuk pranoi të prononcohej për mediat, por u shpreh vetëm duke thënë: “Nuk ka lajm!”.
Edhe pse nuk dihen zyrtarisht arsyet e kësaj paraqitjeje, dyshohet se ka të bëjë me faktin se emri i tij del në hetimet e SPAK, ku ish-zëvendëskryeministri në arrati tashmë, Arben Ahmetaj, i ka dërguar një mesazh në telefon, duke i kërkuar që të presë Mirel Mërtirin, personazhin kryesor në dosjen e korrupsionit shtetëror me inceneratorët.
Në një deklaratë për mediat në korrik të këtij viti, Zeqaj tha se e kujtonte që Ahmetaj i kishte dërguar një sms për një takim me Mërtirin, por se nuk e mbante mend nëse ishte takuar apo jo me të shpallurin në kërkim nga drejtësia për aferën e inceneratorëve.
I pyetur nga mediat muaj më parë, për përfshirjen e tij në çështjen e inceneratorit te Fierit, Zeqo u shpreh se “Ahmetajn s’e kishte mik, madje s’ka pirë as kafe me të”.
Baftjar Zeqaj ka qenë kryetar i Bashkisë së Fierit për 3 mandate ose 12 vjet, nga viti 2003 deri në vitin 2015.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



