Jete & Stil

Babushka e Bajkalit

Familja e saj ka jetuar gjithnjë në bregun e Bajkalit. Sot, në moshën 79-vjeçare ajo jeton aty, e vetme. Ka ditë kur ulet duke e soditur nga bregu dhe,  liqeni ia mbush zemrën si asgjë tjetër me bukurinë e virgjër. Por në ditë të tjera, në dimrin siberian gjyshja ruse patinon mbi të.

I lidh patinat në çizme dhe rrëshqet mbi akull si të ishte e pa moshë. Në vitin 1943, kur ishte fëmijë,  i ati i bëri patinat me dorë nga një copë sharrë dhe me dru. Të  vegjlit e zonës rrëshqisnin në shtresën e liqenit çdo herë kur ktheheshin pas shkolle. Ishte më e lehtë se të çaje dëborën e trashë.

Në moshën e tretë, ende me patinat jetëgjata të fëmijërisë bëhet edhe më e vështirë për të, ecja mbi dëborë.

Kështu e pret shkurt përmes liqenit, nga njëri skaj në tjetrin, i gjen lopët tek kullotin pranë malit, i thërret dhe ato kthehen pas zërit të saj.

Por edhe kur nuk ka për të kryer punë, “nëse mundem të patinoj, e bëj”, thotë Lyubov Morekhodova.

Lyubov u bë një sensacion rus në internet kur shoku i saj Alexey Vaskov filmoi një video të shkurtër dhe e postoi atë në internet.

Ditë pasi ajo u mësy nga gazetarët që e ftonin të vinte në kanalet televizive federale të Moskës. Ajo lindi këtu, në ulusën e Shara-Togotit në brigjet e liqenit të fuqishëm. Babai i saj Nikolay ishte një pylltar, nëna Fiona kujdesej për shtëpinë dhe shtatë fëmijët.

“Gjithmonë kam përshkuar distanca të gjata me patina’, thotë  ajo. “Fillova të patinoj kur isha shtatë vjeç.Babai im i bëri patinat duke prerë një sharrë metalike dhe duke e futur në copa druri të cilat më pas i lidha me valenki (çizmet tradicionale)”.

Ju nuk do të shihni konkurrentë në Lojërat Olimpike Dimërore që patinojnë kështu, por në të ftohtin Siberian – i cili mund të zhytet në -50C – “kuajt e saj të çelikut” janë të ngrohtë dhe efektivë.

“Nuk më pëlqejnë patinat moderne, ato më tunden rreth kyçit të këmbës dhe këmbët më ftohen. Valenki –t janë gjithmonë të ngrohtë.Unë madje po garoja në këto patina me kolegët e mi punëtorë të fabrikës”.

Ajo punoi për 42 vjet si inxhiniere e teknologjisë në fabrikën Kuibyshev,  në Irkutsk dhe doli në pension  këtu – në shtëpinë e saj të vjetër të familjes – me bashkëshortin. Ai vdiq në vitin 2011  dhe që nga ajo kohë ajo ka jetuar vetëm, duke iu bërë thirrjeve të familjes, për t’u kthyer në qytet.

Ajo u hedh një sy lopëve dhe kur nuk i sheh, vesh patinat dhe shkon në akull për të shkurtuar distancën në një kodër aty pranë.

“Unë ulem vetëm në kuzhinë. Unë ulem dhe sodis”, thotë për Bajkalin. “Kjo më jep lumturi, humor të mirë dhe mendoj se  nëse ndokush ulet pranë meje, do të thotë: “Çfarë bukurie, çfarë bukurie të pabesueshme”.

Ajo zgjohet në orën 5.30 të mëngjesit ndez sobën, ushqen lopët dhe i lë jashtë të kullotin. Lyubov ka katër qen, një mace, dy pula, dy gjela, dy viça, pesë lopë dhe dy dema.

Era është, për fat të mirë,  aq e fortë këtu në Bajkal, saqë zhvesh anët e kodrave, kështu që lopët kanë mundësi të përdorin barin gjatë gjithë vitit.

Pastaj ajo ushqen qentë dhe shqetësohet se nuk mund t’u japë asgjë më të mirë sesa një ‘supë’ me patate, foragjere të përziera dhe ushqim të thatë. Djemtë, nipërit dhe mbesat e saj vijnë aty për verim.

Ajo i ka mësuar të gjithë anëtarët e familjes të kositin bar, të heqin sanë, të presin dru dhe të vendosin rrjeta. Uji i saj i pijshëm vjen nga Bajkal – natyrisht!

Në dimër, me mirënjohje merr ndihmë nga lagjja afër, kur burrat vijnë të hapin një vrimë akulli për të.

Ajo duhet të mbajë ujë në kova, edhe për kafshët dhe çdo ditë ajo zbret dhe i ngjitet  kodrës, me dy kova të mbushura me ujë, deri në dhjetë herë.

Ajo refuzon ofertat për të shkuar në Moskë dhe reagon ndaj famës së saj të papritur në një mënyrë shumë të rezervuar.

“Çfarë  duan këta njerëz nga unë? Unë shoh punën time dhe nuk po prek të tyren. Unë nuk kam fare kohë të lirë dhe ata më ftojnë në Moskë! Unë as nuk shikoj TV, mbase vetëm disa ditë në mbrëmje. Dhe sidoqoftë kujt do t’ia lë kafshët e mia? Dhe çfarë nëse ata më pyesin diçka  dhe të mos di  çfarë të përgjigjem?”

Ajo është shumë e talentuar në qëndisje, i pëlqen makrame, thurja me grep dhe endja me  rruaza.

Disa nga punimet e saj, sa herë që guxonte t’i merrte në Irkutsk, fituan çmime në konkurset lokale. “Unë këtu nuk kam frikë fare, madje as nuk e di se nga çfarë duhet të trembem,” thotë ajo.

“E vetmja gjë e pakëndshme këtu janë turistët e dehur, të cilët ia dalin gjithnjë të thyejnë diçka. “Ata vranë dy qen dhe ma kthyen anijen përmbys.

“Por, e kuptoj se pak  mund të bëj për ta. Në verë, kur ka shumë njerëz,  u them atyre: “Merrni plehrat, pastroni. Mos lini mbeturina, gjithçka përfundon në Bajkal.”

Liqeni Bajkal rri i ngrirë për gjashtë muaj të vitit dhe e moshuara beson se patinazhi mbi të është sekreti i jetëgjatësisë së saj.

“Ne jetojmë një jetë të lumtur këtu, unë dhe kafshët e mia. Në verë shoh të gjithë të afërmit e mi, dhe gjatë dimrave jam shumë e zënë me punë, për t’u mërzitur.”

Në gjuhën ruse emri i saj do të thotë dashuri dhe beson se dashuria është çelësi i të gjithave në jetën e saj. “E dua natyrën, kafshët, gjithçka. Më së pari dua njerëzit”, thotë ajo, ndërsa mbiemri për rastësi apo profeci vetëpërmbushëse do të thotë ai që ecën mbi det.

Liqeni më i thellë i botës është perëndia i saj. Ka më shumë besim në fuqitë e tij sesa në mrekullitë e Krishtit…/ Përshtati Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë