Inteligjenca Artificiale

‘Babai’ i inteligjencës artificiale jep dorëheqje, paralajmëron rreziqet në rritje në këtë fushë

Personi që shihet gjerësisht si “baba” i inteligjencës artificiale, ka lënë punën dhe ka paralajmëruar për rreziqet në rritje nga zhvillimet në këtë fushë.

Geoffrey Hinton, 75 vjeç, ka njoftuar dorëheqjen e tij nga Google përmes një shkrimi për gazetën New York Times, duke thënë se tani i vjen keq për punën e tij.

Duke folur për BBC-në, ai ka thënë se disa nga programet e inteligjencës artificiale janë “mjaft të frikshme”.

“Aktualisht, ato nuk janë më inteligjente se ne – me sa mund të them. Por, mendoj se së shpejti mund të jenë”, ka thënë Hinton.

Ai ka thënë se edhe mosha e tij ka luajtur rol në vendimin për t’u tërhequr nga gjiganti i teknologjisë.

“Jam 75 vjeç, kështu që është koha të tërhiqem”, ka thënë Hinton.

Në shkrimin e tij për gazetën New York Times, Hinton u është referuar “aktorëve të këqij”, të cilët mund të përpiqen ta përdorin inteligjencën artificiale për “gjëra të këqija”.

Kur është pyetur nga BBC-ja për ta elaboruar këtë, ai është përgjigjur: “Ky është thjesht një lloj i skenarit më të keq, një skenar makthi”.

“Mund ta imagjinoni, për shembull, një aktor i keq si [presidenti rus, Vladimir] Putin vendos t’u japë robotëve aftësi për të krijuar qëllimet e tij”, ka thënë Hinton.

Shkencëtari kryesor në Google, Jeff Dean, ka thënë se kompania “mbetet e përkushtuar për një qasje të përgjegjshme ndaj inteligjencës artificiale”.

“Ne po mësojmë vazhdimisht t’i kuptojmë rreziqet në zhvillim”, ka thënë ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë