Art dhe Kulture

Azucena, cigania tragjike e Verdit

Ulërin flaka
Turma e trazuar
Ngarend drejt zjarrit
Me fytyra t’lumtura;
Thirrma gëzimi
Jehojnë përreth;
Rrethuar nga vrasës
Një grua sillet përpara!

Vargjet e aries së famshme “Stride la Vampa”, në aktin e dytë të operas “Il Trovatore”  i bëjnë publiku të kuptojë peshën që kompozitori italian i vuri Azucena-s, ciganes së etur për hakmarrje. Zjarri i ndërmend të ëmën, të djegur në turrën e druve nga Konti i vjetër di Luna. Në shpatet e malit të Biskajës, bubulon zjarri i madh. “Kujtimi i lemerishëm më përndjek”, vajton Azucena e çmendur nga hakmarrje “E bën gjakun tim të rrjedhë i ftohtë”. Pranë i rri Manrico-ja, i mbështjellë me mantelin e tij. Ka helmetën mes këmbëve dhe mes duarve shpatën, mbi të cilën ngul vështrimin.

Por ndërsa rapsodi  Manrico është heroi romantik i veprës, është pikërisht Azucena që e shtyn veprimin përpara. Giuseppe Verdi fillimisht mendoi ta titullonte operan “Cigania”, por mbajti titullin e dramës, në të cilën edhe  u bazua opera  “Il Trovatore” , që në shqip do të përkthehej “Rapsodi”. Ciganët fushojnë ndërsa Azucena i rrëfen Manrico-s se pasi ka rrëmbye foshnjën di Luna, pati qëllim a digjte të voglin bashkë me nënën e saj, por e tronditur nga thirrmat dhe skena e llahtarshme e ekzekutimit të së ëmës, u hutua dhe hodhi në flakë foshnjën e saj.

Ulërin flaka!
Viktima mbërrin
Veshur në të zeza,
Shprishur, këmbëzbathur!
Një britmë e paepur
E vdekjes ngrihet;
Jehona përsërit
Nga kodra në kodër!

Me flokë të shprishura e të thinjura,  Vikena Kamenica ka hyrë në petkat e ciganes. Për mexosopranon, të interpretosh emocionet që Verdi ka vendosur tek Azucena, “është mirë ta kesh jetuar peshën e nënës në kockat e tua, në shpirtin tënd.” Do të qe mëkat të mos përcillej ai lloj emocioni, rrëfen Kamenica, së cilës regjisori italian Mariano Bauduin i ka besuar rolin. Me një skenografi bardhezi, si një enigmë shahu, opera “Il Trovatore” e mblodhi publikun kryeqytetas në sallën e Pallatit të Kongreseve për tri net, ndërsa 11 maji është edhe nata e fundit e shfaqjes, që ngjiti në skenë një kastë të përzier artistësh  shqiptarë, italianë, serbë, ukrainas dhe gjeorgjianë, nën dirigjimin e një tjetër italiani, Sebastiano Rolli.

Vikena Kamenica në rolin e Azucena-s, në operan "Il Trovatore" nga 8 -11 maj në Pallatin e Kongreseve

“Në impostimin e parë të veprës, normalisht që më ka dhënë një gjendje jo të mirë emocionale, sepse ishte nga dimensionet më drithëruese, të qenët nënë edhe të kaluarit dramë të këtij lloj, të kaluarit një dramë me një forcë mbinjerëzore, vetëshkatërruese, normalisht që nuk ka dhënë një lloj qetësie në punë e sipër”, do të shprehej Kamenica, e cila e sheh interpretimin e Azucena-s, si një piskamë të shpirtit.  Për t’ia dalë, do të shtonte mexosopranoja,  duhet të bësh arkitekten e muzikës me interpretimin.

Në rolin e Ferrandos, bassi Bledar Domi

Historia nis të rrëfehet që në aktin e parë, megjithëse  në katër aktet ka elementë befasues që e mbajnë publikun të ngërthyer mes emocionesh. Ferrandoja, kapiteni i rojeve, u jep urdhër të tijve të vazhdojnë vëzhgimin ndërsa Konti di Luna bredh pareshtuar nën dritaret e Leonorës, e cila interpretohet nga sopranoja Eva Golemi e që me “Il Trovatore”-n plotëson trekëndëshin tragjik verdian, së bashku me “Rigoletto” dhe “Traviata”. Di Luna e dashuron Leonorën dhe është xheloz për rivalin e tij të suksesshëm, rapsodin e panjohur. Që t’i mbajë rojat zgjuar, Ferrandoja rrëfen historinë e kontit, ndërsa këndon “Me dy bij jetonte ati i bekuar”...

Tenori Dario Di Vietra dhe mexosopranoja Vikena Kamenica

Shumë vite më parë, një cigane u akuzua padrejtësisht se i kish bërë magji më të voglit të fëmijëve të di Lunës.  Fëmija u sëmur dhe për këtë cigania ish djegur e gjallë si një shtrigë, duke e shpërfillur  pretendimin e saj për pafajësi. Ndërsa vdiste, ajo i la amanet së bijës Azucena-s, të hakmerrej për të. Azucena e bëri duke rrëmbyer foshnjën. Megjithëse eshtrat e djegura të një fëmije u gjetën në hirin e një zjarri, babai refuzoi të besonte se i biri kishte vdekur. Ndërsa vdiste, babai i la amanet të parëlindurit, të riut Kont Di Luna të kërkonte Azucena-n.

“Notat e Verdit janë vendosur në formën më të jashtëzakonshme, më të bukur edhe më emocionues”, ka rrëfyer Kamenica, ndërsa në karrierën e saj ky është një rol edhe më i thellë edhe me më shumë peshë që i shtohet repertorit të saj. “Nuk bën lajm partiturë muzikore, por emocionet që arrin të përcjellësh në këtë vepër”.

Bazuar në dramën “El Trovador” të vitit 1836, shkruar nga Garcia Gutierrez dhe me libret nga Salvadore Cammarano, opera  e pati premierën në Teatrin “Apollo” të Romës  më 1853-shin. Nuk ishte sukses i menjëhershëm kritik, por subjekti jo tradicional dhe i veçantë,  e bëri tejet popullor për audiencat kontemporane.

Nga e majta, baritoni Gocha Abudlaze, sopranoja Eva Golemi dhe tenori Dario di Vietra

Regjisori italian që e solli në Tiranë operan,  ka rrëfyer konceptin e tij pëër të ndërtuar një spektakël abstrakt. “Edhe pse ky abstragim ndjek logjikisht rrëfimin, ngjarjen e një opere që ekstremist e rafinuar në aspektin dramatik dhe muzikor. Dhe për këtë i jam referuar disa traditave në disa rajone të Italisë, një lloj vallëzimi me vdekjen që rrëfen rrjedhën e jetës dhe fatit”, ka zbuluar Bauduin.

Tragjedia i ofroi Verdit kthesa  dramatike  dhe personazhe të fortë, që i pasuroi me arie të fuqishme dhe skena korale. Sesi dhe se kur Verdi e siguroi një kopje të dramës së Gutierrezit nuk është e sigurt, por mendohet se Giuseppina Strepponi, me të cilën Verdi bashkëjetonte në Busseto që prej shtatorit të vitit 1849, kishte përkthyer dramën, ndërsa dëshmohet në një letër që ajo i shkroi kompozitorit, dy javë para premierës duke e nxitur “Nxito dhe na jep Trovatoren tonë!”

Vikena Kamenica si Azucena dhe Dario di Vietra si Manrico

Për ta përshtatur dramën, Verdi iu drejtua Cammaranos “poeti i lindur operistik”.  Në letrën e parë drejtuar Cammaranos, Verdi propozoi që Trovatore të kishte si subjekt dy role femërorë. E para, cigania, një grua me një karakter të pazakontë, pas së cilës deshi edhe ta titullonte operan. Sfondi historik është lufta civile e Spanjës ndërsa filli i operas është trekëndëshi i dashurisë. Konti, i interpretuar natën e parë nga baritoni Gocha Abudlaze, i vardiset Leonorës, aristokrates e cila dashuron Manricon, udhëheqësin rebel.

Eva Golemi në rolin e Leonorës dhe Dario di Vietra, Manricoja

Konti e sfidon Manrico-n në duel, por Manrico nuk mundet ta vrasë kontit pavarësisht se është në avantazh. Pastaj në një kthesë të befasishme të subjektit, zbulohet se Azucena është e ëma e Manrico-s. Ose të paktën ashtu mendon ai, ndërsa  zbulohet se është vëllai i vogël i kontit, që pandehej i vdekur. Manrico-ja interpretuar nga tenori  Dario di Vietra, kupton se nuk është i biri i Azucenas, por e do atë si të ishte vërtet e ëma, pasi ajo kishte qenë e dashur dhe besnike me të, duke i shpëtuar jetën së fundi, ku pas një pusie e lanë në fushëbetejë për të vdekur. Duke menduar se i dashuri i saj Manrico, kishte vdekur, Leonora hyn në Manastir, por ndërsa ajo dhe murgeshat janë në procesion Manricoja shfaqet duke e marrë me vete dhe për një herë të dytë e lë të pa lënduar kontin.

Azucena, cigania që hakmerret për djegien e së ëmës me një kosto të rëndë shpirtërore.

Burgosja e Azucena-s bëhet arma e kontit di Luna për ta mposhtur rivalin e tij në luftë e ën dashuri.  Në aktin e fundit, “Ndëshkimi” tragjedia shpaloset me të gjithë fuqinë.  Për të shpëtuar të dashurin, Leonora premton të martohet me kontin, por për të mos e tradhtuar Manrico-n, e ëmbla Leonorë zgjedh të helmohet. Ndërsa dëgjon fjalët e dashurisë së tij të pamundur, vendos ta ekzekutojë Manrico-n dhe ciganen, mendja e së cilës bredh maleve në ditët e lumtura, tek  këndon “Maleve do të kthehemi”.

 “Mbaroi”, thërret Di Luna, kur ekzekutuesi ka vrarë Manrico-n.

“Viktima ishte vëllai yt”, vikat cigania shtrigë. “Haku yt u mor, o nënë!”

“Dhe unë jetoj ende”, thotë konti. 

“Njerëzit thonë se opera është shumë e trishtë dhe se ka shumë vdekje, Por jeta, në fund të fundit,  sillet  e gjitha rreth vdekjes”, do të shprehej dikur  Giuseppe Verdi, ndërsa vargjet e aries së famshme  “Stride la Vampa” , që në shqip do të përkthehej “Ulërin flaka”, jehojnë ende dhe kanë fuqinë të mbërthejnë publikun e shekullit  XXI...

E liga shndrit
Mbi fytyrat e tmerrshme
Pranë flakës së vrerët
Që ngrihet drejt qiellit!


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë