Njerez

Azilkërkuesve shqiptarëve u ofrohen deri në 3 mijë £ për t’u larguar nga Britania

Gazeta Si – Rreth 700 familjeve shqiptare që përmendi Sekretarja e Punëve të Brendshme, Shabana Mahmood, se do të deportohen nga Britania, pasi u ka mbaruar e drejta e qëndrimit, mund t’u ofrohen më shumë se 3 mijë paund për t’u larguar vullnetarisht nga ishulli.

Kjo pasi Shqipëria ka nënshkruar në vitin 2022 marrëveshjen e riatdhesimit të shqiptarëve mes kryeministrit Rama dhe ish-kryeministrit britanik, Rishi Sunak.

Ky program është pjesë e Shërbimit për Kthime Vullnetare dhe synon të ndihmojë në menaxhimin e emigracionit të parregullt.

Sipas “The Telegraph”, nga kjo mbështetje përfitojnë ata me kërkesa azili të refuzuara apo viktimat e trafikimit të qenieve njerëzore, të konfirmuara nga Home Office si dhe familjet (që besohet se janë 700) të cilave nuk u lejohet qëndrimi për gjatë në Britaninë e Madhe.

Me këto para, qeveria britanike thotë se ata do të mund të sigurojnë një vend për të jetuar deri në 10 netë në Shqipëri, para për shpenzime të menjëhershme, të kërkojnë një punë apo të nisin një biznes të vogël.

Pagesa jepet zakonisht në formën e një karte të përdorshme vetëm në Shqipëri, pas largimit nga Britania e Madhe.

Sipas raporteve të fundit, mbi 1 mijë emigrantë shqiptarë kanë përfituar tashmë nga ky program, në kuadër të bashkëpunimit midis qeverive. Qëllimi i skemës është të ofrojë mbështetje për “t’u riintegruar” në vendin e origjinës, jo të penalizojë dhe nuk lidhet me proceset e vizave apo aktivitete kriminale.

Sipas analizave të regjistrave zyrtarë, zgjerimi i madh i programit, që do të zgjasë nga prilli 2026 deri në mars 2028, mund t’i kushtojë tatimpaguesve deri në 20 milion paund.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë