Njerez

Azilkërkuesja shqiptare në Britani: Dua të qëndroj por jam vetëm dhe pa shpresë

Një azilkërkuese shqiptare e cila është strehuar në një hotel në Devon me dy fëmijët e saj ka treguar për kushtet e mjerueshme që po jeton, duke përmendur se fëmijët e saj nuk po hanë për shkak të ushqimit që është “i pangrënshëm”.

45-vjeçarja shqiptare e quajtur Hyre mbërriti në Britaninë e Madhe në shtator 2022 me dy fëmijët e saj dhe dy muajt e fundit ata janë vendosur në një hotel që në zonën e Devonit Lindor.

Ajo ka treguar për median lokale ‘Devon Live’ se fëmijët e saj, 16 dhe 14 vjeç, “nuk hanë asgjë nga ushqimi që japin në hotel”.

Në fotot e siguruara, duket një vakt me oriz, kofshë pule, banane dhe hurma.

“Fëmijët e mi nuk hanë asgjë nga ushqimi që na japin. Ato më kërkojnë të gatuaj për to por nuk kam kuzhinë. Ndjehem shumë keq kur shikoj fëmijët e mi pa ngrënë”, thotë 45-vjeçarja.

Zyra e Brendshme thotë se azilkërkuesve në hotele u ofrohen tre vakte në ditë që plotësojnë standardet e Shërbimit Kombëtar të Shëndetit, si dhe ushqime të lehta dhe ujë. Sipas faqes së internetit të NHS, këto standarde përfshijnë pesë fruta dhe perime në ditë, karbohidrate, proteina dhe të paktën dy porcione peshku çdo javë.

Zyra e Brendshme thotë gjithashtu se ushqimi “i përgjigjet të gjitha kërkesave të dietave” dhe se raportohet për shpërndarjen e ushqimeve çdo ditë. Ata shtojnë se ka anketa javore për azilkërkuesit për të llogaritur preferencat e tyre të ushqimit.

‘Devon Live’ shkruan se nuk është hera e parë që azilkërkuesit në hotelet e Devon kanë ngritur shqetësime për ushqimin pasi ata që qëndronin në hotele të tjera kanë pohuar se jetojnë me “një grusht oriz, tre vaktet e ditës”.

Sipas Hyres, hoteli ku ajo po qëndron nuk lejon hapjen e dritareve. Ndërsa kjo është tipike për shumë hotele për arsye sigurie, Hyre thotë se mos hapja e dritareve po e bën dhomën një mjedis “të mbyllur” për të dhe vajzën e saj që nuk janë mirë. DevonLive kontaktoi hotelin të cilët nuk dhanë asnjë koment për arsye konfidencialiteti.

“Unë dhe vajza ime jemi të sëmura dhe këtu jemi në një ambient shumë të mbyllur sepse dritaret nuk hapen”, thotë 45-vjeçarja shqiptare.

Hyre thotë se nuk di ende anglisht, por do të donte të qëndronte në Britani. Sipas Zyrës së Brendshme, azilkërkuesit që qëndrojnë në hotele me ushqim marrin 9,10 paund në javë për anëtar të familjes, por Hyre thotë se nuk mund të përballojë që me aq para të blejë ushqime, rroba dhe këpucë për fëmijët e saj.

“Ne duam të qëndrojmë por gjithçka është shumë larg nga hoteli ku jemi ne. Do të doja të kisha një vend për të qëndruar, që të jetë edhe afër fshatit dhe shkollave. Këtu nuk mund të rrimë. Jam vetëm, nuk ka kush të më ndihmojë”, thotë shqiptarja.

Një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme tha se pavarësisht se numri i njerëzve që mbërrijnë në Britani ka arritur nivele rekord, “ne vazhdojmë të ofrojmë mbështetje për azilkërkuesit. U japim ushqim dhe ujë dhe një pagesë javore.

“Ushqimi i ofruar në hotelet e azilit plotëson standardet e NHS dhe i përgjigjet të gjitha kërkesave për dietat. Aty ku ngrihen shqetësime ne punojmë me punonjësit që kërkesat e tyre të marrin përgjigje”, thotë zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë