Komunitet

Azilantë për herë të parë, rriten me mbi 40 për qind kërkesat e shqiptarëve në BE

Numri i shqiptarëve që kërkuan azil për herë të parë në hapësirën e Bashkimit Europian u rrit me mbi 40 për qind në vitin 2021 në krahasim me 2020.

Sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat, 8 mijë e 800 shqiptarë kërkuan azil për herë të parë në një nga vendet anëtare të Bashkimit Europian përgjatë vitit të kaluar, nga rreth 5 mijë kërkesa që u regjistruan në vitin 2020.

Vendi i preferuar i kërkesave për azil nga shtetasit shqiptarë mbetet Gjermania, ndjekur nga Franca ndërsa shtim të kërkesave janë vënë re edhe në vendet skandinave.

Shifrat e rendisin Shqipërinë ndër vendet e para në botë për kërkesat për azil në Bashkimin Europian në raport me popullsinë totale të vendit, ndërkohë që në krye të tabelës sa i takon sasisë së kërkesave mbetet Siria, Afganistani, Iraku, Pakistani dhe Turqia.

Përgjatë 2021, Eurostat raporton një rritje të lehtë të kërkesave për azil nga ana e ukrainasve, ku vendet kryesore të aplikimeve të tyre janë Polonia dhe Çekia.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë