Bota

Axios: Bisedime për një armëpushim 45-ditor, Irani: S’ka rrugë të shkurtër!

Nga Gazeta ‘Si’- SHBA-të, Irani dhe një grup ndërmjetësish rajonalë po diskutojnë kushtet e një armëpushimi të mundshëm 45-ditor që mund të çojë në një përfundim të luftës, raportoi Axios.

Në një reagim pas lajmit, agjencia iraniane Tasnim, e lidhur me Pasdaranët, tha se Axios është “mjeti i komunikimit i Mossad-it për operacione psikologjike.”

Sipas tyre, Trump po përpiqet t’i shmanget vendosmërisë së Iranit që ka përsëritur vazhdimisht se nuk pranon armëpushime të përkohshme pa një marrëveshje për përfundimin e konfliktit.

“Armiqtë amerikano-sionistë, të cilët janë nën presionin e luftës dhe të hutuar, synojnë të shfrytëzojnë mundësinë e armëpushimit për të dalë nga kriza e municioneve dhe nga situata e vështirë strategjike”.

Ndërmjetësit po diskutojnë me palët kushtet e një marrëveshjeje në dy faza: faza e parë do të parashikonte një armëpushim të mundshëm 45-ditor, gjatë të cilit do të negociohej përfundimi i luftës.

Armëpushimi mund të zgjatet nëse do të nevojitej më shumë kohë për bisedimet, ka thënë një prej burimeve. Faza e dytë do të konsistonte në një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës.

Burimet thonë se gjasat për të arritur një marrëveshje të pjesshme në 48 orët e ardhshme janë të vogla. Megjithatë, kjo përpjekje e fundit është e vetmja mundësi për të shmangur një përshkallëzim dramatik të konfliktit.

Negociatat po zhvillohen përmes ndërmjetësve pakistanezë, egjiptianë dhe turq, si dhe përmes mesazheve të shkëmbyera mes të dërguarit të Donald Trump, Steve Witkoff, dhe ministrit të Jashtëm iranian, Abbas Araghchi.

Një zyrtar amerikan ka deklaruar se administrata e Trump i ka paraqitur Iranit disa propozime ditët e fundit, por deri tani zyrtarët iranianë nuk i kanë pranuar. Burimet shtojnë se ndërmjetësit besojnë se rihapja e plotë e Ngushticës së Hormuzit dhe një zgjidhje për uraniumin e pasuruar, qoftë përmes largimit të tij nga vendi ose përmes hollimit, mund të çojnë drejt një marrëveshjeje.

Zyrtarët iranianë ua kanë bërë të qartë ndërmjetësve se nuk duan të gjenden në një situatë të ngjashme me atë të Gazës apo Libanit, ku ekziston një armëpushim në letër, por SHBA-të dhe Izraeli mund të sulmojnë sërish kur të dëshirojnë.

Ndërkohë një këshilltar i lartë i Udhëheqësit Suprem të Iranit ka lëshuar një paralajmërim të ashpër mbi rrugët globale të energjisë, duke sugjeruar se pikat kryesore strategjike detare përtej Ngushticës së Hormuzit mund të bëhen objektiv nëse Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli do të përshkallëzojnë më tej tensionet.

Ali Akbar Velayati, këshilltar i Ali Khamenei, ka deklaruar se një hap i gabuar nga njëri prej dy vendeve mund të trondisë rëndë rrjedhat globale të energjisë dhe tregtinë ndërkombëtare. Sipas televizionit shtetëror iranian Press TV, Velayati ka thënë se “komanda e bashkuar e rezistencës” e konsideron Ngushticën e Bab el-Mandeb “po aq strategjike sa Ngushtica e Hormuzit”.

Velayati shtoi se, megjithëse Shtetet e Bashkuara kanë nxjerrë disa mësime nga historia e Iranit, “ato ende duhet të kuptojnë gjeografinë e pushtetit”.

Ngushtica e Bab el-Mandeb, pranë brigjeve të Jemenit përbën një pikë kyçe për trafikun detar drejt Kanalit të Suezit.

Huthët e Jemenit, aleatë të Teheranit, kanë paralajmëruar më parë se janë të gatshëm të godasin ngushticën në shenjë solidariteti me Iranin.

Sulmet amerikano-izraelite në Teheran ka shkaktuar 17 të vdekur, ndërsa raportohet për 6 fëmijë të vrarë, nën moshën 10 vjeç.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë