Drejtësia

Avokati Sokol Mëngjesi kërkon t’i hiqen akuzat porositësit të dyshuar të dhunës ndaj tij, por gjykata e refuzon

Gazeta Si - Avokati Sokol Mëngjesi, i cili u dhunua barbarsisht 29 maj të këtij viti në Tiranë, ka normalizuar marrëdhëniet me Dritan Nanon, të dyshuarin si porositësin e dhunës ndaj tij.

Fakti është mësuar në seancën e sotme gjyqësore, ku Nano kërkonte lehtësim të masës “arrest në burg”.

Para gjykatës është paraqitur një deklaratë noteriale e avokatit Mëngjesi, i cili ka pohuar se ka normalizuar marrëdhëniet me Dritan Nanon.

Deklarata e paraqitur si provë nga mbrojtësit e Nanos nuk u bë shkak për ndryshim të masës nga gjykata, e cila refuzoi kërkesën për liri të tij.

Dritan Nano ndodhet në burg me akuzat se është personi që ka organizuar dhëndrin dhe shokët e tij për të sulmuar avokatin Mëngjesi.

Sipas hetimeve, Sokol Mëngjesi kishte fituar procesin gjyqësor që klient-dhunuesit e tij kishin për një çështje prone, por këta të fundit nuk i janë përgjigjur kontratës së mbajtur.

Për këtë ngjarje, në kërkim vijon të jetë Drivald Alia, Elidon Kusaj dhe Romario Tabaku, për të cilët policia ka ofruar një shumë prej 20 mijë euro për këdo që ka informacione.

Ndaj tyre, rëndon akuza e plagosjes së rëndë më dashje dhe kundërshtim dhe goditje ndaj gjyqtarit. Pas dhunimit, Sokol Mëngjesi qëndroi në gjendje të rëndë disa ditë në Tiranë te Trauma dhe më pas shkoi për kurim të specializuar në Greqi, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë