Drejtësia

Avokati kërkon më shumë kohë, shtyhet seanca në Apel për ish-kryeprokurorin Llalla

Këtë të hënë, është shtyrë seanca gjyqësore për ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla, për shkak se avokati mbrojtës ka kërkuar më shumë kohë për t’u përgatitur.

Ndërkohë, trupi gjykues pas miratimit të dorëheqjeve të gjyqtarëve Saida Dollani dhe Dhimitër Lara, tashmë përbëhet nga gjyqtarët Nertina Kosova, Miliana Muça dhe Enton Dhimitri.

Dorëheqja e dy gjyqtarëve, ka të bëjë me faktin se ata kanë dhënë vendim për sekuestrot e pasurive të ish- kryeprokurorit Llalla dhe procedura i ndalon që të japin sërish një vendim ndaj tij. Seanca e radhës do të mbahet më 16 korrik.

Ish-kryeprokurori u dënua më 20 maj nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe krimit të Organizuar, e cila e dënoi atë me 2 vite.

Gjykata po ashtu vendosi t’i konfiskohen pasuritë dhe të mos ushtrojë asnjë funksion publik për 5 vite. Gjatë mbrojtjes, Llalla e cilësoi këtë proces të manipuluar, ndërsa më herët ai u shpall non-grata nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Llalla u mor i pandehur nga SPAK pas një hetimi të nisur prej vitit 2018 nga Prokuroria e Durrësit e më pas ish-prokuroria e Krimeve të Rënda.

Ai u shpall fajtor nga GJKKO lidhur me 3 episode, fshehjen e shpenzimeve për familjarët e tij në Gjermani në vlerën e 7050 eurove, fshehjen e shpenzimeve për lindjen e djalit në Amerikë në vlerën e 7700 dollarëve, si dhe shpenzimet për ndërtimin e katit të 3 të banesës së tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë