Menaxhim

Avokati i Popullit nuk ka IT, Ballanca: Kemi probleme me mirëmbajtjen e sistemit

Nga Gazeta Si- Mungesa e punonjësve të IT është një nga problematikat që Avokati i Popullit, Erinda Ballanca ka shprehur tek Komisioni për të drejtat e njeriut gjatë seancës dëgjimore për shqyrtimin e buxhetit.

Ballanca tha se institucioni ka probleme thelbësore për të mbajtur sistemin dhe stafin.

“Nuk kemi punonjës IT se nuk na vjen njeri pasi paga është shumë e ulët. Jemi të ekspozuar ndaj problematikave që lidhen me këtë lloj çështje”, tha ajo.

Ballanca shtoi se për shkak të mandatit të gjerë, tematikat, çështjet dhe problematikat janë të shumëllojshme dhe në mënyrë të vazhdueshme ka pasur kufizime shumë të mëdha personeli për të realizuar funksionet që kanë si institucion.

“Kemi kërkuar në mënyrë të vazhdueshme rritje të buxhetit duke qenë se këtë vit kemi dhe procesin e riakreditimit por tavanet buxhetore kanë qenë të kufizuara”, tha Ballanca, duke shtuar se vetëm pas një negocimi me ministrin e financave Petrit Malaj, është pranuar kërkesa e tyre për të pasur 3 persona shtesë në personel, kërkesë që bëhej prej vitesh nga Avokati i Popullit.

Ballanca tha se pas Malit të Zi, “jemi institucioni më i vogël në Ballkan”.

Kufizimi i stafit, sipas saj, lidhet me numrin e personave që mund të marri jashtë shërbimit civil.

“Na duhen më shumë mjekë, psikologë, punonjës social për shkak të punës me grupe vulnerabël. Nuk ka mjekë që të jenë pjesë e shërbimit civil dhe përqindja e stafit që mund të marrim është shumë e ulët”, tha Ballanca.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë