Një ditë pas prezantimit të hartës së re gjyqësore, kundërshtitë e para kanë mbërritur nga Dhoma Vendore e Avokatëve të Korçës, e cila thotë se një reduktim i tillë gjykatash fut sistemin në kolaps.
Arben Lena, kryetar i DHVA Korçë, thotë projekti cenon një nga parimet bazë të zhvillimit të procesit të rregullt ligjor, siç është gjykimi brenda një afati kohor të arsyeshëm, i cili do të vështirësojë aksesin pranë sistemit gjyqësor të banorëve të këtyre zonave.
Drafti parashikon që kjo skemë të afrojë sa më shumë qytetarët me institucionet e drejtësisë, por Lena thekson se ajo nuk i shërben askujt, as marrjes së drejtësisë nga populli.
“Është një problem që ne e kemi ngritur që në fillimin e hedhjes se idesë së reduktimit të gjykatave dhe aktualisht jemi para një drafti të miratuar nga KLGJ dhe Ministria e Drejtësisë, në të cilin synohet një reduktim drastik i gjykatave, ku gjykatat e shkallës së parë, kalojnë në 12, kemi vetëm 1 Gjykatë Apeli, 2 Gjykata Administrative të Shkallës së Parë dhe një Gjykatë Apeli Administrative”.
Një problem më vete, që mund të ndodhë në të ardhmen, është edhe mbingarkesa e dosjeve për gjyqtarët.
Lena deklaroi se me riformatimin e ri, një gjyqtar rrezikon të ketë 3 mijë dosje gjyqësore në vit për të shqyrtuar.
“Dje, vetë kryetarja e KLGJ solli si shembull Gjykatën Administrative të Apelit, në të cilën një gjyqtar ka 3.000 dosje. Me një llogari të thjeshtë, ditë pune efektive janë 220. Në rastin më të mirë që një gjyqtar të lexojë një dosje, të arsyetojë vendimin dhe të japë një vendim të drejtë, i duhet minimumi 1 ditë. Atëherë brenda një viti, një gjyqtar, duke mos i mbajtur dosje të tjera, përfundon 220 dosje. Ndërsa 3.000 dosje, një Gjyqtari të Apelit, i duhen 15 vite që t’i përfundojë. Aksesi i qytetarëve në drejtësi është pothuajse i pamundur dhe jo efektiv dhe kjo skemë po i zhyt akoma më keq në një jo efektivitet të plotë, – tha kreu i DHVA në Korçë.
Sipas tij, për këtë çështje ka solidaritet dhe nga kolegët në Tiranë e rrethe, teksa shton se në janar mund të ketë dhe aksione konkrete prej tyre deri në bojkot.
Harta e re gjyqësore e propozuar nga KLGJ dhe Ministria e Drejtësisë, shkrin gjykatat dhe Prokuroritë e Shkallës së Parë në disa qytete, si Tropojë, Pukë, Mat, Lushnje, Përmet, Pogradec, Kavajë, Krujë dhe Kurbin.
Banorët e këtyre 9 rretheve do ti marrin shërbimet e gjykatave të shkallës së parë në rrethet më të afërta, Tropoja në Kukës, Lushnja në Fier, Puka në Shkodër, Pogradeci në Korçë, Kavaja e Kruja në Durrës, Mati në Dibër dhe Kurbini në Lezhë.
Me këtë parashikim, harta e re rrezikon të rritë distancën gjeografike mes qytetarëve dhe godinave të gjykatave të shkallës së parë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




