Rend dhe Ligj

Autorizim për të lëvizur, Policia: Aplikoni online te Covid-19

Policia e Shtetit vjen me një njoftim të rëndësishëm për të gjithë ata që duan të sigurojnë një autorizim për të lëvizur, në një kohë kur orari është i kufizuar për shkak të COVID-19.

Policia lajmëron se është një aplikacion i ri me emërtimin “Covid-19″, që ju jep mundësinë të aplikoni online për të mundësuar nxjerrjen e një autorizimi për qarkullimin e mjetit tuaj, në këtë periudhë ndalimqarkullimi prej pandemisë Covid-19.

“Policia e Shtetit, në faqen zyrtare të sAJ (www.asp.gov.al), ka publikuar një aplikacion të ri me emërtimin “Covid-19″ – Lëvizja e kontrolluar me mjet!”

Të gjitha vetëdeklarimet, kërkesat për autorizime personale apo autorizime biznesi do të kryhen nga faqja zyrtare e Policisë së Shtetit, nëpërmjet këtij aplikacioni.

Për pajisjen me autorizim të ri, qytetarët duhet të plotësojnë njërin nga “deklarimet” e vëna në dispozicion: Vetëdeklarim, Autorizim Personal ose Autorizim Biznesi, duke klikuar në linkun e mëposhtëm: http://autorizime.asp.gov.al”, sqaron policia.

Po ashtu, policia thotë se gjatë aplikimit është e rëndësishme vendosja e saktë e të dhënave që i kërkohen aplikuesit, motivi i qarkullimit dhe itineraret e kërkuara.

Më tej, në përfundim të aplikimit shfaqet një numër aplikimi, i cili i jep mundësinë qytetarëve të ndjekin fazat e konfirmimit të kërkesës së tyre online, duke rritur kështu në maksimum transparencën e komunikimit të Policisë me qytetarët.

Policia e Shtetit ka marrë masa për të përballuar shqyrtimin e të gjitha kërkesave të qytetarëve dhe bën me dije se çdo aplikim që plotëson kriteret sipas kërkesave të formularëve dhe miratohet nga ana e Policisë Rrugore do të jetë e verifikueshme nga patrullat e Policisë gjatë kontrolleve të ndryshme, në të gjithë territorin e vendit.

Ndër të tjera, policia thotë “se të gjitha autorizimet e lëshuara më parë nga Policia dhe ato të konfirmuara nëpërmjet email-it nga ana e Policisë janë të vlefshme dhe nuk është e nevojshme të aplikohet përsëri”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë