Autoriteti i Konkurrencës ka nisur një hetim paraprak në tregun e prokurorimit publik me objekt blerjen e ushqimeve në vitin 2021 (Loti I, Loti IV dhe Loti V), zhvilluar nga Drejtoria e Përgjithshme e Çerdheve dhe Kopshteve e Bashkisë së Tiranës.
Kjo drejtori ka konstuatuar një shkelje të konkurrencës në procedurën e tenderimit nga dy prej kompanive që kanë konkurruar për lotet e mësipërme.
Nga vlerësimi i informacionit që ka paraqitur drejtoria, Bashkia e Tiranës si dhe Komisioni i Prokurimit Publik vihet re se operatori Eagle Cons SHPK me operatorin ekonomik M.C.Catering SHPK, ofertues në të njëjtin lot, kanë të njëjtën zyrë qendrore me adresë të përbashkët.
Në deklaratat e të dy operatorëve rezulton se, personat në cilësinë e administratorit dhe ortakut të vetëm të operatorëve respektivë janë motër e vëlla.
Ofertat e paraqitura prej dy ofertuesve kanë një diferencë të vogël ndërmjet tyre dhe të dy operatorët ekonomikë, ofertues në të njëjtin lot, kanë autorizuar të njëjtin person për të kryer kampionimin e mostrave pranë Institutit të Studimeve Veterinare.
Nga verifikimi i montsrave që janë paraqitur nga këta ofertues rezulton se nga 22 artikuj të këtij loti, për 16 artikuj janë paraqitur mostra të njëjta nga të dy operatorët ekonomikë.
16 mostrat e paraqitura nga të dy operatorët ekonomik kanë të njëjtin emërtim, prodhues dhe të njëjtën datë skadence. Në sistemin elektronik të prokurimit rezulton se për artikullin “Rigon i tharë”, dokumentacioni që lidhet me raportin e provës për këtë artikull, i paraqitur nga operatori ofertues M.C.Catering SHPK, të jetë në emrin e operatorit Eagle Cons SHPK.
Duke u mbështetur në këto fakte, AK ka vlerësuar se ekzistojnë dyshime se ndërmarrjet M.C.Catering dhe Eagle Cons po përdorin skemën e ofertës së mbuluar duke rënë dakord se cili prej tyre do të paraqesë ofertën më të lartë dhe cili ofertën fituese në procedurën e prokurimit ku ata do të jenë pjesëmarrës.
Kjo sjellje mund të përbëjë një marrëveshjeje të dyshimtë në oferta midis operatorëve ekonomik pjesëmarrës në procedurën e prokurimit të ushqimeve të zhvilluara nga Autoriteti Kontraktor, Drejtoria e Përgjithshme e Çerdheve dhe Kopshteve, Bashkia Tiranë.
Sipas nenit 4 të ligjit “Për mbrojtjen e Konkurrencës”, një sjellje e tillë përcaktohet si marrëveshje e ndaluar dhe mund të ndëshkohet me gjobë deri në 10% të xhiros vjetore të subjekteve pjesëmarrëse në to.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.