Menaxhim

Autoriteti i Konkurrencës hap hetim për ‘Shpresa-AL’ pasi rriti çmimet e biletës në urbanet e Kamzës dhe Paskuqanit

Nga Gazeta ‘SI’-  Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur të hapë një hetim paraprak ndaj ndërmarrjes SHPRESA – AL SHPK, për shkak të shqetësimeve mbi rritjen e çmimeve të biletave dhe aboneve në transportin urban të Bashkisë Kamëz.

Ky vendim vjen pas ankesave të depozituara pranë Autoritetit dhe pas shqetësimeve të shprehura në media nga qytetarë dhe përdorues të transportit. Hetimi do të analizojë kushtet e konkurrencës së lirë dhe efektive, veçanërisht për linjat: Kamëz – Tiranë – Kamëz dhe Paskuqan – Babrru – Tiranë.

Sipas dokumentacionit zyrtar, SHPRESA – AL SHPK është operatori i vetëm i licencuar në këto linja, duke zotëruar një pozitë dominuese në treg, në përputhje me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës.

Nga vlerësimi paraprak i Autoritetit, rezulton se nuk ka prova të mjaftueshme ekonomike apo financiare që justifikojnë rritjen e çmimeve mbi baza objektive. Hetimi do të përfshijë periudhën 1 janar – 12 dhjetor 2025, për të vlerësuar nëse veprimet e ndërmarrjes mund të përbëjnë kufizim, shtrembërim ose pengim të konkurrencës, sipas Ligjit nr. 9121/2003.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë