Autoriteti i Konkurrencës ka njoftuar se do të monitorojë për 1 vit aeroportin “Nënë Tereza” lidhur me transaksionin 71 milionë euro nga Kastrati Group, që bleu vitin e shkuar aksionet e plota të koncesionit të TIA-s. Momentalisht TIA është monopol, i vetmi aeroport në vend, deri sa të bëhet funksional aeroporti i Kukësit, që sipas Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë do të hapet rreth qershorit 2021.
AK-ja mori përsipër gjithashtu të monitorojë tri tregje të reja si sektori i ekonomisë digjitale; tregu i mediave audiovizive; tregu i shërbimeve portuale.
Autoriteti ka publikuar raportin ku listohen tregjet të cilat do t’i monitorojë përgjatë vitit 2021. Aty përfshihet tregu i telekomunikacioneve; tregu i energjisë; tregu i hidrokarbureve; tregu financiar; tregu i sigurimeve; tregu farmaceutik (barna dhe pajisje mjekësore); tregu i produkteve paramjekësore (maska, alkool, xhel disinfektant, termometër); tregu spitalor; tregu i prokurimeve publike.
Synimi dhe roli i AK-së është monitorimi dhe ndalimi i veprimtarive me tendencë monopolistike apo që dëmtojnë konkurrencën.
Në vitin 2020, gjatë pandemisë AK-ja raporton se është konstatuar rritje e pajustifikuar e çmimeve për produktet maska, alkool, xhel-dezinfektues dhe termometra. Mbi ndërmarrjet ku është konstatuar kjo rritje çmimesh u vendosën gjoba dhe masa të detyrueshme zbatimi.
Një tjetër kërcënim i konkurrencës dhe abuzim i postit dominues u gjet në kompanitë e tregut të importit të grurit dhe miellit nga kompanitë AgroBlend SHPK, Miell Tirana SHA, Bloja SHA, Atlas SHA dhe Atlas Mills SHPK të cilat u përballën me detyrimet e vendosura nga AK-ja:
1.Të mos caktojnë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, çmimet e blerjes ose të shitjes, apo çdo kusht tjetër tregtimi.
2.Të mos kufizojnë ose kontrollojnë prodhimin, tregjet, zhvillimin teknik ose investimet.
3.Të mos ndajnë tregjet ose burimet e furnizimit.
4.Gjatë periudhës së monitorimit të raportojnë çdo 3 (tre) muaj pranë AK-së të dhëna mbi blerjet dhe shitjet në përmbushje të detyrimeve të dhëna sipas kësaj pike.
Një tjetër rast gjatë vitit 2020, ishte shfrytëzimi i postit dominues të kreut të Federatës Shqiptare të Futbollit lidhur me financat e strukturës dhe shkelje të tjera.
AK-ja gjobiti dhe vendosi masa detyruese për kompaninë Bankers Petrolum LTD pas një hetimi të thelluar lidhur me pabarazinë e tregtimit me kompanitë kontraktore.
Durrës Container Terminal SHA mori gjithashtu gjobë nga Autoriteti nën akuzën e shfrytëzimit të postit dominues dhe shkelje të konkurrencs në treg.
Në fokus të AK gjatë vitit 2021 do të jetë edhe mbrojtja e të dhënave personale dhe konkurrenca, si një çështje më rëndësi të veçantë në axhendën e Autoriteteve homologe të Konkurrencës në BE, si dhe atë të DG Competition.
Gjatë vitit 2020, sipas raportit Autoriteti i Konkurrencës depozitoi në buxhetin e shtetit 12.41 milionë lekë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje