Njerez

Autoritetet filipinase: Në rritje rastet e trafikimit të punonjësve në Shqipëri

Nga Gazeta ‘SI’ – Byroja e Emigracionit në Filipine shprehu shqetësim të thellë për numrin në rritje të filipinasve që trafikohen në Shqipëri.

Byroja njoftoi se dy ditë më parë tre filipinas u ndaluan nga oficerët e imigracionit në Terminalin 3 të Aeroportit Ndërkombëtar Ninoy Aquino (NAIA) dhe u penguan të hipnin në fluturimin e tyre për në Malajzi.

Ata pretenduan se ishin turistë, por më vonë pranuan se u ishte premtuar punë në Shqipëri si ndihmëse shtëpie, punëtore fabrike dhe kamerier, njoftoi Zyra.

Tre filipinasit e ndaluar pretenduan se kishin paguar midis 34 mijë dhe 74,000 mijë pezos filipinase ose 600 deri në 1500 dollar amerikanë tek rekrutuesit që kishin kontaktuar përmes Facebook Messenger.

Pas dërgimit të pagesave, Byroja e Emigracionit tha se rekrutuesit e dyshuar i bllokuan tre filipinasit në internet dhe i lanë pa udhëzime të mëtejshme ose dokumentacion të vlefshëm.

“Tani po shohim një rritje të dukshme të largimeve të paligjshme me destinacion Shqipërinë, dhe këto nuk janë raste të izoluara”, tha Komisioneri i Byrosë, Joel Anthony M. Viado, në një deklaratë.

Viado tha se Këshilli Ndër-Agjenci Kundër Trafikimit (IACAT) është informuar në mënyrë që të bëhen më shumë përpjekje në ndjekjen e rekrutuesve të paligjshëm.

Ndërkohë, Filipinet janë një ndër vendet ku Shqipëria është mbështetur për të mbushur boshllëqet e punësimit, sidomos në punët elementare si kujdesi shtëpiak, shërbimet, por edhe në ndërtim e fasoneri.

Pak javë para fillimit të sezonit turistik, Shqipëria kërkoi 20 mijë punonjës nga Filipinet. Me anë të disa ndryshimeve ligjore, qeveria ka lehtësuar këtë proces duke shmangur tatimin për agjencitë e punësimit të punonjësve të huaj. Ndërkohë ka thjeshtësuar edhe procedurat për leje qëndrim apo marrjen e shtetësisë shqiptare. Deri në vitin 2024, rreth 10 mijë të huaj ishin në marrëdhënie pune në vendin tonë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë