Lajme

Autori i vrasjes së ish gruas dhe kunatit plagosi policin e FNSH dhe më pas u vetëvra

Policia ka arritur të gjejë vendndodhjen e Fatmir Kolecaj, i cili vrau ish-gruan dhe vëllain e saj para dy ditësh në Rrëshën, i cili në orët e mbasdites është futur nëpërmjet pyllit në banesën e tij në fshatin Zejmen të Lezhës.

Policia thotë se Forcat e FNSH-së të Shkodër kanë krijuar perimetrin e jashtëm të rrethimit të banesës dhe i kanë bërë thirrje autorit që të dorëzohej.

Por, autori i ngjarjes, Fatmir Kolecaj, nuk i është përgjigur thirrjes së Policisë për t’u dorëzuar, por ka hapur zjarr mbi forcat e Policisë dhe për pasojë nga të shtënat është plagosur në këmbë jashtë rrezikut për jetën një punonjës i FNSH-së, Shkodër.

Në ndihmë të FNSH-së dhe Policisë lokale kanë shkuar edhe forcat speciale Renea ku kanë krijuar një rrethim të dytë dhe i kanë bërë thirrje autorit të hidhte armën dhe t’i dorëzohej Policisë. Ndërkohë, autori kur ka parë se s’kishte asnjë mundësi që të largohej nga banesa ka vrarë veten me armë zjarri.

Kolecaj mbrëmjen e 25 shkurtit i bëri pritë Esmeralda Filopatit e cila po kthehej nga puna bashkë me vëllain e saj Vledisonin duke i qëlluar me armë dhe duke u larguar në drejtim të paditur.

Fatmir Kolecaj dhe Esmeralda Filopati kishin tre fëmijë bashkë, por 47- vjeçari e dhunonte gruan derisa në 2017 u dënua me 10 muaj burg për dhunë në familje dhe armëmbajtje pa leje.

Më pas Esmeralda Filopati kishte urdhër-mbrojtje por shpesh ai e kishte thyer dhe kishin pasur edhe konflikte me njëri-tjetrin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë