Gazeta Si – Autori i vrasjes së tri grave dhe plagosjes së tre të tjerave në Kamzë dhe Paskuqan, Dan Hutra nuk është penduar për asnjë nga krimet e kryera të mërkurën në mesditë.
Gjatë seancës këtë të shtunë në Gjykatën e Tiranës, 40-vjeçari pranoi të gjitha akuzat e ngritura nga Prokuroria. Ai u shpreh se për të gjitha vrasjet kishte një qëllim dhe nuk ishte penduar.
“Nuk jam penduar edhe sikur të më jepni 5 burgime të përjetshme, - është shprehur Hutra në sallën e gjyqit. - Çfarë tha prokurori i pranoj! I kam bërë të gjitha të menduara dhe nuk jam i penduar. Për të gjitha ngjarjet kisha motivet e mia".
LEXO EDHE:
- Dan Hutra i planifikoi vrasjet në burg, u kap në pritje të shënjestrës së katërt: Më lini të vras edhe një!
- Dinamika / Nga Astiri në Paskuqan dhe më pas në Kamzë, 3 krimet në 33 minuta të Dan Hutrës në Tiranë
- Kronikë e tre vrasjeve të paralajmëruara / Si Dan Hutra kërcënoi me vdekje ish-gruan dhe familjen e saj: Jeni në gjak me mua… Fëmija s'është i imi!
Duke u përpjekur të shmangë një pjesë të përgjegjësisë, ai iu drejtua Gjykatës me fjalët: "I kërkoj sistemit të drejtësisë të mos deklarojë të fajshëm persona që janë të pafajshëm, pasi ndodhin masakra të tilla"
Me këtë deklaratë 40-vjeçari i referohet dënimit për akuzën “dhunë në familje”, duke u shprehur se ishte i pafajshëm për akuzën e ngritur nga ish-partnerja e tij Elena Hysa, e cula mbeti e plagosur me thikë.
Në lidhje me vrasjen e Etleva Kurtit, 31-vjeçares të ekzekutuar në Kamzë, ai tregoi dhe motivin e vërtetë: "Etleva Kurtin e vrava se i vëllai deshi të më helmojë në burg".
Me vëllain e viktimës, Vladimir Kurti, i dënuar me burg përjetë për një vrasje disa vite më parë, Hutra ka pasur mosmarrëveshje kur ishte në burg.
Nisur nga këto, Gjykata ka vendosur lënien në burg të njeriut që tronditi kryeqytetin shqiptar pak ditë më parë duke ekzekutuar tre gra dhe plagosur tre të tjera.
Tre ditë pas masakrës së trefishtë, 40-vjeçari në pamje të parë dukej i qetë dhe i heshtur, teksa mbante në dorë një shishe të vogël me ujë.
I veshur sportiv brenda kafazit të hekurt, pyetjeve të gazetarëve, nëse ka ndonjë koment apo nëse është penduar, vrasësi i 3 grave nuk iu përgjigjet.
Ai tashmë përballet me 5 akuza, “Vrasje në rrethana cilësuese, ndaj dy ose më shumë personave”, “Vrasje me paramendim”, “Vrasje e mbetur në tentativë”, “Plagosje e rëndë me dashje”, “Armëmbajtje pa leje”.
Më 1 mars, Dan Hutra plagosi fillimisht me thikë në Astir 40-vjeçaren Marjana Gurakuqi. Më pas iu drejtua Kodër Kamzës, ku u fut në shtëpinë e ish-bashkëjetueses së tij, Elena Hysa.
Nga të shtënat aty mbetën të vrara motra dhe kunata e ish-partneres, Mevlute Hysa dhe Hasime Dafku. Vetë Elena Hysa mbeti e plagosur bashkë me nënën e saj.
Por Dan Hutra ishte përgatitur për një masakër më të madhe. Ai shkoi më pas në Bathore dhe në rrugën “Besëlidhja” ndaloi tek banesa e familjes Kurti.
Aty vrau Etleva Kurtin, motrën e Vladimir Kurtit, një i dënuar me burgim të përjetshëm. Për këtë vrasje tha se e bëri pasi kishte pasur me vëllanë e të resë konflikte në burg.
Hutra u kap nga policia mbrëmjen e të mërkurës në zonën e Sharrës në Kombinat, ku po përgatitej të vriste një tjetër person.
Sipas tij, shënjestra e katërt e tij, ishte S.S., i cili kishte ndikuar në vrasjen e babait të Hutrës disa vite më parë në Kukës.
Autori i ngjarjeve, Dan Hutra, është person me precedent të theksuar kriminal, i dënuar në vitin 2003, me 2 vjet burgim, për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë", i dënuar në vitin 2009, me 16 vjet burgim për vrasje me paramendim, në vitin 2021 është arrestuar për vjedhje banesash nga DVP Durrës dhe po në vitin 2022 është arrestuar po nga DVP Durrës, për tentativë vjedhje banesash.
Gjithashtu, ky shtetas më 16 qershor 2022 është arrestuar në Tiranë për dhunë në familje ushtruar ndaj ish-bashkëjetueses Elena Hysa, dhe ka dalë nga burgu më 16 shkurt 2023, falë gjykimit të shkurtuar që përfitoi nga ligji.
Dy javë pas daljes nga qelia, ai ka vënë në jetë masakrën, që përfundoi me 3 viktima, të gjitha gra.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.