Kampionati i futbollit Euro 2020, midis europianëve e tifozëve kudo, ka sjellë eufori dhe për shqiptarët. Struktura e ngritur në Sheshin “Skënderbej” për të transmetuar ndeshjet dhe për të bashkuar tifozët e jo vetëm me njëri-tjetrin, duket sikur po rikthen dhe njëherë 2019-n me atmosferën e saj.
Nëse do të shkosh me vonesë do të të duhet të ulesh me qytetarë të tjerë, të panjohur, e në rast tjetër mund të ulesh në sipërfaqen e mbuluar me tapet bari artificial. Por ky nuk është problem për ata që më shumë se kurrë nuk duan komoditet tani, mundësisht duan “rrëmujë”.
Në fakt, në zemër të Tiranës ku transmetohet Euro 2020, më shumë se tifozë gjen njerëz që u kanë munguar grupimet, brohoritjet, muzika, njerëzit e rinj dhe argëtimi në vetvete.
Nga jashtë apo brenda strukturës së ngritur për të parë ndeshjet e kampionatit, tifoz apo jo, vihet re një gjë; entuziazmi i shqiptarëve për festa apo çfarëdo të quhet një gjë e tillë.

Grupe të rinjsh dhe jo vetëm, të përfshirë nga ethet dhe entuziazmi i ndeshjeve, i jepnin “jetë” atmosferës me brohoritje dhe duartrokitje të zjarrta pas çdo aksioni dhe lëvizje që mund t’i jepte tjetër rrjedhë ndeshjes, ndonëse skuadra e tyre mund të ishte duke humbur.
Të gjithë ishin aktivë çdo sekondë të ndeshjes dhe gjatë pushimit të saj askush nuk ishte ulur.
Përreth kishte kioska që përgatisnin ushqim të shpejtë dhe shërbenin pije. Radha e klientëve nuk shkurtohej, ndonëse kaosi nuk ishte prezent.
Hylerta, një nga vajzat që ishte në hyrje të sheshit, së bashku me një grup tjetër të rinjsh tregoi për Gazetën “Si” se asaj i kishte munguar shumë e gjithë kjo atmosferë dhe e vendosur pranoi se do të shkojë çdo natë të shikojë ndeshjet e Euro 2020 dhe pse jo edhe për të kërcyer.
“Atmosfera këtu është shumë e bukur. Më kishte munguar për gjithë periudhën e pandemisë. Për sa kohë të ketë ndeshje unë do të vij bashkë me grupin tim. Na shijon ushqimi i shpejtë, birrat e ftohta, futbolli dhe mbi të gjitha muzika. Më kishte munguar.”
Nga ana tjetër, në një tavolinë me të rinj, por jo të gjithë njiheshin me njëri-tjetrin, qëndronte 20-vjeçarja F. tregon për “Si” duke qeshur se nuk e njeh futbollin aspak, madje se dinte as se cilat skuadra do të luanin atë natë. “Erdhëm grup sepse na mungojnë eventet, na mungon energjia e mirë. Ka muzikë, njerëz, atmosferë. Unë nuk ja km idenë futbollit e as shumë nga shoqet e mia që jemi këtu”.
Pas mbarimit të ndeshjes, festa vazhdonte me muzikë dhe njerëz që po kërcenin mbi tavolinat që po hanin pak më parë, deri pak minuta para se të hyjë mesnata, apo të vijnë policët bashkiakë.
Në kontrast, rrotull sheshit të mbushur me njerëz dhe muzikë, gjenden bizneset që e kanë fikur atë që në orën 22:00 sepse ka një akt normativ për të dhe kanë “përzënë” klientët që në orën 23:00, sepse edhe për këtë ka një tjetër akt normativ.
Bizneset që shkelin masat dhe orën policore të vendosura nga qeveria, ndëshkohen me gjoba, penalitete dhe pezullim të aktivitetit ekonomik. Po kjo nuk ndodh, policia në kushtet e një vendimi që shkelet se nuk ka logjik, gjendet e detyruar në pozitat e moszbatimit të ligjit.
Përveç distancës që në fakt nuk ka si të respektohet në një grumbullim të tillë, as punonjësit e ushqimit nuk kanë masa, pa përmendur ato të Covid-it që nuk qarkullojnë gjëkundi, por as ato më minimalet për përgatitjen e ushqimit dhe shërbimin e tij.
Shumë qytetarë, ndër të cilët edhe njerëz të njohur, kanë shprehur pakënaqësi ndaj diferencimit që u është bërë bizneseve dhe vetë sheshit.
Nëpër rrjetet sociale ka patur nga ato qytetarë që kanë ngritur pyetjen se pse muzika duhet të rri e ulur apo klubi nuk duhet të hapet, kur të gjitha bashkë këto masa po shkelen në qendër të Tiranës.
Bizneset po vuajnë akoma dëmet e pandemisë bashkë me dëmet që po i shtohen dita-ditës nga masat kufizuese akoma në fuqi. Ndërkohë, vetë Bashkia e Tiranës ngriti një strukturë festivali për të parë ndeshjet e kampionatit europian, 3 të tilla në ditë për një muaj rresht. Muzikë dhe të bërtitura. Konsum dhe Covid.
Tashmë është vërtetuar se ora policore as nuk po bën efekt e as nuk po respektohet dhe mund të themi që ndoshta dimë edhe arsyen.
Qytetarët janë të lodhur nga kufizimet dhe të urritur nga mungesa e gjatë e aktiviteteve. Ndoshta në një jetë normale jo post-pandemie, transmetimi i kampionatit europian nuk do të ishte më shumë se futboll dhe tifozeri. Por një vit pas pandemisë, çdokush po pret mundësinë më të vogël për tu argëtuar dhe për të ndjerë përsëri emocionet që të fal shoqëria nën ritmet e muzikës dhe pijes, gjatë natës… dhe “kënaqësisë” së thyerjes së ligjit..
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




