Nga Gazeta ‘Si’- Një autobus që përdoret për ture turistike ra në lumin Po pranë Piazza Vittorio Veneto në qytetin e Torinos duke u fundosur pjesërisht.
Ai goditi tri gra që ishin kalimtare në trotuar dhe theu parapetin e gurit përgjatë Corso Cairoli, për të përfunduar i zhytur në ujë.
Nga dëshmitë e mbledhura rezulton se autobusi po udhëtonte në krahun e kundërt të rrugës.
Drejtuesi i mjetit u gjet i gjallë nga zjarrfikësit me një motobarkë, por në fund mjekët nuk mundën ta mbanin në jetë. Ai ishte i vetmi person në bord në momentin kur mjeti përfundoi në lumi Po.



Zjarrfikësit thyen xhamat për të parë nëse kishte brenda autobusit njerëz të tjerë, por fatmirësisht nuk gjetën njeri.
Ndërkohë, tre këmbësoret e aksidentuara janë transportuar me autoambulancë në spitalin më të afërt dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Autobusi që përfundoi në lum ishte në pronësi të kompanisë “Di Carlo Tours e Guglionesi”, nga provinca e Campobasso.
Hetuesit dyshojnë se shoferi mund të ketë pasur një sëmundje të papritur gjatë drejtimit të autobusit.
Në vendngjarje kanë ndërhyrë disa ekipe zjarrfikësish dhe zhytësish, si dhe mjekë ndihmës, policia lokale, e cila është përgjegjëse për hetimin e incidentit, dhe karabinierët.
Zona po ashtu u patrullua për një kohë të gjatë nga helikopteri Drago i departamentit të fluturimit të komandës provinciale të zjarrfikësve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.