E hëna e kësaj jave ka filluar shkujdesshëm për ata që i japin timonit.
Një 17-vjeçar ka mbetur i plagosur pasditen e të hënës në Tiranë, si pasojë e një aksidenti rrugor.
Policia e Shtetit njoftoi se aksidenti ndodhi në rrugën “Dedë Gjo Luli”, ku një autobus ka përplasur 17-vjeçarin me inicialet G.R., i cili po lëvizte me biçikletë.
Ai u dërgua në spital, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Aksidenti tjetër ka ndodhur rreth 19:15, nga Qafë-Kashari në drejtim të Rinasit. Mjeti me drejtues shtetasin S.H., ka dalë jashtë rruge, për pasojë është përmbysur mjeti dhe është dëmtuar pasagjerja në mjet gruaja 59-vjeçare me iniciale T.K., e cila ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Kurse tek Brryli, si pasojë e një defekti teknik në pjesën e motorit ka marrë flakë në ecje mjeti me drejtuese B.K., ku ka vetëm dëme materiale. Sipas policisë, grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe vijon puna për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
Ndërkohë, një 28-vjeçare ka humbur jetën në Shkodër, dhe një person tjetër ka mbetur i plagosur, si pasojë e një aksidenti rrugor.
Policia njoftoi se aksidenti ndodhi rreth orës 17:20, në rrugën Shkodër-Bardhaj, ku një automjet humbi kontrollin dhe u përplas me një mur, e si pasojë goditi të renë me inicialet L. H., si dhe një 42-vjeçar me inicialet D.K.
28-vjeçarja humbi jetën në spital, ndërsa 42-vjeçari po merr mjekimin në Spitalin Rajonal të Shkodrës.
Në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e policisë dhe grupi hetimor për sqarimin e rrethanave të aksidentit si dhe po punohet për kapjen e drejtuesit të mjetit i cili raportohet se është larguar nga vendi i ngjarjes.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




