Nga Gazeta Si- ISHP pranon për herë të parë zyrtarisht se arsyeja e rënies së mbulimit të vaksinimit për fëmijët 1 dhe 5 vjeç, lidhet me frikën e prindërve për rrezikun e autizmit si pasojë e vaksinës trivalente.
“Një ndër faktorët kryesorë të rënies së mbulesës është frika e prindërve nga lidhja e gabuar mes vaksinës FRP dhe autizmit”, thonë ekspertë pranë ISHP-së.
Ky mit ka origjinën nga një studim i diskredituar i publikuar në vitin 1998, i cili pretendonte një lidhje mes vaksinës FRP dhe autizmit.
Studimi u tërhoq nga literatura shkencore dhe u provua se ishte plotësisht i pabazuar, por ndikimi i tij vazhdon të shkaktojë pasiguri te disa prindër.
Për pasojë, shumë prindër po shtyjnë aplikimin e dozës së parë përtej moshës 1 vjeç, duke rritur rrezikun e infektimit për fëmijët.
ISHP thotë se, sipas të dhënave të NJVKSH, zonat me mbulim më të ulët për dozën e parë janë kryesisht ato me popullsi më të lartë dhe akses më të madh në informacion online, ku dhe dezinformimi ka një ndikim më të madh.
“Ekspertët shëndetësorë dhe organizatat ndërkombëtare si OBSH dhe CDC konfirmojnë se vaksina FRP është e sigurt dhe nuk ka asnjë lidhje me autizmin. Vonimi i vaksinës mund të rrezikojë seriozisht shëndetin e fëmijëve (raste fruthi, shpërthime nga Fruthi)”, thuhet në prononcimin zyrtar të ISHP-së për Gazetasi.al.
Sipas ISHP, mbulesa për grupmoshën 5 vjeç ka mbetur mbi 92%, me ndryshime të vogla gjatë viteve.
Kjo sugjeron që shumica e fëmijëve po marrin dozën e dytë të FRP, edhe pse në disa raste me vonesë.
“Ky është një indikator pozitiv, pasi doza e dytë siguron imunitet më të gjatë dhe ndihmon në uljen e transmetimit të këtyre sëmundjeve”, thotë ISHP.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.