Lojëra me Dore

Australian Open/ Gjokoviç në çerekfinale me dominim total, përfundon përralla e Andreevas

Gazeta Si – Një Novak Gjokoviç i papërmbajtshëm është parë në 1/8-at e Australian Open ndaj Adrian Manarino. Një reagim prej kampioni dhe një mesazh për ata që e shikonin në rënie, të lodhur dhe jo më favorit për fitimin e turneut.

Numri 1 në botë tregoi qartë prepotencën e tij, duke mundur 6-0, 6-0 dhe 6-3 francezin, në një orë e 45 minuta. Muskuj dhe mendje nga ana e Gjokoviç, siç ka ndodhur shpesh në karrierën e tij. Për herë të 58-të në karrierë ‘Nole’ arrin në çerekfinale të një turneu Slam, duke barazuar rekordin e Roxher Federer. Tenisti serb ka një seri prej 32 fitoresh radhazi në Melburn, nuk humb prej 2018-ës.

Në çerekfinale Gjokoviç do të përballet me Tejlor Fritz, i cili mundi finalistin e 2022-shit të Australian Open, Stefanos Tsitsipas. Fritz luajti një ndeshje të bukur dhe fitoi 7-6, 5-7, 6-3 dhe 6-3, duke treguar limitet e Tsitsipas në këtë moment. Ndaj Gjokoviçit amerikani ka një rekord negativ 0-8.

Te femrat, nëse nga pjesa e sipërme e tabelës së Australian Open kanë dalë të gjitha favoritet dhe do kemi një finaliste të papritur, në anën tjetër janë dy lojtare dominuese. Koko Gauf ka arritur fitoren e 9-të në 9 ndeshje në 2024-ën. Amerikania eliminoi polaken Frech, duke i lënë vetëm 3 gejme në pak më shumë se një orë.

Gauf nuk ka humbur ende asnjë set. Pas eliminimit të Shviatek, është ajo favorite numër 1 për trofeun. Në çerekfinale do të luajë me Kostiuk, që vjen pas një fitoreje të bukur ndaj Timofeevas. Ukrainasja mundi 20-vjeçaren ruse 6-2 dhe 6-1.

Pak më prapa në parashikime vjen Arina Sabalenka, por vetëm për faktin se Gauf është në formë shumë të mirë. Bjellorusja, numri 2 në botë, eliminoi amerikanen Anisimova, duke i lënë 5 gejme. Edhe ajo vjen në çerekfinale pa humbur asnjë set.

Ka përfunduar ndërkohë përralla e Mirra Andreevas, që largohet nga Australian Open pasi ka bërë një figurë shumë të mirë. Tenistja 16-vjeçare dha idenë se do të luante ndaj Sabalenkës në çerekfinale, pasi fitoi setin e parë 6-4, por më pas humbi dy sete ndaj çekes Barbora Krejçikova.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë