Nga Gazeta 'SI' - Mangësitë dhe pasaktësitë në statistika duket se janë më të zakonshme nga se pritet në institucionet shqiptare. Pas raportimit se ministrisë së Financave dhe autoriteteve të tjera i mungojnë pasqyrat financiare, KLSH tregon për situatën tek Doganat.
Së fundmi, Kontrolli i Lartë i Shtetit në auditin e performancës së Drejtorisë së Doganave, thotë se kjo e fundit nuk ka një metodologji të përcaktuar për planifikimin e të ardhurave doganore. I vetmi plan që ekziston të paktën referuar 2022-shit, është ai që bëhet në Doganën e Përgjithshme dhe që pëson ndryshime gjatë rrugës. Pikat doganore të shpërndara në territor nuk kanë një të tillë, duke e bërë të pamunduar analizën e të ardhurave në nivel dege edhe për audituesit.
Kontrolli i Lartë i Shtetit e vlerëson këtë si një problem që ka rëndësi të lartë për institucionin dhe jo vetëm. Më tej, auditimi nxjerr se Dogana nuk ka asnjë databazë për subjektet debitore apo për proceset gjyqësore, as në numër rastesh dhe as në vlerë.
Për të dyja këto shqetësime, KLSH i bën thirrje kreut të Doganave, të marrë masa.
Duke bashkëngjitur njoftimet konkrete nga administrata doganore për marrje të borxhit me forcë apo bllokim pasurish, KLSH thotë se përveç njoftimit, asnjë veprim konkret nuk është bërë.
Auditimi prek edhe shifrat e të ardhurave, që ndonëse janë në rritje, kanë performancë të ulët në disa prej zërave të të ardhurave si akciza, renta dhe taksa doganore dhe mangësi në përllogaritjet e kryera gjatë dërgimit të planit sipas zërave nga MFE, dhe raportimit të tyre. rritja e të ardhurave në total ka ardhur si pasojë e e rritjes së importit dhe rrjedhimisht TVSH-së.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.