Turqia zgjeron ujërat territoriale deri pranë Kretës, si ndikon në paktin detar Greqi-Shqipëri
Bisedimet për marrëveshjen e detit mes Tiranës dhe Athinës mund të ndjekin dy rrugë, përshpejtohen, ose të mbeten pezull për një kohë të gjatë pas zhvillimeve të fundit mes Greqisë, Libisë dhe Turqisë. Greqia mund të synojë një marrëveshje të shpejtë me Shqipërinë për ta përdorur atë më pas si precedent për bisedimet me Turqinë, Libinë dhe Egjiptin. Energjitë diplomatike të Athinës këto ditë janë përqendruar në frontin jugor dhe jug-lindor për përcaktimin e kufijve detarë, pas një memorandumi bashkëpunimi të nënshkruar nga Turqia dhe Libia, që zgjerojnë ujërat territoriale të dy vendeve deri pranë ishullit të Kretës. Bëhet fjalë për vendosjen e një korridori që shtrihet pa ndërprerje përmes Mesdheut nga brigjet e Libisë deri tek brigjet e Turqisë. Gjerësia e korridorit është 30 kilometra, duke zgjeruar hapësirën territoriale turke që shtrihet deri 10 kilometra nga brigjet e Kretës.
Fullani ankohet në Strasburg, kërkon dëmshpërblim për “prishje imazhi”
Ish-Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani ka paditur në Gjykatën e Strasburgut shtetin shqiptar, pasi sipas pretendimit të tij, dështoi që ta rikthejë në detyrën që mbante para se të shkarkohej nga Parlamenti për skandalin e vjedhjes nga arkat e BSH-së të 7 miliardë lekëve. Në padinë e ngritur kundër shtetit shqiptar, ai pretendon gjithashtu dëmshpërblim për cenim të integriteti dhe prishje imazhi. Fullani u arrestua për shpërdorim detyre në shtator të 2014. Pasi fitoi pafajësinë në të tria shkallët e gjyqësorit shqiptar, ish-Guvernatori u ankua në Gjykatën Kushtetuese. Kjo e fundit i dha të drejtë dhe e dëmshpërbleu me 56 paga, duke filluar nga momenti i shkarkimit e deri në 2018, për një total prej rreth 300 mijë eurosh.
Në shkollat publike dhe private të Tiranës ku sot nuk nisi mësimi
Sot ka nisur mësimi në një pjesë të shkollave të Tiranës, pas ngjarjes së tmerrshme të 26 nëntorit. Nxënësit e shkollave të ndryshme që kanë pasur probleme, janë transferuar në shkolla, të cilat kanë qenë të padëmtuara nga tërmeti. Prindërit kanë shfaqur shqetësimet e tyre për Gazetën “Si”dhe disa prej tyre që kanë fëmijët në shkollën 9-vjeçare “Emin Duraku”, kanë ngritur një peticion, ku kërkojnë inspektimin e shkollës edhe një herë, pasi nga akti i parë është cilësuar e pafrekuentueshme. Ndërsa, gjimnazet dhe shkollat 9-vjeçare, të cilat nuk kanë hasur probleme kanë vijuar mësimin normalisht.
Fakultetet në Tiranë rinisin nesër mësimin, godinat s'kanë problem
Pas situatës së vështirë që kaloi Shqipëria pas tërmetit të 26 nëntorit, që u shoqërua edhe me 51 viktima si dhe me mbylljen e shkollave në një hark kohor prej rreth dy javësh, 4 dekanët e Universitetit të Tiranës kanë dalë në një konferencë për shtyp nga mjediset e Fakultetit të Ekonomisë.
Dekanët kanë deklaruar se nesër janë të gatshëm për rinisjen e mësimit, pasi godinat përkatëse nuk kanë probleme, si dhe kanë vënë në pah solidaritetin e madh që i ka shoqëruar këto ditë strukturat universitare dhe stafet akademike.
I pari që mori fjalën ishte dekani i Fakultetit të Ekonomisë, Dhori Kule, i cili deklaroi se strukturat studentore dhe stafet e tyre kanë qenë në solidaritet të plotë gjatë gjithë kësaj periudhe të vështirë.
Ndër të tjera Dhori Kule tha se “do të janë 60 studentë ekselentë në fushën e menaxhimit të riskut që do të jenë në dispozicion të strukturave të shtetit që po merren me menaxhimin e kësaj situate”.
Edhe dekani i Fakultetit të Drejtësisë, Artan Hoxha, vuri në pah solidaritetin e këtyre ditëve të vështira dhe tha se nesër janë të gatshëm për nisjen e mësimit.
Ndërsa, dekani i Fakultetit të Shkencave Sociale u shpreh se gjithë puna e tyre është bazuar në ndihmesën e popullatës në aspektin emocional. Po ashtu edhe dekani i Fakultetit të Gjuhëve të Huaja tha se kjo situatë ka rritur solidaritetin.
Pas Kosovës, edhe Shqipëria bojkoton ceremoninë e Nobelit në Letërsi
Pas Kosovës, edhe Shqipëria do të bojkotojë ceremoninë e ndarjes së çmimeve Nobel në Suedi.
Lajmin e ka bërë të ditur Gent Cakaj, nëpërmjet një postimi në “Twitter”, i cili shkruan se justifikimi i mizorive të luftës gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë nuk duhet të shpërblehet.
Njoftimin për mospjesëmarrjen në ceremoninë e ndarjes çmimit Nobel e paralajmëroi një ditë më parë edhe ambasada shqiptare në Suedi.
Çmimi Nobel në Letërsi për Peter Handken, i njohur si adhurues i Millosheviçit, u shoqërua me polemika të shumta nga gjithë shqiptarët.
Por, Handke ka shkaktuar zemërim edhe në Ballkan e më gjerë, për shkak të mbështetjes së ish-presidentit serb, Sllobodan Millosheviq, gjatë luftërave në ish-Jugosllavi, në vitet 1990.
Efektivi i RENEA-s bie në greminë, nxirret pas 5 orësh
Pas 5 orësh është arritur të nxirret nga gremina efektivi i RENEA-s, Bledar Beluli, i cili kishte rrëshqitur për rreth 150 metra mëngjesin e sotëm, në zonën e Dukagjinit.
Mësohet se ai u transportua me barelë në këmbë deri në fshatin Nderlysaj ku ka arritur edhe ambulanca, ndërsa për të shkuar deri në Shkodër do t’i duhet edhe tri orë rrugë. Pritet ende mbërritja e helikopterit në zonë, në mënyrë që Beluli të marrë sa më parë ndihmën mjekësore.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Dukagjin, pikërisht në malin e Zorgjit, një zonë shumë e thyer.
Mësohet se Bledar Beluli po ngjitej për shëtitje në mal.
Finlanda do të ketë kryeministren më të re në botë
Finlandezja Sanna Marin, 34 vjeçe, do të jetë kryeministrja më e re në botë. Aktualisht ministre e Transportit, u zgjodh kryeministre nga Partia e saj Social Demokrate, pas dorëheqjes së Antti Rinnes.
Ajo pritet ta bëjë betimin këtë javë dhe do të udhëheqë një koalicion të qendrës së majtë, me pesë parti të kryesuara nga gra.
"Kemi shumë punë për të bërë, për të rikthyer besimin", tha Marin.
Kryeministri i deritashëm i Finlandës, Anti Rinne, dha dorëheqje, pasi një parti në koalicionin e tij tha se kishte humbur besimin, për shkak të trajtimit të një greve të punëtorëve të postës.
Marin ka pasur ngritje të shpejtë në politikën finlandeze që kur është bërë kryetare e këshillit të qytetit të saj, Tampere, në moshën 27-vjeçare.
Dënimi i rëndë për Rusinë, 4 vjet jashtë për doping, i mohohet edhe Katar 2022
Në Lozanë, VADA ka dhënë dënimin më të rëndë në histori për atletikën, Rusia do të qëndrojë 4 vjet jashtë për shkak të dopingut, duke mbetur jashtë Lojërave Olimpike dhe Botërorit të Atletikës, por edhe jashtë Botërorit të futbollit “Katar 2022”. Në Europianin e 2020-ës Rusia do të marrë pjesë. Moska ka falsifikuar të dhënat e kontrollit antidoping për atletët e saj, ndërsa këta të fundit do të lejohen të marrin pjesë në kompeticione ndërkombëtare me flamur neutral. Rusia është përjashtuar nga Lojërat Olimpike të Tokios 2020, nga Lojërat Dimërore të Pekinit 2022 dhe Botërori “Katar 2022”. “Lista e rekomandimeve është aprovuar me unanimitet nga 12 pjesëtarët e komitetit ekzekutiv, - ka thënë zëdhënësi i VADA-s. – Komitetit ka vendosur për përjashtimin e flamurit rus nga Olimpiadat dhe nga çdo kampionat tjetër ndërkombëtar për 4 vitet e ardhshme, me mundësinë e përfaqësimit të atletëve rusë me flamur neutral. Rusia ka 21 ditë kohë për të bërë ankimim”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.