Podcast

Audio-Lajme 30 Prill 2019

Kriza politike po nxit krimin
Në tremujorin e parë të këtij viti, ngjarjet kriminale me pasojë vdekjen janë dyfishuar në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Nga 1 janari, deri më 31 mars janë regjistruar 22 viktima, për motive që nisin nga ato më banalet, e deri tek hakmarrja, apo përplasjet mes bandave kriminale. Periudha përkon me krizën e përshkallëzuar politike në vend. Por, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj nuk sheh ndonjë lidhje mes këtyre dyjave. Nuk mund të flitet me bindje se kjo krizë ka rritur kriminalitetin, por e sigurt është që ajo nuk ndihmon në përmirësimin e sigurisë dhe rendit publik për qytetarët. Shifrat janë alarmante kur vihen në krahasim me tremujorin e parë të 2018-s. Nga 1 janari deri më 31 mars 2018, sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT numri i vrasjeve është 12. Pra ka një rritje pothuajse dyfish dhe me këto ritme, 2019 mund të hyjë tek vitet rekord duke tejkaluar edhe vitin 2016, ku janë vrarë 71 persona brenda 12 muajve.

Kriza politike, Meta lëvizje për të ulur Ramën e Bashën në një tryezë
Presidenti Ilir Meta priti në një takim të veçantë 5 aleatët e PD-së me qëllim për të diskutuar mbi mundësitë e zgjidhjes së krizës politike në vend. Kryerepublikani Fatmir Mediu pas takimit që zgjati një orë në Presidencë, u shpreh optimist duke deklaruar se kreu i shtetit do të vihet në lëvizje për të ulur dy kundërshtarët politikë, Edi Rama dhe Lulzim Basha, në një tryezë.
Meta shprehu shqetësimin se mosregjistrimi i të gjitha partive opozitare të legjislaturës së fundit parlamentare rrezikon jo vetëm standardet e zgjedhjeve, por edhe pluralizmin politik në vend. Ai theksoi se nuk është asnjëherë vonë për të reflektuar dhe për të gjetur zgjidhjet që do të rivendosnin normalitetin kushtetues, institucional dhe demokratik të vendit, duke nxitur dialogun dhe zërat e arsyeshëm, për dekurajimin e përshkallëzimit të mëtejshëm të krizës.

Zgjedhjet, PS firmos koalicionin me 24 aleatët
Partia Socialiste ka nënshkruar marrëveshjen me 24 aleatët e saj për zgjedhjet e ardhshme lokale, për krijimin e koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Europiane”. Pra, Partia Socialiste do të shkojë në koalicion në zgjedhjet e 30 qershorit. Por, ndryshe nga 2015, nuk do të identifikohet si “ASHE”, por “ASE”. Në dokument thuhet se partitë nënshkruese formojnë me vullnet të plotë politik Koalicionin Zgjedhor “Aleanca për Shqipërinë Europiane” dhe se objektivi i Koalicionit është fitorja e zgjedhjeve administrative të 30 qershorit 2019.

Negociatat, Rama nis lobimin në Gjermani
Kryeministri Edi Rama, pas samitit të Berlinit, ka nisur lobimin te përfaqësuesit e Budestagut gjerman. Kreu i qeverisë shqiptare ka pasur një takim me kryetaren e socialdemokratëve gjermanë Andrea Nahles, dhe nënkryetarin e Grupit Parlamentar të CDU, Johann Wadephul.
Pas këtyre takimeve, Rama shprehet se “ka pasur takime pozitive dhe se mesazh i qartë është: Shqipëria meriton njohjen e arritjeve të derikëtushme, përmes çeljes zyrtare të negociatave për anëtarësim”.
Kryeministri ka sulmuar dhe mënyrën e pasqyruar të lajmit të samitit të Berlinit, duke deklaruar se “është mahnitur nga kazanët e nga ligësitë e të dëshpëruarve që duan me patjetër dështimin e Shqipërisë dhe dështimin me çdo kusht të procesit të dialogut Kosovë/Serbi gjithashtu! Por, Shqipëria s’do të dështojë kurrsesi dhe dialogu do vazhdojë pa kushte e as paragjykime nga askush”. Ndërkaq opozita në Tiranë e ka vlerrësuar një dështim të Ramës mosçeljen e negociatave me BE-në gjatë qershorit.

Zoran Zaev kërcënon me dorëheqje nëse nuk hapen negociatat
Gjatë samitit të Ballkanit Perëndimor në Berlin, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, është shprehur i gatshëm të dorëhiqet nga detyra nëse vendit të tij nuk i hapen negociatat me BE-në qershor.
Kërcënimi i Zaev është një sfidë e hapur për Angela Merkel dhe Emmanuel Macron, të cilët kërkojnë stabilitet në rajon, ndërkohë që largimi i kryeministrit maqedonas mund ta rikthej këtë vend në situatën e tensionuar të tre viteve më parë.
Mediat gjermane raportojnë gjithashtu për një presion gjithnjë e në rritje të kancelares Merkel ndaj presidentit Macron, që ky i fundit të bëjë lëshime për Shkupin dhe të pranojë hapjen e negociatave. Ajo kërkon një shpërblim për shtetin ballkanik, pas marrëveshjes që nënshkroi me Greqinë. Berlini dhe Brukseli i druhen gjithashtu rikthimit të Rusisë në Maqedoninë e Veriut.

Dibra e shpall Qytetar Nderi, Rama e refuzon
Bashkia e Dibrës bëri të ditur sot vendimin për të shpallur “Qytetar Nderi” kryeministrin Edi Rama, duke e vlerësuar për kontributin që ka dhënë për ndërtimin e rrugës së Arbrit. Por, ky nderim i tillë është refuzuar nga ana e Ramës. “Kryeministri Rama ka qenë, mbetet dhe do të jetë gjithmonë kundër titujve honorifikë për politikanët në detyrë. Duke falënderuar të gjithë ata që mund të jenë nisur për mirë, Kryeministri Rama e refuzon titullin e qytetarit të nderit, dhënë sot nga Bashkia Dibër”, thuhet në një reagim të zyrës së shtypit të kryeministrit.

Përplasja për Krimet e Komunizmit, PD: Dënojmë sulmet ndaj Institutit dhe Tufës
Nëpërmjet një deklarate për mediat, Partia Demokratike ka denoncuar sulmet ndaj Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, ndaj Bordit të Institutit, si dhe ndaj drejtuesit Agron Tufa. Partia Demokratike akuzon kryeministrin Edi Rama, të cilin e cilëson si organizator të sulmeve ndaj këtij institucioni të pavarur. Sipas PD-së, dekomunistizimi nuk duhet të ndalet nga përpjekjet e Edi Ramës për t’i imponuar Parlamentit shkrirjen e të vetmit institut të pavarur për të zbuluar të vërtetën e krimeve të komunizmit.

Vrasja e gruas në Memaliaj, burri pranon krimin
Një grua 53-vjeçare u gjet e pajetë nga familjarët në shtëpinë e saj në Memaliaj. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Vagalat. Gruaja e identifikuar si Antoneta Hoxha, 53 vjeç jetonte me bashkëshortin dhe fëmijët. Kanë qenë këta të fundit që e kanë gjetur atë pa shenja jete dhe me dëmtime në kokë dhe në trup. Policia mbërriti në vendin e ngjarjes duke nisur hetimet, ndërsa i dyshuari i parë ishte burri i saj, Skënder Hoxha. Fillimisht, ai mohoi që të ishte autori i vrasjes, por pas disa orësh në pyetje në Komisariatin e Policisë, 63-vjeçari Skënder Hoxha është dorëzuar duke pranuar krimin.

Grabitja në Rinas, lihet në burg “Daja” nga Kosova: S’jam ai që kërkoni
Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për Ragip Hajdinin, i arrestuari i gjashtë për grabitjen e parave në aeroportin e Rinasit. Seanca për Hajdinin u zhvillua me dyer të mbyllura. Në seancën e sotme për masën e sigurisë, Ragip Hajdini ka mohuar çdo lidhje me grabitjen. Mësohet se ai ka deklaruar se ka njohje me familjen e Admir Muratajt dhe madje se kishte qenë edhe në varrim. Por Hajdini ka thënë se nuk është “Daja” që kërkon policia, pavarësisht se thërritet me të njëjtën nofkë dhe se ai disponon pamje filmike që tregojnë se ku ka qenë ditën e grabitjes. Po ashtu ai ka kërkuar edhe ballafaqim me dëshmitarin e drejtësisë, Alkond Bengasi për të verifikuar se nuk është ai personi i dyshuar.

Vrasja e dyfishtë në Laç, vetëdorëzohen dy prej autorëve
Pas vrasjes së dy kushërinjve mbrëmjen e së dielës në Laç, janë vetëdorëzuar në polici dy prej autorëve të dyshuar. Nga ngjarja e rëndë, pas një shkëmbimi zjarri mes të rinjve mbeten të vrarë dy persona.
Në njoftimin zyrtar të policisë, thuhet se falë negociatave me familjarët është bërë i mundur vetëdorëzimi i Markel dhe Vincesk Bushit, përkatësisht, 25 dhe 28 vjeç, kushërinj me njëri-tjetrin. Ndërkohë vijon të jetë në kërkim Manuel Bushi, 23 vjeç.

OBSH: Obeziteti i fëmijëve “plagë” për Europën
Sipas një raporti të fundit nga Organizata Botërore e Shëndetit, numri i fëmijëve obezë është shtuar kohët e fundit në Europë. Gjatë Kongresit Europian mbi Obezitetin në Glasgou, seksioni europian i OBSH-së paraqiti dy studime mbi obezitetin te fëmijët në të gjithë Europën dhe lidhjen mes ushqyerjes me gji dhe kësaj sëmundjeje. Në studimin e parë, raportohen nivele me të larta të fëmijëve obezë, duke përcaktuar se nga viti i kaluar janë shtuar me 4 për qind. Gjithashtu, studimet treguan se fëmijët që nuk ishin ushqyer me gji ose ishin ushqyer pjesërisht me gji kishin më shumë gjasa të prekeshin nga sëmundja e obezitetit. OBSH tha se produktet që përdoren për të zëvendësuar qumështin e gjirit, kanë sasi të mëdha sheqeri dhe duhet të kontrollohen përsëri.

Largimi i Gatuzos, Milani u “vë syrin” tre trajnerëve
Spostimi në vendin e 7-të në kampionat dhe rreziku shumë i madh për të mbetur jashtë Ligës së Kampionëve e bën thuajse të sigurt largimin e Xhenaro Gatuzos në fundin e këtij sezoni nga Milan. Klubi kuqezi pas një takimi mes drejtuesve pak ditë më parë vendosi që sezonin ta mbyllë me Gatuzon në stol, por për kampionatin e ri do të mendohet të niset çdo gjë e nga e para. Në këtë pikë tre drejtuesit, Leonardo, Gazidis dhe Maldini kanë nisur nga puna për të gjetur trajnerin e ri. Emrat që shikon si favorit për momentin janë Mauricio Sarri, Euzebio Di Francesko dhe Gasperini.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë