Podcast

Audio-Lajme 25 Prill 2019

Me këpucë dhe flamujt e BE, protesta simbolike para Parlamentit

Përpos protestës së pasdites së opozitës me bllokimin e akseve kryesore në vend, para Parlamentit u zhvillua një protestë simbolike nga të rinjtë e FRPD dhe LRI. Ata simbolikisht kanë vendosur përpara Parlamentit 200 këpucë me flamujt e vendeve të BE. Po ashtu të rinjtë mbanin në duar edhe një parrullë ku shkruhej “Ti Shqipëri s’më jep nder, më jep emrin mërgimtar”. Të rinjtë e opozitës u shprehën se nuk kanë ndërmend të largohen nga vendi, si mijëra të rinj të tjerë dhe se nuk do të dorëzohen derisa vendi të ketë zgjedhje të lira e të ndershme.

Rama: “Bindjen” e Patozit e themeloi Saliu

Drejtues të lartë të Partisë Demokratike kanë akuzuar kryeministrin Edi Rama se financon dhe qëndron pas formimit të Partisë “Bindja Demokratike”, kryetar bordi i së cilës është Astrit Patozit. Kreu i Këshillit Kombëtar të demokratëve, Bujar Nishani ka deklaruar se Patozi kontrollohet nga Rama që në vitin 2013. Në fjalën e mbajtur këtë të enjte në Kuvend, Rama rrëzoi poshtë këto pretendime dhe foli për një tjetër person që qëndron pas “Bindjes” së Astrit Patozit. Ai tha se nuk ka asnjë lidhje me këtë punë dhe se pas partisë së re qëndron vetë Sali Berisha.  Kreu i qeverisë e përforcoi idenë e tij edhe me faktin që Sali Berisha nuk e ka sulmuar ende Astrit Patozin. Kryeministri iu përgjigj akuzave për shitblerje të votave dhe u shpreh se në 2017, socialistët i trembeshin LSI-së se do të blinte vota, jo PD-së.

Prishja e zgjedhjeve, PS i kujton burgun PD-së

Prishja e procesit të 30 qershorit si një nga opsionet e PD-së dhe aleatëve të saj, ka sjellë reagimin e fortë të mazhorancës. Kjo e fundit i kujtoi opozitës se nëse cenohet dita e zgjedhjeve, të gjithë cenuesit do të ndëshkohen me burg. Paralajmërimi erdhi sot në seancën e sotme të Parlamentit nga ana e kryetarit të grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, i cili renditi nenet e Kodit Penal ku shkelësit apo dhunuesit do të ndëshkohen deri me 8 vite burgim. “Askush nuk i shkon më prapa Lulit dhe Monikës për të bërë burg”, u shpreh Balla.

Vasili: Maxhoranca produkti më i shëmtuar i shitblerjes së votës

Ish-kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, në një dalje për mediat iu përgjigj akuzave të bëra sot nga kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla për shitblerjen e votës.

Duke iu referuar deklaratës së Taulant Ballës se “LSI ka damkën më të turpshme për shitblerjen e votës në Shqipëri dhe se duhen ashpërsuar dënimet për shitblerjen e votës”, Vasili tha se maxhoranca është produkti më i shëmtuar i shitblerjes së votës në vend. Ai citoi raportet e OSBE-ODIHR dhe Departamentit të Shtetit. “Këto raporte nënvizojnë qartë se vetëm LSI dhe PD denoncuan shitblerjen e votës nga Partia Socialiste, dhe nuk ka asnjë rresht apo paragraf që të provojë të kundërtën për këtë gjë. Departamentit Amerikan të Shtetit u vë damkën zgjedhjeve si zgjedhje të cilat u karakterizuan nga shitblerja e votës”, shprehet Vasili.

Pesë aleatët e PD: Duam ndryshim të sistemit zgjedhor

Dy ditë më parë Lulzim Basha firmosi marrëveshjen e asaj që e cilësoi koalicion opozitar me të gjithë aleatët e vegjël të Partisë Demokratike. Por, sot 5 nga partitë opozitare PR, PDK, PAA, LZHK dhe PBDNJ u mblodhën në një tryezë pa PD-në.

Fatmir Mediu, Agron Duka, Nard Ndoka, Dashamir Shehi dhe Vangjel Dule kërkuan ndryshimin e sistemit zgjedhor, si garanci siç thonë ata, për zgjedhje të lira e të ndershme në Shqipëri. Ata propozojnë modelin e listave të hapura dhe argumentojnë se kështu garantohet që vota e qytetarëve të shkojë te kandidatët që ata duan dhe jo te kandidatët që paracaktojnë liderët e partive.

“Bindja Demokratike” bëhet me deputetë

Gjashtë deputetë të rinj u betuan sot në Kuvend. Mes tyre është edhe Andi Përmeti një prej themeluesve të partisë më të re “Bindja Demokratike”, e cila ka si drejtues ish-numrin dy të PD-së, Astrit Patozin.

Deputetët e tjerë që u betuan ishin edhe kryetari i Partisë Balli Kombëtar Demokrat, Artur Rroshi, Nikolin Staka, Zef Shtjefni, Fatjona Koço nga lista shumëemërore e PD-së në dhe Eugen Bojaxhi nga lista shumëemërore e LSI-së. Ndërsa Erion Piciri i PD-së, edhe pse mori mandatin nuk ishte prezent për t’u betuar. Me betimin e gjashtë emrave të fundit, numri i deputetëve të betuar në Kuvend shkon në 108.

Projekti për transformimin e Piramidës në qendër teknologjie

Në Tiranë u prezantua projekti i transformimit të Piramidës në një qendër të madhe për Teknologji Informacioni. Kryebashkiaku Erion Veliaj tha se punimet për këtë projekt do të fillojnë në dy muajt e ardhshëm. Sipas Veliajt, puna e përbashkët mund ta shndërrojë këtë projekt ambicioz në një histori të vërtetë suksesi.

Ndërsa kryeministri Rama, entuziast për këtë projekt, tha se janë dashur 15 vite që të arrihej në këtë ditë, kur projekti të ishte gati për të nisur punën.

Kreu i qeverisë e cilësoi si një projekt interesant dhe tha se është ndër më pak të kushtueshmit.

SHBA: Policia shqiptare, një nga organizatat më të mira në Europë

E ngarkuara me punë e SHBA-ve në ambasadën amerikane në Tiranë, Leyla Moses-Ones, ka vlerësuar pozitivisht policinë shqiptare për punën e bërë kundër terrorizmit. Në seminarin që po zhvillohet në Tiranë mbi përdorimin terrorist të teknologjisë, Moses-Ones nxiti policinë që të vazhdojë në të njëjtin drejtim në luftën kundër terrorizmit. Madje, zyrtarja amerikane tha se Policia shqiptare po ndërton një emër si një nga organizatat më të mira të policinë në Europë. Po ashtu, Moses-Ones garantoi mbështetjen e SHBA-ve në këtë sfidë.

Soreca: Zbatimi i reformës në drejtësi edhe përmes magjistratëve të rinj

Ambasadori i BE në Tiranë, Luigi Soreca, ka komentuar konkursin e pranimit në Shkollën e Magjistraturës. Nëpërmjet një postimi në “Tuitter”, Soreca thekson se zbatimi i reformës në drejtësi kalon përmes përzgjedhjes së magjistratëve të rinj dhe të motivuar. Rreth 249 kandidatë zhvilluan në Hollin e Pallatit të Kongreseve testimin në Konkursin e Pranimit për vitin akademik 2019-2020 për 75 poste për magjistratë, për këshilltarë e ndihmës ligjorë. Konkursi është mbështetur njëkohësisht nga përfaqësues të institucioneve kryesore ndërkombëtare, që janë partnerë të Shkollës së Magjistraturës, të cilët kanë kryer monitorimin e sallës dhe të konkurrentëve gjatë zhvillimit të testimit.

Koreja e Veriut dhe Rusia në një front përballë SHBA

Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un dhe presidenti rus Vladimir Putin u takuan për herë të parë në qytetin e Vladivostokut, në lindje të Rusisë.  Ata kanë premtuar të fuqizojnë lidhjet mes dy vendeve për formimin e një aleance që duket se “shigjeton” në mënyrë të drejtpërdrejtë SHBA-në. Kremlini njofton se Putin dhe Kim diskutuan për çarmatosjen bërthamore, por udhëheqësi i Koresë së Veriut gjithashtu pritet të kërkojë mbështetje e Rusisë pas dështimit të bisedimeve me SHBA-në.

Në një fjalim të përbashkët, dy udhëheqësit iu referuan historisë së gjatë të lidhjeve të dy vendeve të tyre dhe Putin tha se donte të ndihmonte Korenë e Veriut në uljen e tensioneve mes saj dhe Perëndimit.

Lacio mposht Milanin, Strakosha shkon në finalen e Kupës së Italisë

Lacio e Tomas Strakoshës është skuadra e parë finaliste e Kupës së Italisë. Pas barazimit 0-0 në ndeshjen e parë në “Olimpiko”, Lacio ka fituar 0-1 në “San Siro” dhe e ka merituar plotësisht kualifikimin. Goli i argjentinasit Korrea në pjesën e dytë i ka shërbyer skuadrës së Lacios për të kaluar në finale. Një gol i shënuar me shumë zgjuarsi nga Korrea, pas pasimit të Imobiles, që nxori jashtë loje portierin Reina. Gardiani shqiptar, Tomas Strakosha luajti 90 minuta, si zakonisht, duke qenë një garanci për Lacion në prapavijë, bashkë me shokët e mbrojtjes.

Historia e xhudistit italian, kërkon të përfaqësojë Shqipërinë, por federata nuk di gjë 

Xhudisti italian, Marko Madaloni, ka shprehur dëshirën që të garojë në kampionatin e ardhshëm botëror “Japoni 2019” nën flamurin shqiptar. Nga verifikimet e bëra, rezulton që Madaloni të ketë marrë nënshtetësinë shqiptare në muajin tetor të vitit 2018. Por kjo dëshirë e shprehur nga sportisti italian, bie ndesh me atë që sekretari i Federatës Shqiptare të Xhudos, Labo Çapo tha për Gazeta Si. Ky i fundit u shpreh se deri më tani nuk ka asnjë marrëveshje apo kontratë mes të dyja palëve që t’i jap mundësinë xhudistit Madaloni të garojë në kampionatin botëror me flamurin e Shqipërisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë