Strategjia e re e protestës, të enjten pasdite opozita bllokon 5 akse kyçe
Opozita e bashkuar të enjten pasdite do të zhvillojë protestën e radhës, por ndryshe nga herët e shkuara, do të ketë një tjetër destinacion dhe strategji. Protesta nuk do të zhvillohet para Parlamentit, por në akset kryesore që lidhin Jugun dhe Veriun e vendit me kryeqytetin. Opozita ka paralajmëruar që bllokimi i rrugëve do të bëhet për rreth një orë duke nisur që nga ora 18.00.
Akset që do të bllokohen janë: Në Elbasan, te rrethrrotullimi i Bradasheshit do të bllokohet aksi që lidh Juglindjen me Tiranën; Në Durrës do të bllokohet autostrada Plepa-Kavajë, përballë Shtëpisë së Pushimit të Ushtrisë; Zona e Jugut do të bllokohet në rrethrrotullimin e Sheqit të Fierit; Protestuesit nga Veriu i vendit do të grumbullohen në Milot; Një tjetër pikë do të jetë ajo te sheshi “Shqiponja” për të bllokuar hyrjen në Tiranë.
Kuvend, opozita e re pjesë e reformës zgjedhore
Opozita e re do të jetë pjesë e reformës zgjedhore, pas pranimit që socialistët i bënë kërkesës së tyre për futjen në rendin e diskutimeve edhe ndryshimin e sistemit zgjedhor. Në seancën e nesërme parlamentare pritet të votohet objekti i ri i komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore së bashku me përbërjen e anëtarëve. Damian Gjiknuri, Bashkim Fino, Klotilda Ferhati, Blerina Gjylameti dhe Alket Hyseni janë anëtarët socialistë, ndërsa nga opozita e re mësohet se do të jenë Rudina Hajdari, Andi Përmeti, Ralf Gjoni dhe Andi Përmeti.
Skadon afati, 35 parti futen në zgjedhje
Në garë për zgjedhjet lokale të 30 qershorit janë regjistruar deri më tani 35 parti politike. Partia Socialiste është e vetmja forcë e madhe Partia Socialiste. Tetë partitë e koalicionit opozitar, që kryesohet nga PD-ja refuzuan që të regjistrohen në KQZ, duke paralajmëruar bojkotimin e zgjedhjeve. Në garë për zgjedhjet vendore janë regjistruar edhe tri parti që dikur kanë qenë aleate të Partisë Demokratike.
Cakaj: Diplomatë kosovarë në ambasadat e Shqipërisë për njohjen e Pavarësisë
Në intervistën e parë të gjatë televizive, ministri i Jashtëm në detyrë Gent Cakaj ka njoftuar se Shqipëria do të ngrejë një Task-Forcë diplomatike për njohjen nga sa më shumë vende të Pavarësisë së Kosovës. Sipas, Cakaj ky vendim ka ardhur si kundërpërgjigje ndaj fushatës diplomatike të Beogradit kundër pavarësisë së Kosovës. “Për ne është e papranueshme fushata e Serbisë për tërheqjen e njohjeve të Pavarësisë së Kosovës dhe Shqipëria do të ngrejë një Task-Forcë të veçantë për të adresuar këtë problem”, tha Cakaj.
Gazeta “Si” mëson se këta diplomatë janë përzgjedhur tanimë nga kabineti i Ministrit në Detyrë dhe se janë pajisur me pasaportat e Republikës së Shqipërisë. Ky vendim i Cakajt i jep mundësinë Kosovës të ketë një përfaqësim diplomatik edhe në vendet që nuk e njohin pavarësinë e saj, përfshirë edhe shtetet anëtarë të BE-së si Spanja, Greqia, Qipro, Rumania e Sllovakia.
Grabitja e Rinasit, lihen në burg 3 të arrestuarit e tjerë
Gjykata për Krime të Rënda ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për 3 të arrestuarit e tjerë në lidhje me grabitjen në Rinas. Janë lënë në burg shtetasit Renaldo Sula, Saimir Çela dhe Oltian Veseli. Seanca gjyqësore u zhvillua me dyer të mbyllura për shkak të sekretit hetimor. Mësohet se të arrestuarit kanë mohuar se kanë lidhje me grabitjen.
Më herët u mësuan detaje mbi rolin e një femre që besohet se i ka ndihmuar autorët. Burime nga grupi i hetimit thanë se e dyshuara është E. Bici, 31 vjeçe. Ka dyshime se ajo ka djegur një nga automjetet që të krijonte shpërqëndrim të policisë, që u drejtua në krahun e kundërt të rrugës nga po iknin grabitësit. Një ditë më parë, u dha masa “arrest me burg” për Alkond Bengasin, i cili pranoi të bashkëpunojë me drejtësinë dhe ka dhënë detaje të vlefshme për hetimin e supergrabitjes.
U arrestua si pjesë e grupit “Bajri”, Italia kërkon ekstradimin e Ilir Rustemit
Italia ka kërkuar ekstradimin e Ilir Rustemit (Bajrit), vëllai i Safet Bajrit. Ilir Rustemi është i dënuar me 5.6 vjet nga Gjykata e Bolonjës për trafikim droge dhe prostitucion.
Prokuroria e Shkodrës i ka kërkuar gjykatës caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” për qëllime ekstradimi në Itali. Ilir Rustemi (Bajri) është arrestuar nga policia në kuadër të operacionit Oaz, operacion i cili arriti të godasë grupin “Bajri” në shtator të 2018-ës. Bajri ishte i pranishëm në seancë, por masa e sigurisë ndaj tij u shty, pasi nuk ishte i pranishëm avokati mbrojtës.
Vdekja e 25-vjeçares, ‘detyrim paraqitje’ për dy mjekët
Gjykata e Elbasanit ka dhënë masën “detyrim paraqitje” për dy mjekët që u arrestuan pas vdekjes së 25-vjeçares Rexhina Debrova pas lindjes. E ndërsa brenda gjykatës së Elbasanit po zhvillohej seanca gjyqësore për masën e sigurisë, familjarët e së ndjerës kanë protestuar para dyerve të Gjykatës, ku edhe kërkonin drejtësi. Në protestë ata kanë marrë edhe foshnjën e porsalindur. Mjekët që u arrestuan janë kardiologu Mehmet Ibaj dhe reanimatori Nikollaq Thano. Nëna e re 25-vjeçare ndërroi jetë më 22 prill në Maternitetin e Elbasanit vetëm një orë pas lindjes.
Situata politike nuk ka ndikuar te të huajt që vijnë për biznes
Të huajt preferojnë të punojnë në Shqipëri. Rritet numri i personave që kanë hyrë në vend për çështje profesionale dhe biznesi. Të dhënat e INSTAT tregojnë se si në muajin mars, ashtu edhe në tremujorin e parë të vitit, është vënë re një rritje e numrit të shtetasve të huaj që kanë hyrë në Shqipëri e veçanërisht e atyre që kanë hyrë për biznes dhe punë. Të huajt që kanë ardhur në Shqipëri për Biznes dhe çështje profesionale në mars 2018 rezultojnë 6.477 dhe në mars 2019 rezultojnë të kenë ardhur 7.842 me një rritje 21,1%.
Paratë që dolën jashtë për turizëm u rritën më shumë se ato që hynë në Shqipëri
Për 2018-ën paratë që shqiptarët kanë shpenzuar për pushime jashtë janë rritur me 17,3 % kurse shpenzimet e turistëve të huaj (jo-rezidentë) në vendin tonë janë rritur me 12,5 %.
INSTAT ka përgatitur në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë një studim të integruar për industrinë e turizmit për vitet 2014-2018-të. Shpenzimet e shtetasve shqiptarë rezidentë jashtë vendit për vitin 2018 kanë qenë 181.396 milionë lekë. Shpenzimet e shtetasve shqiptarë rezidentë për udhëtime personale zënë pjesën më të madhe, mesatarisht 77% dhe shpenzimet për udhëtime biznesi dhe profesionale 23% të shpenzimeve gjithsej.
Shtetasit shqiptarë rezidentë, referuar të dhënave të vitit 2018, kanë kaluar mesatarisht 7,5 net qëndrimi jashtë vendit, duke shpenzuar mesatarisht 47 euro në ditë.
Makinat e vjetra luksoze “rrethojnë” Kryeministrinë
Oborri i Kryeministrisë gjatë kësaj të enjteje ka marrë një pamje tjetër për të kujtuar Shqipërinë e vjetër dhe epokat historike, duke ekspozuar makina dhe motorë antikë. Blendi Gonxhja, i cili ishte edhe nismëtar i këtij evenimenti, u shpreh për mediat se kjo nismë u zhvillua për të kujtuar rëndësinë e këtij sektori. Sipas tij, këto makina datojnë në epoka të ndryshme. Ato janë në pronësi të koleksionistëve shqiptarë, që jetojnë brenda dhe jashtë vendit.
Binjaket shqiptare që mahnitën jurinë e “The Voice of Italia”
Gjatë mbrëmjes së të mërkurës janë transmetuar audicionet e fshehura në edicioni e radhës së “The Voice Itali”, një talent shoë në kanalin publik italian RAI, tepër i rëndësishëm për ata që dëshirojnë të nisin rrugën e muzikës. Ajo ç’ka e bëri më të veçantë këtë mbrëmje për shqiptarët ishte pjesëmarrja e binjakeve, Ina dhe Serena Sinani. Motrat kënduan një “playlist” të këngëve shqiptare, ku kryesonte kënga “Shumë Pis” e Era Istrefit dhe Ledri Vulës, duke i kthyer në zhanrin muzikor “rep”, gjë e cila mahniti anëtarët e jurisë së përbërë prej artistëve, Gigi D'Alessio, Morgan, Gue Pequeno e Elettra Lamborghini. Binjaket janë pjesë e grupit “Sindolls” dhe prej vitesh jetojnë në Monza me familjen e tyre dhe nga rrjetet sociale tregojnë se muzika është pasioni i tyre më i madh. Tashmë Serena dhe Ina do të vazhdojnë edhe në fazat e tjera të programit.
Jahmir Hyka gjen golat e parë izraelitë, vendimtar për ekipin e tij
Dy gola të mesfushorit shqiptar, Jahmir Hyka, kanë rezultuar vendimtarë për Makabi Netanjan në ndeshjen me Hapoel Hadera, që u mbyll me rezultatin 3-2. Lojtari i Kombëtares kuqezi luante ndeshjen e 8-të në kampionatin izraelit, ku kaloi disa muaj më parë, pasi vendosi të linte Amerikën. Hyka nuk kishte shënuar asnjë gol dhe në këtë ndeshje ai ishte protagonist absolut, duke shënuar dy herë që në pjesën e parë. Dy gola që me siguri do ta ndihmojnë 31-vjeçarin shqiptar të shënojë më shumë në vazhdim të kampionatit në Izrael. Makabi Netanja është shumë pranë zonës së Kupave të Europës dhe kjo fitore e fundit ishte shumë e rëndësishme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.