Opozita, koalicion për të mos hyrë në zgjedhje
Partia Demokratike firmosi një marrëveshje koalicioni me 7 parti politike aleate që shprehin vullnetin për të mos hyrë në zgjedhjet lokale të 30 qershorit pa iu plotësuar kushtet për një proces zgjedhor të lirë dhe të drejtë. Ndër kushtet e tjera është krijimi i një qeveri tranzitore, duke mos pasur kryeministër Edi Ramën. LSI, PDIU, PR, LZHK, PAA, PLL dhe PAA janë partitë që firmosin veçmas me PD-në një marrëveshje të tillë. Një pakt i tillë i PD-së me aleatët saj vjen në momentin kur skadon afati për t’u regjistruar në KQZ për zgjedhjet e 30 qershorit.
OSBE: Nuk ka pse të shtyhen zgjedhjet
Në kohën që Lulzim Basha firmoste me Monika Kryemadhin marrëveshjen e koalicionit opozitar, ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Bernd Borchardt u takua me disa drejtues të partive të vogla opozitare.
Takimi, sipas njoftimit të shpërndarë nga OSBE, është zhvilluar me kërkesë të këtyre të fundit. Në përfundim të tij, ambasadori Borchardt tha se “ne i nxitim partitë politike të ecin përpara, të gjejnë zgjidhje dhe ne jemi ata që mund të japin ekspertizë se cilat zgjidhje mund të funksionojnë dhe si mund të funksionojnë”. Borchardt nuk këshillon shtyrjen e datës së zgjedhjeve.
Koalicioni opozitar, Rama: Tjetër vetëvrasje politike
Pas nënshkrimit të marrëveshjes së koalicionit opozitar të PD-së me partitë aleate vjen edhe reagimi i kryeministrit Edi Rama. Ashtu si djegien e mandateve, edhe koalicionin kundër zgjedhjeve, kreu i qeverisë e cilëson si një vetëvrasje politike. Nëpërmjet një postimi në “Twitter”, kryeministri thekson se “humbësit nuk do ta marrin peng vendin dhe se shqiptarët do të flasin me votë më 30 qershor”.
Bindja Demokratike regjistrohet në Gjykata, Patozi kreu i ri
Bindja Demokratike është partia më e re politike në Shqipëri. Nismëtarët e kësaj lëvizje u regjistruan sot në Gjykatën e Tiranës, duke i hapur rrugë kështu edhe mundësisë së konkurrimit në zgjedhjet lokale të 30 qershorit. Arben Skënderi, Valbona Mezini, Fabian Topollaj, Astrit Patozi, Andi Përmeti dhe Leonard Olli janë themeluesit, ndërsa koordinator i këtij bordi do të jetë Astrit Patozi. Me anë të postimi në “Facebook”, Patozi shprehet se “Bindja Demokratike” është dhe do të jetë një ofertë serioze dhe tërësisht e pavarur, sa herë që të ketë zgjedhje në Shqipëri. Çlirimi i zgjedhjeve dhe ndryshimi i sistemit politik janë disa nga synimet e kësaj lëvizjeje politike.
Një tjetër kandidat i LSI kërkon mandatin e deputetit
Një tjetër kandidat për deputet nga radhët e LSI-së ka dorëzuar sot formularin e dekriminalizimit në KQZ. Bëhet fjalë për Klajdi Qaman, kandidat i Lëvizjes Socialiste në Qarkun e Beratit. Pritet që ai të marrë mandatin nga KQZ, për t’u betuar më pas në seancën e radhës plenare. Deri më tani ka shkuar në 110 numri i deputetëve në Parlament, ndër të cilët janë 14 nga LSI dhe 17 nga PD.
Shqipëria goditet nga tërmeti me magnitudë 3.8
Tirana u lëkund rreth orës 11:00 nga një tërmet, që sipas Qendrës Mesdhetare të Monitorimit të Tërmeteve kishte një magnitudë prej 3.8. Kohëzgjatja e lëkundjeve ka qenë më pak se dy sekonda. Qendra Mesdhetare e Monitorimit të Tërmeteve thotë se epiqendra e tërmetit ka qenë 28 kilometra në veri-perëndim të Tiranë në një thellësi prej 10 kilometrash. Lëkundjet janë ndier edhe në Lezhë, Krujë, Fushë-Krujë dhe Durrës. Nuk njoftohet për dëme.
Dita Ndërkombëtare e Librit, nisma dështoi
Sot në Ditën Ndërkombëtare të Librit, Ministria e Kulturës dhe Bashkia e Tiranës ndërmorën një nismë, që njerëzit të cilët do të lexonin një libër në autobus, nuk do të paguanin biletën. Ishte vetë ministrja Elva Margariti që e njoftoi këtë nismë, një mënyrë e veçantë kjo për të vënë në pah lidhjen e shqiptarëve me librin. Gazeta “Si” vëzhgoi nga afër autobusët e linjës në kryeqytet dhe vuri re një indiferentizëm ndaj kësaj dite. Një gjë e tillë tregon edhe një rënie të interesimit të shqiptarëve ndaj librit fizik. Lidhur me këtë ditë janë zhvilluar aktivitete në Fakultetin e Histori-Filologjisë, Akademinë e Shkencave dhe Bibliotekën Kombëtare.
Spanjollët dhe britanikët “braktisin” Shqipërinë! Rritet edhe numri i shqiptarëve që ikin
Të dhënat e INSTAT për lëvizjet e shtetasve në territorin shqiptar tregojnë një rritje për tremujorin e parë si të hyrjeve dhe daljeve nga vendi. Vihet re që rritet numri i shtetasve amerikanë që vizitojnë Shqipërinë, kurse ndër spanjollët dhe britanikët vihet re që është ulur numri i atyre që kanë vizituar vendin në tremujorin e parë të vitit. Hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në territorin shqiptar, në muajin mars 2019, janë 712.983 krahasuar me mars 2018, ky tregues rezulton me rritje 17,4 %. Në mars 2019, hyrjet e shtetasve të huaj në vend janë 283.910, krahasuar me mars 2018, ky numër është rritur me 11,8%.
Gjimshiti triumfon në shtëpinë e Hysajt, Champions-i shumë pranë
Sfida mes shqiptarëve ka mbyllur javën e 33-të të Serisë A. Napoli i Elseid Hysajt priti Atalantën e Etrit Berishës dhe Berat Gjimshitit, por vetëm mbrojtësi ishte në fushë për skuadrën mike, që ka triumfuar në “San Paolo”, me rezultatin 1-2. Mertens e kaloi Napolin në avantazh, ndërsa në pjesën e dytë Atalanta përmbysi gjithçka me golat e Zapatës dhe Pasaliç. Një fitore që e mban Atalantën në vend të 5-të, por me pikë të barabartë me Milanin e vendit të 4-t, me nga 56 pikë. Championsi është shumë pranë për Berishën dhe Gjimshitin dhe do të ishte një sukses i madh për Atalantën, nëse e arrin këtë objektiv, duke pasur parasysh konkurrencën e fortë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.