Një parti e re, Rudina Hajdari themelon “Bindjen Demokratike”
Rudina Hajdari ka vendosur që të krijojë një parti të re. Emri i përzgjedhur është “Bindja Demokratike” dhe nismës së saj pritet që t’i bashkohen edhe ish-drejtues dhe ish-deputetë të Partisë Demokratike. Deri më tani përflitet se Rudina Hajdarit do t’i bashkohet ish-nënkryetari i PD-së Astrit Patozi. Ky i fundit e ka mbështetur publikisht aksionin opozitar brenda Parlamentit të deputetes që refuzoi vendimin e Lulzim Bashës dhe strukturave të tjera të PD-së për të dorëzuar mandatet. Për regjistrimin e partisë së re, Rudina Hajdarit dhe bashkëpunëtorëve të saj u nevojitet mbledhja e tre mijë firmave. Procesi i mbledhjes së tyre ka nisur, por mbetet për t’u parë nëse ato do të dorëzohen në kohë brenda ditës së martë, kur është afati i fundit i regjistrimit të partive që duan të marrin pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit.
Të martën afati i fundit, partitë nxitojnë të regjistrohen për zgjedhjet
Partitë politike kanë kohë deri në mesnatën mes të martës dhe të mërkurës për t’u regjistruar si pjesëmarrëse në zgjedhjet për pushtetin vendor që zhvillohen më 30 qershor. Afati është shtyrë me dy ditë për shkak të festës së Pashkës. Numri i subjekteve politike që janë regjistruar deri më tani për pjesëmarrje në këto zgjedhje ka shkuar në 25, ndërkohë që të paktën gjashtë parti të tjera kanë dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve aplikimin për t’u regjistruar. Partia Demokratike njoftoi ditën e enjte se nuk ka ndërmend që të regjistrohet për pjesëmarrje në zgjedhje nëse më parë nuk plotësohen tre kushtet e shqiptuara nga Lulzim Basha. Mes kushteve, ndonëse jo i përforcuar, ishte edhe ai për qeveri tranzitore pa Edi Ramën Kryeministër. Qëndrimin e Bashës e ndau edhe LSI dhe aleatët e tjerë që i janë bashkuar aksionit opozitar me djegie të mandateve më 21 shkurt të këtij viti.
Troje e ndërtesa, si ndahen 1.22 mld lekët për “Astirin”
Janë 146 persona që do të ndajnë mes tyre 1.22 miliardë lekët e vendosura në dispozicion nga Qeveria si dëmshpërblim për prishjen e ndërtesave që preken nga zgjerimi i Unazës së Madhe në aksin nga Pallati me Shigjeta tek Rrethrrotullimi Shqiponja. Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për shpronësimin e tyre së bashku me listën me emrat që përfitojnë në mbledhjen e mbajtur më datë 17 prill. Vendimi është botuar në Fletoren Zyrtare, së bashku me detajet për shumën dhe sipërfaqen që zotërojnë personat në fjalë. Një pjesë e mirë e parave shkon për dëmshpërblimin e kategorisë truall, më pas të ndërtesës dhe në fund tokë arë. Lista është përfundimtare dhe ajo përfshin vetëm personat të cilët kanë dokumentacionin e nevojshëm që provojnë se zotërojnë truallin në fjalë, apo që kanë ndërtuar mbi pronat e tyre dhe jo ata që kanë ndërtuar në tokë shteti, apo të zaptuar. Vlera përgjatë e pronës varion nga 4242 lek për metër katrorë deri në 38614 lek për metër katrorë.
“Black Haëk” amerikanë për Forcën Ajrore shqiptare
Ministria e Mbrojtjes njoftoi se është firmosur marrëveshja me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes të cilës Forca Ajrore e ushtrisë shqiptare pajiset me helikopterë “Black Haëk”. Marrëveshja është firmosur gjatë qëndrimit në SHBA të ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka, e cila vizitoi Gardën Kombëtare të Nju Xhersit. Në marrëveshje përfshihet edhe trajnimi i ekuipazhit të pilotëve dhe teknikëve të mirëmbajtjes, që do të nisë në muajt e verës. Mirëmbajtjen e mjeteve e ka marrë përsipër Garda Kombëtare e Nju Xhersit. Në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes, nuk përcaktohet as numri i helikopterëve që do të përfitojë Shqipëria, as kostoja e tyre dhe as detajet e tjera teknike të mjeteve. Ajo që dihet nga deklaratat e mëhershme të ministres Olta Xhaçka është se helikopterët janë të përdorur.
Si e shembi ngrohja globale Perëndorinë e parë të njerëzimit
Perandoria e parë e njerëzimit, ajo Akadiane u shkërmoq si pasojë e ngrohjes globale. Në këtë përfundim kanë mbërritur një grup studiuesish të Oksfordit pas analizimit me detaj të stalagmiteve në një shpelle që sot ndodhet në Iran. Shkencëtarët kanë identifikuar dy periudha të gjata thatësire në rajon. E para ka nisur në vitin 2510 para Erës Sonë dhe ka zgjatur për një shekull dhe e dyta ka nisur në vitin 2260 p.e.s dhe ka zgjatur rreth 3 shekuj. Kjo e dyta përputhet plotësisht me periudhën e rënies së Perandorisë Akadiane, duke dhënë një argument të fortë se ndryshimi klimatik është një faktor i rëndësishëm që ndihmoi në këto evente. Perandoria Akadiane u themelua në vitet 2300 para Erës Sonë nga Sagoni.
Prostitucioni drejt ndalimit në Holandë?
Parlamenti holandez po përgatit një debat për prostitucioni nën presionin e fortë nga opozita, e djathta e krishterë dhe nga e majta feministe që po rritet vazhdimisht. Por, nisma ka hasur në rezistencë nga vetë punonjësit e seksit, që duket se janë të vendosur për të mbrojtur të drejtën e tyre për të punuar. Debati është çelur në Amsterdam, por ai mund të pasojë një efekt zinxhir edhe në vendet e tjera të Perëndimit, ku industria e prostitucionit është e legalizuar dhe qarkullon çdo vit me miliarda euro.
Do ndryshojë apo do të restaurohet Notre Dame ?
Rindërtimi i katedrales Notre Dame në Paris ka ndezur debat. Zotimi i Presidentit Macron se Katedralja do “rindërtohet” është qortuar. Kjo qasje, thonë kritikët, tregon se mund të bëjmë ç’të duam me kulturën. Mund ta rindërtojmë, zëvendësojmë, ose ta klonojmë në çdo kohë. Por, ajo ç’ka u shkrumbua në katedrale tani është e humbur dhe nuk mund të rikthehet vetëm se disa arkitektë të zotë mund të kthejnë strukturën e mëparshme”, deklarojnë ata.
30 vjet nga Milan-Real 5-0 dhe futbolli sot, rrëfehet Arrigo Saki
Kanë kaluar 30 vjet, por kujtimet janë ende të freskëta. Ky përvjetor i përket ndeshjes së famshme me Realin e Madridit, që përfundoi 5-0. Ishte ndeshja e kthimit gjysmëfinale e Kupës së Kampionëve (Championsit të asaj kohe), që Milani e ftoi, pasi mundi Steauan e Bukureshtit në finalen e Barcelonës. Kujtimet e saj ndeshjeje të paharrueshme i ka risjellë trajneri Arrigo Saki, njeriu që ndryshoi mënyrën e të menduarit të futbollit në Itali. “Ajo skuadër, – tregon Saki – është konsideruar si më e forta e të gjitha kohërave. Mendoni pak: “Equipe” shkruante në atë kohë se pas Milan-Real futbolli nuk do të mund të jetë më i njëjti. E kuptoni çfarë do të thotë kjo fjali?” Më 19 prill 1989 shënuan Ançeloti, Rajkard, Gulit, Van Basten dhe Donadoni.
Futbolli kthehet në shtëpi, Anglia pushton Europën
Anglia gjendet përballë “Brexit”, por ndryshon krejtësisht puna në futboll, ku sporti më popullor është dominant në vendin e tij të lindjes. Nëse nga njëra anë Anglia ekonomike dhe politike po organizon daljen nga Europa, futbolli ka rrëmbyer skenën, duke shkuar me 4 skuadra nga 8 që janë gjithësej në fazën gjysmëfinale të Champions dhe Europa League. Liverpuli, Totenhemi, Arsenali dhe Çelsi mund të bëjnë që të kemi dy finale me të njëjtën gjuhë, pikërisht gjuhën angleze. Nuk ndodhte kështu që prej 35 vitesh dhe ëndrra është për të ndalur dominimin spanjoll të viteve të fundit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.