Podcast

Audio-Lajme 2 Maj 2019

Burg edhe kush bllokon rrugët! Rama i përgjigjet opozitës
Kryeministri Edi Rama i kujtoi Kodin Penal opozitës që edhe këtë të enjte vazhdon aksionin e saj politik për bllokimin e rrugëve. Deklaratat Rama i bëri gjatë mbledhjes së grupit parlamentar socialist, ku përforcoi qëndrimin e mazhorancës për të vazhduar e bindur drejt zgjedhjeve të 30 qershorit. Lidhur me ndëshkimet që Kodi Penal parashikon për prishjen e procesit zgjedhor, kryeministri u shpreh i kënaqur ndërsa u shpreh se në këtë kod nuk ka nevojë për ndërhyrje. Ndëshkim me burg Rama propozoi edhe për një sërë veprash të tjera, duke nisur nga vjedhja e pronësisë intelektuale, siguria ushqimore, dhuna ndaj mjekëve e deri tek dhuna në fushat e futbollit dhe dhuna ndaj kafshëve.

Rama: Gjermania vendos në vjeshtë për negociatat
Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama tha se ka pasur një dezinformim politik dhe mediatik lidhur me punimet në Samitin e Berlinit.
Kryeministri u shpreh se nuk shkoi në Berlin për të mësuar se cili do të ishte vendimi i Gjermanisë sa i përket procesit të hapjes së negociatave me Shqipërinë për anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Ai sqaroi se për shkak të çështjeve të brendshme të Bundestagut gjerman, ky vendim, që pritej të merrej në fillim të muajit qershor, do të merret në vjeshtë, në shtator pas zgjedhjeve në Parlamentin Europian.

Basha prezanton platformën e qeverisë tranzitore: Vendi në kolaps
Kryedemokrati prezantoi platformën së si do të funksionojë qeveria tranzitore, që është një nga kërkesat kryesore të opozitës për t’i dhënë fund krizës politike. Në thelb të kësaj plartforme mbetet sigurimi i zgjedhjeve të lira. Në takim kanë qenë të pranishëm edhe krerët e partive aleate të PD-së. Sipas Bashës, Shqipëria është në kolaps në të gjithë sektorët. Basha foli për krizën ekonomike, institucionale dhe shprehet se pikërisht për këtë krizë, Partia Demokratike prezanton platformën për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kryedemokrati ndër të tjera u shpreh i bindur se zgjedhje me Ramën kryeministër nuk do të ketë.

Ekspertët e ekonomisë apel publik për daljen nga kriza
Arben Malaj, Selami Xhepa dhe Adrian Civici kanë përgatitur një draft për apel publik lidhur me gjendjen e vështirë që po kalon vendi. Iniciativa është e ngjashme me atë të 131 akademikëve britanikë kundër BREXIT, apo në rastin e Greqisë për futjen e vendit në zonën euro. Të tre ekspertët kanë ftuar kolegët për rekomandime dhe mbështetje.
Qëllimi i Apelit publik është të ndërgjegjësojë për marrjen e masave dhe parandalimin e një krize të rëndë politike, ekonomike e sociale që kërcënon të sotmen dhe të ardhmen tonë.
Sipas tyre, sot ekonomia shqiptare nuk ndikohet kryesisht apo vetëm nëpërmjet politikave ekonomike, monetare dhe fiskale, por sidomos nëpërmjet besimit dhe pritshmërive që individët, bizneset, të rinjtë, konsumatorët, investitorët, etj, kanë dhe krijojnë për të ardhmen e vendit.

Vrasja e Admir Muratajt, e bija padit Policinë e Shtetit
Vajza e Admir Murataj, i cili mbeti i vrarë në shkëmbimin me armë gjatë grabitjes së 9 prillit në Aeroportin e Rinasit, i ka kërkuar Prokurorisë të zbulojë autorët e vrasjes së babait të saj.
Padia është depozituar nga vajza e Murataj pranë Prokurorisë së Shkallës së Parë për Krime të Rënda.
Vetë avokati i familjes, Arbër Hoxhaj deklaroi për mediat se “ka dyshime të arsyeshme se Admir Murataj mund të jetë vrarë me dashje”. Në padinë e saj, vajza e viktimës Admir Murataj, kërkon nga Prokuroria zgjerimin e rrethit të personave nën hetim, duke marrë si të dyshuar, për kryerjen e veprave penale “Shpërdorim Detyre”, “Vrasje me Dashje” ose “Vrasje e kryer në kapërcim të mbrojtjes së nevojshme”, edhe punonjësit e Policisë së Shtetit.

Strategjia “Macron” për Ballkanin, investime dhe mbështetje për në BE
Pas Samitit të Berlinit, presidenti Emmanuel Macron ka hartuar një strategji të posaçme për të ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre drejt BE-së. “Strategjia Franceze për Ballkanin Perëndimor”, kërkon që Franca ta rrisë angazhimin e saj në Ballkan për stabilizimin, zhvillimin ekonomik e social dhe forcimin e sundimit të ligjit. Strategjia liston tre qëllime kryesore, në krye të cilës është intensifikimi i marrëdhënieve të Francës me vendet e rajonit. Mediat franceze njoftojnë se Presidenti Macron do të vizitojë Serbinë në korrik dhe Ministri francez për Europën dhe Punët e Jashtme do të vizitojë Shqipërinë dhe Kosovën këtë vit.

Disiplina me dorë të hekurt ndaj Partizanit, dënohen Gega dhe Telushi
Komisioni i Disiplinës nuk i ka kursyer masat e ashpra në vendimmarrjen e kësaj të enjteje. Për ndeshjet e javës së fundit, ku nuk munguan incidentet, Komisioni i Disiplinë ka qenë shumë i ashpër sidomos me kryesuesit e Partizanit. Ata që e kanë pësuar me keq, janë trajneri Skënder Gega që dënohet me 2 ndeshje pezullim nga aktivitetet, për protesta ndaj zyrtarit të ndeshjes. Më i fortë ka qenë dënimi për liderin e mesfushës së Partizanit, BrunoTelushi. Futbollisti vlonjat i “të kuqve”, për sjellje jo sportive ndaj zyrtarit të ndeshjes është dënuar me 4 ndeshje pezullim nga aktivitetet. Ky dënim do të thotë se Telushi e humbet mundësinë për të luajtur në derbin e fundit të kryeqytetit për këtë sezon.

600 golat që e afrojnë Mesin me “Topin e Artë” numër 6
Vetëm pak ditë pas rivalit të tij të 15 viteve të fundit, Lionel Mesi arriti shifrën e 600 golave në karrierë me dygolëshin ndaj Liverpulit në gjysmëfinalen e parë të Champions League. Kristiano Ronaldo e arriti shifrën rekord në kampionat ndaj Interit, ndërkohë që Juventusi e kishte siguruar titullin më parë. Këto gola të Mesit përveçse mund t’i garantojnë Barçës finalen e Champions League, janë gjithashtu edhe një urë e sigurt që do e çojnë Mesin drejt “Topit të artë” të 6-të në karrierë për “yllin” argjentinas. Rivali i tij historik Ronaldo nuk është më, por nuk ka rëndësi pasi Mesi jo vetëm që do të tentojë “Topin e Artë” të 6-të, por edhe të 7-in që do e bënte atë të pakapshëm në historinë e futbollit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë