SHBA, mesazh politikës për bashkëpunim: Koha është tani!
E ngarkuara me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Leyla Moses-Ones u ka bërë apel aktorëve politikë shqiptarë të bëhen bashkë, të ulen të gjejnë gjuhën e dialogut, dhe të finalizojnë reformën zgjedhore. Disa ditë pas protestës së 13 prillit, Moses-Ones ka zgjedhur një takim për sensibilizimin e punësimit të grave të prekura nga kanceri i gjirit për të lëshuar këtë apel për politikën shqiptare.
Ambasadori i OSBE: Po nxitet çdo formë për dialog mes palëve
Ambasadori i OSBE, Bern Borchardt pas një takimi me studentët e Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” deklaroi se po nxitet çdo formë që palët politike të ulen në dialog, në mënyrë që të marrin pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit.
Ambasadori i OSBE thekson se e ka të pamundur që të parashikojë se çfarë do të ndodhë me situatën politike në Shqipëri.
Sa i përket vjedhjes së votave në zgjedhjet e kaluara të përgjithshme, Borchardt tha se të gjitha partitë kanë pasur përfaqësues në KQZ dhe i kanë njohur zgjedhjet e vitit 2017.
Basha propozon “Raport Prieber” për Shqipërinë
Në cilësinë e të ftuarit special nga Instituti Ndërkombëtar i Studimeve për Lindjen e Mesme dhe Ballkanin në Ljubjanë të Sllovenisë, Lulzim Basha i këshilloi Bashkimit Europian që të nisë në drejtim të Shqipërisë një mision ekspertësh të ngjashëm me atë që bëri në 2015 në Shkup, të udhëhequr në atë kohë nga Reinhard Prieber, një jurist gjerman karriere, që në 2004-2005 kishte mbajtur postin e Drejtorit për Zgjerimin dhe Ballkanin në Bruksel. Prieber rekrutoi një grup ekspertësh të pavarur të të gjitha fushave nga vendet anëtare të BE-së. Mandati i tyre nuk ishte ndërmjetësimi i krizës politike dhe as gjetja e marrëveshjes së radhës mes tyre, por mbikëqyrja dhe mbledhja e fakteve mbi nivelin e demokracisë dhe të funksionimit të shtetit ligjor në Maqedoni.
Protesta e 13 prillit, burg për 3 protestues, 2 të tjerë në arrest shtëpi
Gjykata e Tiranës ka dhënë masën e sigurisë për 37 personat e arrestuar për aktet e dhunës në protestën e 13 prillit të organizuar nga opozita para Kryeministrisë.
Trupa gjykuese vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” për 3 protestues, masën “arrest shtëpie” për 2 protestues dhe “detyrim paraqitje” për 32 të tjerë.
Gjykata la në burg shtetasit Armando Gecaj, Edmond Bushi, Eneid Gjata.
Jashtë ambienteve të Gjykatës, sekretari i Përgjithshëm i PD, njëkohësisht edhe organizatori i protestës, Gazment Bardhi i konsideroi shtetasit që u lanë në burg, si të burgosur politik.
Ngritja e SPAK dhe Gjykatës Antikorrupsion varet nga Vettingu
Ngritja e organeve të reja të sistemit të drejtësisë të Prokurorisë së Posaçme dhe Gjykatës së Posaçme Antikorrupsion dhe Kundër Krimit të organizuar do të varet më tepër nga procesi i Vettingut, ku një pjesë e kandidaturave janë për rishqyrtimin në Komisionin e Posaçëm të Apelimit.
Ky është konstatim i nxjerrë nga Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes, e cila me anë të një raporti të ri përshkruan etapat se si po ndiqet një proces i tillë. Sipas kësaj Qendre, numri i ulët i aplikimeve brenda sistemit të drejtësisë, si dhe fakti që një pjesë e anëtarëve nuk kanë kaluar në sitën e Vettingut, zgjat në kohë procesin për ngritjen e për SPAK dhe Gjykatën Antikorrupsion.
Notre-Dame, Franca nis mbledhjen e fondeve
E gjithë bota duket se ka mbetur pa frymë pas shkrumbimit të katedrales Notre Dame në Paris. Pasi zjarri i madh dogji pjesën më të madhe të Katedrales, presidenti francez Emmanuel Macron u zotua ta rindërtojë. Zjarrfikësit arritën të shpëtonin dy kullat dhe strukturën shkëmbore të godinës 850-vjeçare. Pa u bërë ende 24 orë nga ngjarja e rëndë, dy manjatë francezë kanë dhuruar 300 milionë euro për ringritjen e Zonjës së Vjetër. Dhurime të tjera kanë ardhur gjithashtu nga e gjithë bota, ndërkohë që Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, u ka bërë thirrje vendeve anëtare të BE-së të solidarizohen.
Kallëzimi për Isa Sakjan, Basha: Sulm nga një kryeministër hakmarrës
Pas kallëzimit penal që IKMT ngriti në drejtim të kryetarit të Bashkisë së Kavajës për dhënien e lejeve të ndërtimit në mënyrë të paligjshme, vjen edhe reagimi i kryedemokratit Basha.
Ai thotë se “ky është një sulm politik ndaj Sakjas, i udhëhequr nga vetë Edi Rama, që ka në drejtimin e bashkive kryesore të vendit, njerëz të korruptuar dhe që drejtojnë trafiqet e drogës”. Basha nuk ka lënë pa përmendur edhe kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, atë të Durrësit, Vangjush Dako dhe kryebashkiakun e Elbasanit, Qazim Sejdini, duke thënë se “Rama i mbron ata, pasi ndryshe nga Sakja, po e ndihmojnë që të pasurohet”.
Gjykata, 2 javë kohë Prokurorisë të vërtetojë vdekjen e Muratajt
Gjykata për Krime të Rënda i ka dhënë kohë 2 javë Prokurorisë që të vërtetojë vdekjen e Admir Muratajt. Gjykata i kërkoi Prokurorisë që përveç certifikatës së vdekjes, të paraqesë edhe prova të tjera, si akt ekspertime të vendit të ngjarjes dhe viktimës. Seanca gjyqësore do të mbahet më 2 maj në orën 9:00.
Admir Murataj u vra pasditen e 9 prillit, pas grabitjes së parave në aeroportin e Rinasit, ndërsa ishte në kërkim si organizatori i 3 grabitjeve të tjera në harkun kohor të 2015-2017.
Më 19 qershor nis gjyqi për Saimir Tahirin
Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri do të ulet në bankën e të akuzuarve më 19 qershor. Pas përzgjedhjes së gjyqtarëve, sot është caktuar edhe data e seancës së parë ndaj ish-ministrit.
Tre gjyqtarët që do të shqyrtojnë dosjen penale të ish-ministrit janë Ardit Mustafaj, Flora Hajredinaj dhe Irena Gjoka. Ish-ministri Tahiri akuzohet për favorizim të grupit kriminal Habilaj në trafikun e drogës nga Shqipëria drejt Italisë.
Skënderbeu me sytë nga KAS-i, zhvillohet sot seanca dëgjimore në Lozanë
Sot është mbajtur seanca dëgjimore në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (KAS) në lidhje me dënimin që është dhënë për Skënderbeun nga UEFA për 10 vite pezullim nga aktivitetet ndërkombëtare. Klubi i Skënderbeut përfaqësohet nga presidenti Ardjan Takaj dhe nga një studio ligjore e huaj. Nga drejtuesit e Skënderbeut pretendohet se dënimi 10-vjeçar është dhënë pa fakte, ndaj dhe ata e kërkojnë të drejtën në KAS.
Gjysmëfinalet e Kupës, Kukësi me Skënderbeun, Tirana peshkon Luftëtarin
Në ambientet e Federatës Shqiptare të Futbollit është hedhur shorti për fazën gjysmëfinale të Kupës së Shqipëri. Golat e tërhequra nga sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku dhe shefi i Sektorit të Garave, Lysien Nurishmi, kanë vënë përballë Tiranën me Luftëtarin dhe Skënderbeun me Kukësin. Ndeshjet e para do të luhen më datë 24 prill, ndërsa ato të kthimit dy javë më pas, më 8 maj. Në ndeshjet e para do të jenë pritëse ekipet e Kukësit dhe Luftëtarit. Sakaq finalja e madhe do të luhet më datë 2 qershor.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.