Podcast

Audio-Lajme 1 Maj 2019

CDU/CSU: Vendimi për negociatat për Shqipërinë në vjeshtë
Bundestagu gjerman do të japë vendimin për negociatat me Shqipërinë në muajin Shtator dhe jo në Qershor. Ky është qëndrimi i mbajtur nga nënkryetari i grupit parlamentar të CDU/CSU, Johann Uadephul i dhënë nëpërmjet një interviste ekskluzive për Dojçe Vele.
Zyrtari i partisë së kancelares Merkel ka folur pas takimit që pati në Berlin me kryeministrin Edi Rama, duke bërë të qartë se vendimi për Shqipërinë nuk do të merret në fund të muajit të ardhshëm, por do të pritet pas zgjedhjeve europiane.
“Ne jemi në pritje të rekomandimit të Komisionit të BE-së dhe ky do të na vijë pas zgjedhjeve evropiane. Prandaj, sipas gjasave, nuk do të jemi në gjendje që t'i organizojmë konsultat deri në qershor. Vendimi do të merret në shtator. Por parimisht u kemi thënë të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor se janë pjesë e Evropës dhe se e kanë vendin në Bashkimin Evropian. Dhe, nëse Shqipëria i përmbush kushtet për çeljen e negociatave, edhe ne do ta japim votën tonë pozitive në Bundestagun gjerman, duke i mundësuar qeverisë gjermane që të votojë në nivel evropian”, deklaroi Uadephul.
Skenaret e negociatave, nga qershori në shtator
Arsyet e shtyrjes së negociatave Edi Rama i gjen teknike dhe e lidh me mungesën e kohës që Bundestagu gjerman të shqyrtojë rekomandimin e Komisionit Europian. Ky detaj teknik ndryshoi edhe afatet kohore të shqiptuara prej tij, duke i hequr bindjen se negociatat hapen në qershor. Tani afati i pranuar tashmë edhe nga Kryeministri nuk është as shtatori, por dhjetori. Tashmë po diskutohet edhe mundësia e ndarjes veç të Maqedonisë dhe të Shqipërisë nga ky proces. Tre janë mundësitë. E para që Maqedonisë t’i hapen negociatat në qershor dhe Shqipërisë t’i shtyhen për në vjeshtë. Skenari i dytë është hapja e negociatave për të dyja vendet që në qershor dhe skenari i treti shtyrja e negociatave si për Shqipërinë, ashtu edhe për Maqedoninë e Veriut në shtator. Skenari i parë do të rrëzonte alibinë teknike të mungesës së kohës së Bundestagut për të shqyrtuar raportin e Komisionit Europian. I dyti, ka pak gjasa që të ndodhë, të paktën nisur edhe nga sinjalet e përcjella përmes deklaratave të lëshuara nga Macron dhe Merkel në samitin e fundit. Skenari i treti, pra ai që shtyn hapjen e negociatave për në vjeshtë, e ndoshta edhe përtej saj, konsiderohet si më i realizueshmi.
Ditmir Bushati: Integrimi në BE mjaft i largët, punë e papërfunduar
Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati vijon të mbajë qëndrime kritike ndaj qeverisë Rama. Disa ditë pas samitit të Berlinit, ish-kryediplomati ka shfrytëzuar ditën e 15-vjetorit të zgjerimit të BE-së të cilësuar si “Big Bang”, me anëtarësimin e 10 vendeve të lindjes. “Sot shënon 15 vjetorin e zgjerimit të “Big Bang” të BE –së me 10 vende të Europës Lindore dhe Qendore. Një arritje historike pas Luftës së Ftohtë. 15 vjet më vonë, pranimi në BE i Ballkanit Përendimor duket mjaft i largët, duke mos tejkaluar ende boshllëqet ekonomike dhe sociale. Punë e pa përfunduar!”, shkruan ai në rrjetet sociale.
Basha pas takimit me Kryemadhin: Nesër bllokohen akset në 12 qarqe
Pas përfundimit të mbledhjes në selinë e LSI-së me Monika Kryemadhin, kryedemokrati Basha në një prononcim të shkurtër për mediat deklaroi se asgjë nuk ka ndryshuar në qëndrimin e opozitës.
Ai tha se vendi ndodhet në një krizë të thellë dhe nesër në orën 18:00 do të nisë aksioni opozitar në 12 qarqet e vendit.
Po ashtu, Basha deklaroi se nesër në orën 11:00 do të ketë një prezantim nga koalicioni opozitar të planit për qeverinë tranzitore dhe se largimi i Edi Ramës vijon të jetë kusht i panegociueshëm.
Patozi: Bindja Demokratike do të marrë pjesë në zgjedhje
Themeluesi i Partisë “Bindja Demokratike”, Astrit Patozi, në një deklaratë për mediat nga selia e kësaj partie është shprehur se forca politike që ai drejton do të marrë pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit.
Patozi tha se Bindja do të mbështesë kandidatët e pavarur dhe ata kryebashkiakë të djathtë nëse do rikandidojnë.
Ai saktësoi se në zonat ku do ketë të pavarur apo kryebashkiakë të PD, të cilët do të vendosin të rikandidojnë, Bindja Demokratike nuk do ketë kandidatë nga radhët e saj.
Prokuroria merr përgjigje zyrtare nga bankat: Në Rinas u vodhën 6 mln euro
Pas gati një muaji nga grabitja e parave në aeroportin e Rinasit, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka bërë me dije përgjigjen zyrtare nga 3 bankat e nivelit të dytë, të cilat konfirmojnë se janë grabitur rreth 6 milion euro. Fillimisht u aludua se ishin 10 milionë.
Për grabitjen e parave në Rinas deri më tani janë arrestuar Elton Pikli, Oltjon Veseli, Alkond Bengasi, Renaldo Sula dhe Saimir Çela dhe Ragip Hajdini, për të cilët Gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg”.
Ndërkohë që gjatë një shkëmbimi zjarri me policinë mbeti i vrarë Admir Murataj.
Vrasja e ish-policit Arben Bilali, arrestohet një i dyshuar
Tre muaj pas vrasjes së bujshme të ish-policit Arben Bilali në Selitë, Policia e Tiranës ka ndaluar një të dyshuar.
Policia bën me dije se i ndaluari është 47-vjeçari me iniciale A. Xh., i cili figuron me precedentë të mëparshëm penal në fushën e vjedhjes së makinave.
Ai dyshohet se i ka siguruar mjetin “Benz” autorëve të vrasjes, i cili u gjet vetëm pak minuta më vonë i braktisur në Mjull Bathore, që do të thotë se është takuar dhe i ka parë autorët.
50-vjeçari Arben Bilali u ekzekutua me armë zjarri pranë shtëpisë së tij, më 30 janar të këtij viti.
1 Maji mbetet festë në Shqipëri, protestuan vetëm disa mësues
Me sa duket 1 Maji nuk ishte ditë pushimi për të gjithë. Me anë të Sindikatës së Pavarur të Arsimit, mësuesit e qarqeve të ndryshme dolën sot në protestë. Ata u mblodhën te Muzeu Historik Kombëtar e më pas marshuan drejt Ministrisë së Arsimit.
Protesta e mësuesve vijoi duke paraqitur një sërë kërkesash për ministren Besa Shahini, që konstatonin në pagat e ulëta të mësuesve, mosmarrjen e pagës së 13-të dhe mbi cilësinë e arsimit. Por kritika kryesore ishte reforma e arsimit të lartë, që sipas tyre nuk ishte ndërtuar në bazë të mendimeve të mësuesve.
Gazment Blita, kryetari i Sindikatës së Pavarur të Arsimit Elbasan, tha për Gazetën “Si” se rritja e rrogës me 20 për qind është ndër kërkesat e para që kanë mësuesit.
Por edhe pse pati protesta sporadike më 1 Maj, në sheshin Skënderbej, Zyra Kombëtare e Punësimit, zhvilloi panairin e punës, ku në stendat e ngritura ishin pozicionuar një sërë biznesesh, të cilat ofronin punë.
1 Maji, Meta: Kemi ende një nivel të papranueshëm papunësie
Presidenti Ilir Meta ndërsa ka uruar 1 Majin, ka shprehur edhe shqetësimin me të gjithë punonjësit publikë dhe privatë, për kushte më të mira dhe për respektim të legjislacionit.
Nëpërmjet një postimi në “Facebook”, Meta vlerëson energjinë dhe mundin e punëtorëve, por shprehet se fatkeqësisht Shqipëria ka ende një nivel të papranueshëm papunësie.
Viktimat e përdhunimit të luftës në Kosovë, kërkojnë drejtësi në Kongresin e SHBA-së
Vasfije Krasniqi Goodman, gruaja e parë në Kosovë e cila ka folur publikisht se ka qenë viktimë e përdhunimit gjatë kohës ë luftës, dëshmoi në një seancë të Komitetit të Çështjeve të Jashtme së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA në Uashington DC të martën.
Në dëshminë e saj në seancën e Komisionit, Krasniqi Goodman tha: “Viktimat e kohës së luftës në Kosovë, kërkojnë drejtësi”. Ajo ishte vetëm 16 vjeç kur u përdhunua nga policia serbe në fshatin e saj më 1999. Gjatë seancës pati reagime të ndryshme për padrejtësinë e qytetarëve të Kosovës gjatë kohës së luftës.
Eliot Engel, kongresmeni që kryeson komitetin e punëve të jashtme, tha se kishte takuar Vuçiçin dy herë në zyrën e tij dhe të dyja herë lideri serb, kishte thënë se do të përpiqej të zgjidhte rastin vëllezërve Bytyçi, por nuk e kishte mbajtur fjalën gjithashtu edhe ish presidentja Atifete Jahjaga tha se përdorimi i përdhunimit, si një armë lufte do të ketë një ndikim të përhershëm ndaj viktimave dhe komuniteteve.
“Kam takuar qindra gra të mbijetuara nga dhuna seksuale. Përvoja e tyre e frikshme është ende e gjallë. Ato ende vuajnë nga lëndimet fizike,” tha Jahjaga, e cila mbështeti të drejtat e viktimave të përdhunimit, gjatë kohës së luftës.
Përleshje në Venezuelë, tanket mes turmave
Venezuela është tronditur nga një sërë përleshjes së dhunshme që kanë lënë më shumë se 100 të plagosur. Tanket dhe automjetet e blinduara janë parë duke hyrë mes turmave, ndërkohë që një pjesë e ushtrisë duket se mbështet Presidentin Nicolás Maduro ndërsa pjesa tjetër kreun e opozitës, Juan Guaidó.
Maduro deklaroi se kishte mposhtur atë që ai e konsideroi si një grusht shteti nga kreu i opozitës. Presidenti tha se Guaido kishte dështuar ta kthente ushtrinë kundër tij. Guaidó nga ana tjetër këmbëngul se Maduro ka humbur kontrollin e forcave të armatosura dhe se një tranzicion paqësor është në zhvillim e sipër.
‘Arena Kombëtare’ nuk është gati, vendoset stadiumi për Shqipëri-Moldavi
Ndeshjen e tretë eliminatore për kampionatin europian kundër Moldavisë, Shqipëria do të luaje në stadiumin “Elbasan Arena”. Stadiumi i ri në Tiranë nuk është ende gati dhe nga një publikim në faqen zyrtare të UEFA-s është mësuar se ndeshja do të zhvillohet në Elbasan. Ky vendim për ta luajtur ndeshjen në “Elbasan Arena” ishte i pritshëm në kushtet, kur punimet në stadiumin “Arena Kombëtare” do duan edhe të paktën disa muaj, edhe pse presidenti i FSHF-së, Duka dhe kryeministri Rama këmbëngulën në mbylljen e tyre në muajin qershor.
Kthesa e fundit e Airton Senës, kampioni që rishkroi historinë e Formula 1
Më 1 maj bëhen 25 vite nga ndarja nga jeta e ish-pilotit të Formula 1, Airton Sena. Edhe sot, çerek shekulli pas asaj fundjave të zezë, braziliani vazhdon të jetë në zemrat e miliona tifozëve të Formula 1, duke u konsideruar si piloti që rishkroi historinë e garave. Hetimet pas aksidentit në pistën e Imolas, kanë vërtetuar se vdekja e Senës nuk erdhi për shkak të një manovre të gabuar të pilotit. Makina e tij doli jashtë kontrollit pas problemit në boshtin e timonit, që ishte modifikuar dhe salduar gjatë natës me qëllim përmirësimin pozicionit të pilotit. Airton Sena e fitoi tre herë titullin kampion bote në Formula 1 dhe mbahet si një nga pilotët më të mirë të gjitha kohërave.
Facebook përforcon privatësinë
Privatësia ishte kryefjala e fjalimit të Mark Zuckerberg në konferencën vjetore. Themeluesi i Facebook njoftoi një sërë ndryshimesh në portofolin e rrjeteve sociale që zotëron, përfshirë këtu edhe në Whats App dhe Instagram. Gjashtë janë ndryshimet kryesore, si kodimi fundor i mesazheve, që do të thotë se as vetë Facebook nuk do të jetë në gjendje që të kontrollojë përmbajtjen e tyre. Një tjetër risi është edhe integrimi i plotë i Messenger me Whats App, llogaritë private të pëlqimeve në Instagram, heqjen e regjistrimit të përhershëm të mesazheve private, shërbim për pagesa online përmes Whats App dhe dhënia përparësi në burimin e lajmeve të grupeve që krijohen. Ndryshimet interpretohen nga ekspertët si një reagim i drejtpërdrejtë, por të pamjaftueshme ndaj kritikave mbi mënyrën sesi këto tre rrjete sociale mbrojnë të dhënat personale të përdoruesve të tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë