Lajme

Atje ku nisi gjithçka – Një ditë në auditorët e boshatisur të Tiranës

Në fakultetet e Inxhinierisë dhe Arkitekturës, aty ku fillimisht mori jetë revolta studentore, mbizotëron qetësia.

Të gjitha sallat e seminareve dhe leksioneve janë bosh, shkallët si rrallë ndonjëherë janë zbrazur dhe vetëm në korridor mund të të zërë syri ndonjë pedagog që kalon nxitimthi.   

Protesta e parë e të rinjve filloi të martën e kaluar, kur studentët e Fakultetit të Arkitekturës në Tiranë morën një njoftim për të paguar tarifën vjetore përpara datës 15 dhjetor, sepse fakulteti kishte kryer shpenzime të larta për të rinovuar godinën. Por që nga ajo ditë, në këtë godinë nuk është zhvilluar as edhe një orë e vetme mësimore. Të mbledhur para Ministrisë së Arsimit, studentët kërkojnë prej një jave përgjysmimin e tarifës vjetore prej 40 mijë lekësh të reja.

Fakulteti i Arkitektures

Të zemëruar nga ultimatumi, studentët bojkotuan mësimet dhe marshuan drejt Ministrisë së Arsimit. Studentët nga departamente të tjera iu bashkuan shpejt kauzës së tyre dhe që atëherë pothuajse të gjitha godinat universitare në kryeqytet janë bosh.

Një nga këkesat e para inxhinierëve dhe arkitekteve të ardhshëm ishte shtyrja afatit të pagesës vjetore të shkollës për në fund të janarit si çdo vit, pasi sipas tyre shumica e studentëve nuk e kanë mundësinë të paguajnë para Vitit të Ri. Studentët kanë bojkotuar mësimin dhe kanë deklaruar se do të vijojnë protestën deri në plotësimin e kërkesave të tyre.   

“Tarifa është papërballueshme. Edhe studentët më të mirë mbartin provime. Nuk kemi ndërmend të tërhiqemi nga kërkesat tona dhe nuk do e paguajmë tarifën në datën 15 dhjetor. Duam shkollim dhe punësim”, kanë deklaruar ndër të tjera ata gjatë protestës.

Fakulteti i Inxhinierise 

Në sallat e braktisura, dërrasat e zeza janë të vetmet që tregojnë se deri para një jave aty zhvillohej mësim.

Disa metra më tutje, disa studentë të Universitetit të Sporteve po marshojnë drejt Ministrisë së Arsimit. Një studente në Fakultetin e Shkencave të Lëvizjes rrëfen për Gazetën “Si” se në ditët e para të protestës, shumica dërrmuese e studentëve të këtij fakulteti zhvilluan normalisht mësim, pasi pedagogët i kishin kërcënuar me mungesa dhe penalizim në notë.

“Në ditët e para klasat ishin plot, nuk iknim në protestë se na kërcënonin se do na vinin mungesa”, tregon ajo në mesin e një grupi të madh studentësh. “Tani nuk kanë çfarë të na bëjnë se nuk mund të na ngelin të gjithëve. Askush nuk mund të na ndalë”, përfundon ajo duke nxituar t’u bashkohet miqve që po marshojnë me pankarta në duar.

Universiteti i Sporteve

Ndryshe nga ditët e tjera, edhe në Universitetin e Sporteve mbizotëron një qetësi totale. Fushat janë të zbrazura, korridoret bosh, ndërsa sallat ku zhvillohet zakonisht mësimi janë braktisur. Të premten e kaluar një pjesë e studentëve të këtij universiteti u paraqitën për ndjekjen e orëve mësimore, por sot ata kishin vendosur që të gjithë së bashku të bojkotonin mësimin. Të vetmet që enden në korridoret e zbrazura janë sekretaret e universitetit, ndërsa në oborr dy pedagogë shikojnë nga larg fushat e zbrazura sportive.

Situata paraqitet disi më ndryshe në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, ku sheh aty këtu grupe studentësh. Edhe pse as në këtë fakultet nuk po zhvillohet mësim, disa studentë kanë vendosur të vijnë si normalisht.

Fakulteti i Shkencave të Natyrës

“Po presim mos vijnë studentët e tjerë për të filluar mësimin”, thotë njëra prej tyre duke qëndruar para një salle të zbrazët leksionesh në katin e parë të goditës . “Pedagogët janë të gjithë në fakultet, por të tjerët (studentët) s’e besoj të vijnë as sot.”

E pyetur nga Gazeta “Si” përse nuk i është bashkuar studentëve të tjerë para Ministrisë së Arsimit, ajo nuk pranoi të komente gjatë, duke thënë thjesht: “nuk më pëlqejnë protestat”.

Në oborrin e ngushë të këtij fakulteti qëndron një grup të rinjsh, të pavendosur nëse duhet të hyjnë në godinë ose jo. Të pyetur nga gazeta nëse do t’u bashkohen studentëve të tjerë Ministrisë së Arsimit, ata thonë se: “ndoshta do të shkojmë nesër” .

Protesta e studentëve duket se po merr edhe mbështetjen e profesorëve dhe gjimnazistëve. Këta të fundit u mblodhën grupe-grupe në Sheshin “Skënderbej” dhe marshuan më pas drejt protestës në Ministrinë e Arsimit. Një pjesë e mirë prej tyre tregojnë se mësuesit i kanë paralajmëruar se do t’u vënë mungesa, ndërkohë që përfaqësuesit e forumeve rinore kanë tentuar t’i bindin se protesta mund të jetë e rrezikshme. Gjimnazistë nga shkolla “Sadik Stavileci” në Tiranë tregojnë madje se mësuesit i kanë kërcënuar se do t’u anulojnë ballon e fundvitit nëse i bashkohen protestës para Ministrisë së Arsimit. E njëjta “taktikë” duket se është përdorur edhe nga mësuesit e shkollës “Besnik Sykja” në kryeqytet.

“Na thanë se po të vinim në protestë, duhet ta harronim ballon e Vitit të Ri”, thotë një prej gjimnazistëve, në rrugën e tij drejt Ministrisë së Arsimit. “Edhe pse jemi pak, unë dhe shokët e mi vendosëm të vinin. Kjo është edhe protesta jonë”, përfundon ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë