Një atentat me armë zjarri është shënuar në fshatin Poro të Vlorës.
Dy të rinj teksa po ktheheshin me motor drejt shtëpive të tyre kanë rënë në pritë të një atentati.
Si pasojë të dy shtetasit janë plagosur, ku rrugës për në spital ka ndërruar jetë 22-vjeçari Sotiraq Mëhilli, ndërsa shtetasi Eno Mata, 32 vjeç, ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.

32-vjeçari Eno Mata rezulton me precedentë penalë në shtetin grek.
Forca të shumta të Policisë së Vlorës dhe FNSH-së po mbikëqyrin zonën, ku në fshatin Bishan është konstatuar duke u djegur një automjet tip Mercedes Benz, i cili dyshohet të jetë përdorur nga autorët.
Është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili vijon punën për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.
Sipas policisë shënjestra e këtij atentati ishte i plagosuri 32-vjeçar. Dyshohet se vrasja e mbetur në tentativë e Matës është porositur në shtetin fqinj, Greqi, pasi ky i fundit rezulton person me precedent penal në Greqi, ndërsa dyshohet si njëri prej autorëve të vrasjes së avokatit të njohur grek, Mihalesi Zafeiropoulos.

Aleksandër Mata ose i njohur ndryshe si Eno Mata bashkë me disa shqiptarë të tjerë kanë grabitur një argjendari në rrugën “Zografou” në Athinë në qershorin e vitit të kaluar, ndërsa pas kësaj ngjarjeje ishte shpallur në kërkim nga autoritetet greke.
Pas grabitjes, Aleksandër Mata shkroi në gjuhën greke një pusullë me mbishkrimin ku theksonte se ai është grabitës, por nuk është vrasës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.