Rend dhe Ligj

Atentati ndaj rivalit të Aldo Bares ndodhi në 10 sekonda, Sulo shpëtoi nga ‘gabimi’ i autorëve!

Gazeta Si – Kur kanë kaluar 24 orë nga atentati ndaj Julian Sulos në Lushnjë, i cili shpëtoi për mrekulli, policia ka sekuestruar kamerat e disa bizneseve që kanë fiksuar momentin e të shtënave me armë zjarri.

Sipas burimeve, gjithçka ka ndodhur në 10 sekonda, ku dy persona kanë dalë nga një makinë që ishte parkuar në kthesën e rrugës “Misto Mame”, ku shfaqen me maska të zeza dhe kapele.

Në momentin që automjeti “BMW” i zi i Sulos hyn në këtë rrugë, autorët zbresin nga mjeti dhe hapin zjarr, njëri me kallashnikov dhe tjetri me pistoletë.

Por sipas burimeve hetimore, reagimi i tyre ka qenë i vonuar, pasi makina e shënjestrës ka përfituar nga ky “gabim” dhe është larguar me shpejtësi.

Dyshohet se 45-vjeçari i ka vënë re atentatorët dhe ka shtuar shpejtësinë, duke i shpëtuar për mrekulli plumbave.

Atentati ka zgjatur vetëm 10 sekonda. Gjashtë plumba kanë goditur automjetin e Sulës, ndërsa një tjetër e ka gërvishtur në këmbë. Pas ngjarjes, autorët dogjën makinën së bashku me armët në fshatin Lifaj.

Ndërkohë, Julian Sulo fillimisht shkoi në lokalin e tij në Karbunarë, më pas në banesë dhe pas disa minutash u paraqit në spital për të mjekuar plagën në këmbë.

Deri tani, policia ka shoqëruar dhe marrë në pyetje 18 persona, mes tyre edhe të afërm të 45-vjeçarit, i cili është në të shkuarën ka qenë i dënuar për drogë, si dhe i dyshuar në disa ngjarje të rënda kriminale.

Mes tyre, edhe e ashtuquajtura “masakra e Lushnjës” në vitin 2017, që si shënjestër kishte nipin e Aldo Bares, Xhulio Shkurti, por ku mbetën të vrarë miqtë e tij, Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha.

Sulo njihet si kundërshtar i ish-kreut të bandës së Lushnjës, Aldo Bare, megjithatë në atentatin ndaj nipit të tij nuk kishte prova që e përfshinin si të dyshuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë