Gazeta Si - Plarent Dervishaj, i dyshuar nga SPAK si organizator i atentatit ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj në vitin 2019 dhe një nga bashkëpunëtorët e tij, Julian Meçaj, janë ekstraduar këtë të mërkurë nga Dubai në Shqipëri.
Të dy, kanë mbërritur në Tiranë përmes një “operacioni të fshehtë”, siç konfirmoi Drejtori i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumballaku në një deklaratë sot për mediat.
“Policia e Shtetit, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë dhe Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në sajë të punës profesionale hetimore dhe gjurmuese të njësive të specializuara pranë Departamentit të Policisë Kriminale, mundësoi sjelljen nga Emiratet e Bashkuara Arabe në Shqipëri të personave të shumëkërkuar Plarent Dervishaj dhe Julian Meçaj”, njofton policia.
Plaurent Dervishaj është person i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar ndaj tij masën “arrest në burg” për “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal” dhe “kryerjen e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.
Më 26 SHKURT 2005 në Durrës, Plaurent Dervishaj, në bashkëpunim me I. T., L. B. dhe L. R. dyshohet se kanë vrarë Klodian Saliun me armë zjarri.
Më 27 SHKURT 2005, Plaurent Dervishaj, në kuadër të grupit të organizuar kriminal, në bashkëpunim me subjekte të tjerë të hetuar, përkatësisht E. Sh., I. T., L. B., etj., dyshohet se kanë vrarë Vajdin Lamajn dhe Artan Arsin, me eksploziv.
Ndërsa Julian Meçaj është person i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar ndaj tij masën “arrest në burg” për “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”, “kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.
Më 1 NËNTOR 2019, në autostradën Durrës-Tiranë, pranë mbikalimit të Shkozetit, është gjuajtur disa herë me armë ndaj automjetit të drejtuar nga Andi Maloku (i cili humbi jetën), ku pasagjer ishin edhe ish-prokurori Arjan Ndoj dhe A. L.
Nga hetimet, Julian Meçaj është identifikuar si një nga autorët, duke e kryer këtë krim në bashkëpunim me shtetas të tjerë.
Dervishaj, në bashkëpunim me Meçajn, dyshohen si organizatorë të atentatit ndaj Aleksandër Lahos dhe Arjan Ndojt, ku mbeti i vrarë edhe shoferi i ish-prokurorit, Andi Maloku në nëntor 2019, në vendin e quajtur mbikalimi i Shkozetit përgjatë autostradës Tiranë-Durrës.
Tentativa e dështuar për të vrarë prokurorin Ndoj, i cili udhëtonte në makinë me të fortin e Sukthit, Aleksandër Laho (alias Pëllumb Muharremi), i njohur si 'Rrumi i Shijakut', ndodhi më 1 nëntor të vitit 2019. Në këtë atentat mbeti i vdekur shoferi i prokurorit, Andi Maloku, ish-punonjës i policisë në komisariatin e Krujës.
SPAK arriti të zbardhë këtë ngjarje pas mbërritjes nga Franca të komunikimeve në aplikacionin “SkyECC” dhe pas finalizimit të hetimeve çoi në gjyq si të pandehur 9 persona.
Ata akuzohen si anëtarë të një grupi të kriminal që ndër vite ka planifikuar të paktën 3 herë vrasjen e Arjan Ndojës, i cili mbante asokohe postin e prokurorit në Prokurorinë e Durrësit.
Në grupin e personave të akuzuar bëjnë pjesë të dënuarit Redian Rraja dhe Arjol Halilaj, ndërsa Plaurent Dervishaj akuzohet si porositësi i atentatit së bashku me Ramazan Rrajan, nipin e ish-deputetit socialist Rrahman Rraja.
Si Plaurent Dervishaj, ashtu edhe Julian Meçe, i shpëtuan një tentati me armë zjarri në Durrës në 20 qershor 2019 teksa udhëtonin me makinë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.