Gazeta Si - SPAK ka përfunduar hetimet për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj 5 vite pas ngjarjes së rëndë, ku vdiq shoferi i tij, Andi Maloku, dhe ka dërguar për gjykim dosjen ndaj 6 persona të përfshirë.
Ata janë, Plaurent Dervishaj, Julian Meçaj, Bledar Polovina, Amar Shkëmbi (alias Dritan), Ramazan Rraja dhe Endrit Sinani, të cilët akuzohen për disa vepra penale.
Në një njoftim për mediat, SPAK thotë se është bërë i mundur identifikimi dhe evidentimi i rolit të secilit prej personave që morën pjesë në këtë atentat në nëntor 2019.
Atentati ndodhi në 1 nëntor 2019 rreth orës 16:00, në autostradën Durrës-Tiranë, në afërsi të mbikalimit të Shkozetit, ku persona të armatosur të cilët po udhëtonin me një automjet benz, ngjyrë gri kanë qëlluar më armë zjarri në drejtim të makinës ku udhëtonin shoferi Andi Maloku, ish-prokurori Arian Ndoj dhe Aleksandër Laho i njohur si Rrumi i Shijakut.
Nga të shtënat me armët e zjarrit, ata morën plagë në pjesë të ndryshme të trupit dhe për pasojë Andi Maloku humbi jetën në atentat, ndërsa Arian Ndoj dhe Aleksandër Laho i mbijetuan sulmit.
Prokuroria e Posaçme informon se autorët e identifikuarqë kanë marrë pjesë në atentat janë Plaurent Dervishaj, Julian Meçaj, Bledar Polovina, Amar Shkëmbi (alias Dritan), Ramazan Rraja e Endrit Sinani, dhe bashkëpandehurit në një procedim të lidhur Redjan Rraja dhe Ariol Halilaj.
Sipas SPAK, të pandehurit kanë ngritur infrastrukturën e nevojshme me qëllim ekzekutimin e personave të targetuar për t’u vrarë, duke siguruar armët e zjarrit, automjetet dhe targat e vjedhura që do të përdornin për të ndjekur viktimat.
Nëpërmjet bashkëpunëtorëve të tyre, kanë mundur që të sigurojnë informacione për lëvizjet e shënjestrave edhe nga bazat e të dhënave shtetërore.
“Nga aktet e administruara ka rezultuar e provuar se të pandehurit janë angazhuar për lehtësimin e pozitës së personave të arrestuar, kundrejt garancisë që këta të fundit të mos i implikonin bashkëpunëtorët e përfshirë në këto krime”, raporton SPAK.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, Redjan Rraja dhe Ariol Halilaj, të cilët janë marrë të pandehur dhe ndaj tyre, aktualisht po vijon gjykimi pranë Gjykatës së Posaçme, ndërsa janë veçuar aktet për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë, të cilët kanë marrë pjesë në këto ngjarje. Gjithashtu ka zbardhur edhe ngjarje të tjera kriminale ku janë përfshirë grupi kriminal.
Në pranga për këtë ngjarje kanë rënë: Genti Ndërjaku alias Kili Ndërjaku 40 vjeç, i cili i shpëtoi një atentati me snajper më 12 shtator 2022 në Durrës, Marsel Deçka 38 vjeç, Endrit Sinani 29 vjeç, Julian Pjetri 45 vjeç dhe Bashkim Haxhija 54 vjeç.
Më vonë, janë arrestuar Ramazan Rraja, i dyshuar si një nga organizatorët e sulmit dhe Julian Meçaj, i cili u prangos në Dubai dhe pritet të ekstradohet. Ndërsa i shpallur në kërkim, është Plaurent Dervishaj, i cili dyshohet se ndodhet në Dubai.
Në rolin e qitësit, SPAK thotë se ishte shtetasi Redjan Rraja, ADN e të cilit u gjet në sendet e sekuestruara në një makinë të përdorur në atentat dhe të braktisur në Shkafanë të Ishmit, si dhe shtetasi tjetër Arjol Halilaj. Të dy janë të arrestuar dhe ende në gjykim.
Hetimet nxorën se në organizimin dhe sigurimin e kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasjen kanë marrë pjesë edhe 9 persona të tjerë.
Përplasja mes grupeve kriminale, ka pasur si shkak konkurrencën në aktivitetin e paligjshëm dhe aferat e pronave në bregdet.
Gjithashtu këta persona akuzohen edhe për vjedhje, armë mbajtje pa leje si dhe grup i strukturuar kriminal. Po kështu këta persona dyshohet se kanë tentuar të vrasin Genci Malokun, babain e Andi Malokut dhe Arben Mërkurin.
Njoftimi i plotë
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, përfundoi hetimet paraprake të procedimit penal nr.184/1, të vitit 2021, dhe dërgoi në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, kërkesën për dërgimin për gjykim të të pandehurve:
1. Plaurent Dervishaj, Julian Meçaj, Bledar Polovina, Amar Shkëmbi (alias Dritan), Ramazan Rraja dhe Endrit Sinani, të akuzuar për kryerjen e veprave penale të mëposhtme:
“Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, në dëm të viktimave Arjan Ndoja dhe Aleksandër Laho (Pëllumb Muharremi), për periudhën para ngjarjes së datës 01.11.2019 (sipas episodeve respektive);
“Grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”
2. Plaurent Dervishaj, Julian Meçaj, Bledar Polovina, Amar Shkëmbi (alias Dritan), dhe bashkëpandehurit në një procedim të lidhur Redjan Rraja dhe Ariol Halilaj, të akuzuar për kryerjen e veprave penale të mëposhtme:
“Vjedhja”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, (sipas episodeve respektive);
“Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal.
“Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, si dhe “Vrasja e funksionarëve publikë”, mbetur në tentativë, në dëm të viktimës Arjan Ndoja, për episodin e datës 01.11.2019, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal.
“Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, me pasojë vdekjen e të ndjerit Andi Maloku dhe mbetur në tentativë në dëm të viktimës Aleksandër Laho (Pëllumb Muharremi), për episodin e datës 01.11.2019, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal.
“Grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”
3. Plaurent Dervishaj, Julian Meçaj, Genti Nderjaku (alias Kili, alias Ekil), Ramazan Rraja, Bashkim Haxhija dhe Julian Pjetri, të akuzuar për kryerjen e veprave penale të mëposhtme:
“Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, në dëm të viktimave Arjan Ndoja, Aleksandër Laho (Pëllumb Muharremi), Vullnet Muça (alias Muharremi), Genci Maloku dhe Arben Mërkuri (Maneci), për periudhën pas ngjarjes së datës 01.11.2019 (sipas episodeve respektive); “Grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”.
4. Ramazan Rraja, Plaurent Dervishaj dhe Julian Meçaj, të akuzuar për kryerjen e veprave penale të mëposhtme:
“Shkatërrimit të pronës me eksploziv”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 152/1 dhe 25, të Kodit Penal (lidhur me episodin e datës 30.05.2020, ndodhur në Tiranë) dhe
“Prodhimi dhe mbajtje pa leje e armëve shpërthyese”, kryer në bashkëpunim, (lidhur me episodin e datës 30.05.2020, ndodhur në Tiranë).
5. Ramazan Rraja, akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, (armë zjarri e cila i është gjetur me vete gjatë momentit të ekzekutimit të masës së sigurimit personal më datë 19.04.2023).
6. Genti NDERJAKU (alias Kili, alias Ekil Nderjaku), akuzuar për kryerjen e veprave penale të mëposhtme:
“Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, në dëm të viktimës Mitri Prifti, për periudhën ndërmjet datave 04.09.2020-30.01.2021; “Grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”. Ky procedim penal ka të bëjë me ngjarjen e ndodhur më datë 01.11.2019, ku rreth orës 16:00, në autostradën Durrës-Tiranë, në afërsi të mbikalimit të Shkozetit, ku persona të armatosur të cilët po udhëtonin me një automjet benz, ngjyrë gri, që kishte të vendosura targat AA 342 LM, kanë qëlluar më armë zjarri në drejtim të automjetit me targa AA 333 ZD, me të cilin udhëtonin shtetasit Andi Maloku, Arian Ndoja dhe Aleksandër Laho.
Nga të shtënat me armët e zjarrit, shtetasit të cilët udhëtonin në mjetin me targë AA 333 ZD, kanë marrë plagë në pjesë të ndryshme të trupit. Si pasojë ka gjetur vdekjen në spital shtetasi Andi Maloku, kurse shtetasit Arian Ndoja dhe Aleksandër Laho, kanë marrë plagë me armë zjarri dhe i janë nënshtruar mjekimit në spital.
Nga veprimet hetimore të kryera për interesa të këtij procedimi penal janë identifikuar paraprakisht dy nga autorët që kanë marrë pjesë në këtë ngjarje, konkretisht të pandehurit Redjan Rraja dhe Ariol Halilaj, të cilët janë marrë të pandehur dhe ndaj tyre, aktualisht po vijon gjykimi pranë Gjykatës së Posaçme, ndërsa janë veçuar aktet për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë, të cilët kanë marrë pjesë në këto ngjarje.
Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera për interesa të këtij procedimi penal, bazuar dhe në analizën e komunikimeve të kriptuara, janë administruar prova të cilat kanë evidentuar rolet e secilit prej të pandehurve, si organizatorë, financues, ekzekutorë dhe ndihmës në këto ngjarje.
Të pandehurit ka rezultuar se kanë ngritur infrastrukturën e nevojshme me qëllim ekzekutimin e personave të targetuar për t’u vrarë, duke siguruar armët e zjarrit, automjetet dhe targat (e vjedhura) që do të përdornin për të ndjekur viktimat, të cilët nëpërmjet bashkëpunëtorëve të tyre, kanë mundur që të sigurojnë informacione për lëvizjet e tyre edhe nga bazat e të dhënave shtetërore.
Nga aktet e administruara ka rezultuar e provuar se të pandehurit janë angazhuar për lehtësimin e pozitës së personave të arrestuar, kundrejt garancisë që këta të fundit të mos i implikonin bashkëpunëtorët e përfshirë në këto krime.
Më konkretisht është bërë e mundur identifikimi i autorëve të tjerë që kanë marrë pjesë në ngjarjen e datës 01.11.2019, shtetasit: Plaurent Dervishaj, Julian Meçaj, Bledar Polovina, Amar Shkëmbi (alias Dritan) si bashkëpunëtorë të të pandehurve Redian Rraja dhe Ariol Halilaj (të cilët po gjykohen në Gjykatën e Posaçme të Apelit, për ngjarjen e datës 01.11.2019), ku ka rezultuar se kanë marrë pjesë në episodin e datës 01.11.2019, për kryerjen e veprave penale “Vrasja e funksionarëve publikë”, mbetur në tentativë, në dëm të shtetasit Arjan Ndoja; “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, me pasojë vdekjen e shtetasit Andi Maloku dhe mbetur në tentativë në dëm të shtetasit Aleksandër Laho (Pëllumb Muharremi); “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”; “Vjedhja” e kryer në bashkëpunim dhe më tepër se një herë; “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”.
Hetimet e mëtejshme kanë bërë të mundur identifikimin edhe të disa të pandehurve të tjerë, të cilët kanë marrë pjesë si para ashtu dhe pas ngjarjes së datës 01.11.2019, periudha gjatë të cilave të pandehurit kanë ndërmarë një sërë veprimesh për konsumimin e veprave penale.
Më konkretisht, gjatë hetimit janë grumbulluar prova që provojnë se të pandehurit Julian Meçaj, Bledar Polovina, Amar Shkëmbi (alias Dritan), Ramazan Rraja dhe Endrit Sinani, kanë konsumuar elementët e veprave penale të “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”, në dëm të shtetasve Arjan Ndoja dhe Aleksandër Laho (alias Pëllumb Muharremi), vepra të kryera para datës 01.11.2019.
Gjithashtu, provat e mbledhura gjatë hetimit kanë evidentuar faktin penal se shtetasit Plaurent Dervishaj, Julian Meçaj, Genti Nderjaku (alias Kili, alias Ekil), Ramazan Rraja, Bashkim Haxhija dhe Julian Pjetri, kanë konsumuar elementët e veprave penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”, në dëm të shtetasve Arjan Ndoja, Aleksandër Laho (Pëllumb Muharremi), Vullnet Muça (alias Muharremi), Genci Maloku dhe Arben Mërkuri (Maneci), për periudhën pas ngjarjes së datës 01.11.2019 (episod i konsumuar pas ngjarjes së datës 01.11.2019).
Gjithashtu ka rezultuar se i pandehuri Ramazan Rraja, është njëri nga personat që ka kërkuar dhe siguruar një automjet, tek njohjet e tij shoqërore në Durrës, dhe në vijim ka dërguar një nga të afërmit e tij me qëllim për ta marrë këtë automjet, dhe për të realizuar hedhjen e sasisë së lëndës eksplozive, në hotel “Victoria” Tiranë, në pronësi të shtetasit Luan Mata, ngjarje e ndodhur më datë 30.05.2020, ora 22:35. Lidhur me këtë episod i pandehuri Ramazan Rraja akuzohet se e ka kryer veprën penale në bashkëpunim me të pandehurit Plaurent Dervishaj dhe Juljan Mecaj.
Po kështu i pandehuri Genti Nderjaku (alias Kili, alias Ekil Nderjaku), në bashkëpunim me persona të tjerë ende të paidentifikuar gjatë harkut kohor 04.09.2020 – 30.01.2021, ka siguruar kushtet dhe mjetet materiale për të kryer vrasjen e shtetasit Mitri Prifti, duke konsumuar në këtë mënyrë elementët e veprave penale.
Sa i përket të hetuarit tjetër Marsel Deçka, Prokuroria e Posaçme, ka konkluduar se nuk ka kryer elementët e veprave penale sa i përket episodeve pas ngjarjes së datës 01.11.2019, për rrjedhojë, i jemi drejtuar gjyqtarit të seancës paraprake pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me kërkesën për pushimin e hetimeve ndaj tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.