Drejtësia

Atentati ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj, lihen në burg 5 të arrestuarit

Një nga të arrestuarit e operacionit të koduar policor "Komploti"

Gazeta Si - Gjykata e Posaçme ka lënë në fuqi masën e sigurisë "arrest me burg" për 5 të arrestuarit, të cilët akuzohen për përfshirjen në atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj.

Ata janë Genti Ndërjaku alias Kili Ndërjaku, Marsel Deçka, Endrit Sinani, Julian Pjetri dhe Bashkim Haxhija.

SPAK bëri të ditur se atentati në autostradën Durrës-Tiranë, pranë mbikalimit të Sukthit, u organizua dhe finalizua nga 11 persona që bashkëpunuan si grup kriminal.

Në kërkim për këtë ngjarje janë shpallur 4 persona, mes tyre Ramazan Rraja dhe Plarent Dervishaj, i cili ndodhet në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Ky i fundit është i shpallur në kërkim nga SPAK për një vrasje të ndodhur në vitin 2005. Dervishaj i ka shpëtuar pengesave pasi mes Shqipërisë dhe Emirateve nuk ka një marrëveshje dypalëshe ekstradimi.

Po ashtu në kërkim janë Julian Meçe, Ramazan Rraja nipi i deputetit të PS Rahman Rraja dhe një person tjetër.

Në lidhje me këtë ngjarje janë arrestuar më herët Redjan Rraja dhe Arjol Halilaj. Në atentatin ndaj ish-prokurorit Arian Ndoja dhe Aleksandër Lahos, mbeti i vdekur shoferi i ish-prokurorit, Andi Maloku.

Mbi 3 vjet iu desh SPAK-ut të zbardhte atentatin ndaj ish-prokurorit Arian Ndoj, Aleksandër Lahos dhe shoferit të ish-prokurorit, Andi Maloku, i cili mbeti i vrarë.

Në rolin e qitësit, SPAK thotë ishte shtetasi Redjan Rraja, ADN e të cilit u gjet në sendet e sekuestruara në këtë makinë të përdorur në atentat dhe të braktisur në Shkafanë të Ishmit, si dhe shtetasi tjetër Arjol Halilaj.

Të dy janë të arrestuar dhe po gjykohen. Hetimet nxorën në dritë se në organizimin dhe sigurimin e kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasjen kanë marrë pjesë edhe 9 persona të tjerë, 5 prej të cilëve janë arrestuar në operacionin e fundit të SPAK dhe policisë.

SPAK e hetoi çështjen në një procedim të veçuar nga ai i Redjan Rrajës dhe Ariol Halilajt dhe thotë se ka siguruar prova që këta persona janë të përfshirë në atentat nëpërmjet përgjimeve dhe bashkëpunimit me persona të tjerë nën hetim.

Gjatë operacionit të zhvilluar nga Policia e Shtetit me kërkesë të SPAK, në 11 banesa u ushtruan kontrolle dhe sekuestruan armë, jelekë antiplumb dhe 50 kontrata shit-blerje pronash.

Për shkak se 4 personat e shpallur në kërkim, sipas SPAK janë jashtë vendit është bashkëpunuar me autoritete e huaja me qëllim arrestimin dhe po punohet për ekstradimin e tyre.

Gjithashtu, SPAK gjatë këtyre hetimeve ka bashkëpunuar edhe me autoritetet franceze, për tërheqjen e disa akteve, për të cilat për shkak të sekretit hetimor nuk janë bërë të njohura.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë