Ngjarje

Atentati ndaj Gentian Bejtjes, shoqërohen disa persona. E shkuara e ish-policit një nga pistat e hetimit

Një ditë pas atentatit ndaj Gentian Bejtjes në Fushë Krujë, policia ka shoqëruar disa persona me precedentë penal si të dyshuar për ngjarjen.

Po ashtu, grupi hetimor ka sekuestruar disa pamje të kamerave të sigurisë të cilat mund të hedhin dritë në lidhje me atentatin.

Ngjarja ndodhi të dielën në mbrëmje në fshatin Larushk të Niklës, ku ish-punonjësi i policië u plagos në krah, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

I plagosur ka mbetur edhe shoku i tij, 35-vjeçar Klodian Stafuka, i cili udhëtonte si pasagjer në mjetin e Bejtjes dhe u lëndua pas përplasjes.

41-vjeçari Bejtja është dëmtuar në krah dhe plaga nuk është nga plumbi, por nga xhami i thyer i makinës me të cilën po udhëtonte.

Para grupit hetimor, ata janë shprehur se nuk i kanë parë autorët. “Se kemi idenë se kush mund të na ketë qëlluar”, mësohet të kenë dëshmuar ata.

Të dy kanë deklaruar po ashtu se papritur janë gjendur në befasi nga plumbat dhe kanë humbur kontrollin e mjetit, duke përfunduar në anë të rrugës.

Bejtja ka qenë duke udhëtuar me makinën tip “Alfa Romeo” kur u qëllua nga një automjet tjetër në lëvizje. Për shkak të humbjes së kontrollit të mjetit, makina ndaloi pranë një pike karburanti.

Gentian Bejtja është një emër i njohur për policinë. Ai ka rënë pre e një atentati edhe në vitin 2016, kur në automjetin e tij shpërtheu një sasi tritoli, ku mbeti i plagosur.

Po ashtu, ai është person me precedent të mëparshëm penal në fushën e krimeve kundër personit dhe krimeve kundër pronës.

Bejtja është akuzuar më parë si i dyshuar edhe për vjedhjen e makinës tip BMË, që u përdor në atentatin ndaj kryekomisarit Dritan Lamaj në vitin 2013.

Ai njihet edhe si mik i Enver Stafukës, edhe ky i fundit person i njohur nga autoritetet policore por që prej vitit 2015 rezulton të jetë i zhdukur.

Njësoj si Gentian Bejtja, edhe Enver Stafuka ishte dyshuar 9 vite më parë për vjedhjen e makinës BMË.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë