Rend dhe Ligj

Atentati ndaj anëtarit të fisit Bajri në Shkodër, del fotoja e makinës së autorëve

Gazeta Si – Një anëtar i fisit Bajri në Shkodër i ka shpëtuar një atentati mbrëmjen e të mërkurës, teksa udhëtonte me makinë në shoqëri të nënës së tij.

Admir Bajri, 38 vjeç, u qëllua me një breshëri automatiku në lagjen “Dobraç” në afërsi të një supermarketi.

Autorët e kanë ruajtur 38-vjeçarin, të cilin e kanë qëlluar sapo ka ndalur makinën e tij tip “Benz”.

Bajri mori disa plagë në trup dhe u dërgua menjëherë në spitalin rajonal të Shkodrës, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Ndërsa nëna e tij për fat të mirë nuk ka pësuar asnjë lëndim. Autorët pas atentatit u larguan me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, ndërsa policia ngriti postblloqe në hyrje-daljet e qytetit në përpjekje për kapjen e tyre.

Ndërkohë, kjo është makina që raportohet se është përdorur nga autorët për atentatin e kryer ndaj Admir Bajrit mbrëmjen e kaluar në Shkodër. Makina është kapur nga kamerat e sigurisë së një biznesi.

Nga të dhënat paraprake, Admir Bajri nuk del të jetë një person me precedent penal, ndërsa pista kryesore ku po hetohet është ajo e konflikteve të familjarëve të tij, duke qenë se është pjesëtar i fisit të Bajrave në Shkodër.

Fisi Bajri është jo pak i njohur, kjo për faktin se në vitin 2018, në kuadër të operacionit ‘Oaz’, u arrestuan disa prej anëtarëve, të akuzuar për grup të strukturuar kriminal, gjobëvënie, vrasje dhe punësime të paligjshme.

Por dosja e bujshme tashmë është shfryrë, pasi të gjithë personat, të cilët u vunë në pranga janë liruar nga akuzat e vrasjes, kanosjes, gjobëvënies, basteve të paligjshme dhe shumë të tjera.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë