Rend dhe Ligj

Atentati me dy të plagosur në ‘Don Bosko’, në kërkim një prej autorëve të dyshuar

Gazeta Si - Pas rreth një muaji e gjysmë, zbardhet ngjarja e ndodhur më 3 shtator në zonën e “Don Boskos”, ku mbetën të plagosur me armë zjarri Kastriot Elezaj dhe Renaldo Metushi.

Sipas policisë, është dhënë masa e "arrestit me burg" për njërin nga autorët e dyshuar, 23-vjeçari me iniciale D.T., i cili është shpallur në kërkim.

22 vjeçari Renaldo Metushi dhe 45 vjeçari Kastriot Elezi po pinin kafe në verandën e një lokali më 3 shtator 2024 në "Don Bosko", kur nga një makinë është qëlluar drejt tyre. 45-vjeçari u plagos në krah dhe në mushkëri, ndërsa Metushi u plagos në këmbë.

“Në vlerësim të provave dhe fakteve, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin nr. 2706, datë 22.10.2024, ka vendosur caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, në mungesë, ndaj shtetasit D. T., 23 vjeç, banues në Kamëz, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” kundër dy ose më shumë personave, mbetur në tentativë, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, - njofton policia.

Në dëshminë e tyre ata kanë mohuar të kenë patur konflikte me persona të tjerë gjatë kohëve të fundit.

Megjithatë, grupi hetimor ka dyshime se objektiv i sulmit ishte 45-vjeçari Elezaj, për shkak të konflikteve që mund të ketë patur nga e kaluara.

Më herët ai ka qenë i dënuar për prostitucion në Itali, krim për të cilin ka vuajtur edhe dënimin në vendin fqinj.

Asnjëri prej të plagosurve nuk ruhej dhe nuk kishte frikën e një atentati të mundshëm. Sipas dëshmisë së tyre, lëvizjet nëpër Tiranë i kishin normale dhe të përditshme.

Në 3 shtator, tre autorët , kanë mbërritur në afërsi të lokalit rreth orës 13:40 minuta, gjysmë orë para se të kryenin atentatin.

Në zonën pranë lokalit, autorët kanë qëndruar të parkuar pranë një pallati, pa dalë nga automjeti tip “Golf 5”.

Nga ajo çka është filmuar nga kamerat e sigurisë, Kastriot Elezaj dhe Renaldo Metushi kanë ardhur në këmbë dhe janë ulur në verandën e lokalit për të konsumuar kafe.

Për t’u siguruar se aty ndodheshin dy personat që kërkonin, autorët kanë lëvizur për një moment me makinën e tyre përballë me Elezajn dhe Metushin, ndërsa brenda pak çastesh janë rikthyer në cepin e pallatit.

Aty kanë kthyer makinën dhe kanë qëlluar në drejtim të 45-vjeçarit Kastriot Elezaj dhe 22-vjeçarit Renaldo Metushi, me 7 plumba pistolete me silenciator.

Sa i përket itinerarit, nga këqyrja e pamjeve të kamerave të sigurisë, është zbuluar se makina e autorëve të dyshuar ka ardhur nga Kamza, te Liqeni i Paskuqanit, ka hyrë në afërsi të Bulevardit të Ri dhe është futur në zonën e ngjarjes.

Të njëjtin itinerar autorët e dyshuar kanë ndjekur edhe për tu larguar pas atentatit, derisa e dogjën makinën në Qerekë, sapo kalon Kamzën.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë