Gazeta Si- Agjencia e Mbikqyrjes Policore ka referuar materialet në Prokurorinë e Shkodrës, ku akuzon katër efektivë të Forcave Shqiponja për shpërdorim detyre në lidhje me masakrën me 4 viktima në Dobraç.
Sipas burimeve, AMP ka dyshime të forta se efektivët nuk kanë kryer detyrën duke lënë që të ikë nga vendngjarja personin e tretë që dyshohet se ishte në makinën e Hamza Licit dhe Arlind Buhatit, pikërisht atë që shfaqet në një video amatore.
LEXO EDHE:
Masakra e Dobraçit me 4 viktima / SPAK merr në dorë dosjen, dyshohet se u krye nga një grup kriminal
Tashmë pritet që organi i akuzës të thellojë hetimet në lidhje me grupin e efektivëve që ishin në vendngjarje.
Ende mbetet mister personi që del në video, ndërkohë që dyshohet se mund të jetë Ibrahim Lici, vëllai i Hamza Licit. Ka dyshime se Ibrahim Lici, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasjen e Endri Musafës (Turqia refuzoi ekstradimin e tij në Shqipëri), të jetë lënë nga efektivët që të largohet nga vendi i ngjarjes.
Nga atentati mafioz në Shkodër u vranë Hamza Lici dhe Arlind Bushati, si dhe çifti i bashkëshortëve Bashkim dhe Flutura Basha, motori i të cilëve u përplas nga makina e dy të rinjve që ishin shënjestër e atentatit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.